”Islami fe e urrejtjes”, 16-vjeçarja kërcënohet me vdekje
Një adoleshente ka përçarë Francën ku ka ndezur debate të zjarrta rreth Blasfemisë, pasi bëri një postim në Instagram në të cilin e quante Islamin “fe të urrejtjes”. Mila, 16 vjeç, i postoi komentet e saj online pas abuzimeve homofobe në rrjetet sociale nga një komentues mysliman.
Ajo u kërcënua me vdekje dhe nuk po shkon më në shkollë. Megjithatë, zgjodhi të mos tërhiqet, dhe në intervistën e parë televizive tha se donte të fliste me zë të lartë për diçka me të cilën nuk pajtohet. Mila, më pas, e çaktivizoi llogarinë e saj në Instagram.
Postimi shkaktoi debate të mëdha në Francë për lirinë e shprehjes, një vend me kushtetutë laike dhe pa ligje për blasfeminë. Policia fillimisht hapi dy palë hetime: i pari nëse Mila është fajtore për gjuhë të urrejtjes dhe i dyti kundër agresorëve të saj online.
Hetimet e para u pezulluan, sepse autoritetet dolën në përfundimin që adoleshentja shprehu një opinion personal për fenë dhe nuk sulmoi askënd. Ministri i Brendshëm i Francës, Christophe Castaner, deklaroi ndërkohë se Mila dhe familja e saj janë vënë nën mbrojtje të policisë.
Kreu i Këshillit Francez të Besimit Mysliman, Mohamed Moussaoui, u shpreh se asgjë nuk i justifikon kërcënimet me vdekje, pavarësisht se sa serioze ishin postimet e Milas, por kjo nuk e pengoi vërshimin e tyre.
KOHA JONË SONDAZH

