Ja çfarë shkruhej në laptopin e kamikazit të Brukselit
Prokurorët belg kanë gjetur kompjuterin e një prej autorëve të sulmeve terroriste të ndodhura mëngjesin e djeshëm në Belgjikë.
Kompjuteri i Ibrahim El Bekraoui u gjet i hedhur në plehra, ndërsa janë gjetur disa mesazhe të tij.
“Jam në nxitim. Nuk e di se çfarë do të bëj?!”, shkruan ai. “Jam i rrethuar nga të gjitha anët”, vijon.
Shënimi u gjet në kompjuterin e hedhur në plehra në lagjen “Schaerbeek” të Brukselit.
Raporte të mëhershme të medieve belge bëjnë me dije se ishte gjetur një kompjuter ku përmbajtja e tij u përshkrua si “interesante” nga policia, ndërsa thuhet se aty janë gjetur të dhëna të komunikimit midis terroristëve dhe të ashtuquajturit Shteti Islamik.
Nuk është ende e qartë nëse kompjuteri i gjetur në shërbimet e pastrimit është i njëjti i përdorur dhe i cituar nga Prokurori, raporton Oranews.
Belgjika është aktualisht në gatishmëri të lartë pas sulmit vdekjeprurës të martën në Bruksel, që la pas rreth 34 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur.

