Kërkimi i vështirë i Presidentit të ri të Gjermanisë

SPD ka futur në lojë Steinmeierin – partitë unioniste dhe E Majta kundërshtojnë.

***

Në fakt ata donin të binin dakord për një kandidat të përbashkët – dhe ta bënin këtë deri në fund të tetorit. Por kërkimi i socialdemokratëve të SPD-së dhe i unionistëve për një pasardhës për Joachim Gauck-un, i cili nuk kandidon për një mandat të dytë si President i Gjermanisë, po zgjat: herë pas here në opinion dalin emra, që pastaj tërhiqen, sepse personat përkatës nuk janë në dispozicion. Së fundi kjo ndodhi me Presidentin e Gjykatës Kushtetuese, Andreas Voßkuhle, i cili refuzoi ta marrë këtë post. Tani në titujt e gazetave vëmendjen e tërheq një kandidat i ri i mundshëm i koalicionit të madh partiak në pushtet: ministri i Jashtëm, Frank-Walter Steinmeier. Emri i tij ka kohë që diskutohet – zyrtarisht tani atë e futi në lojë kolegu i partisë së tij, shefi i socialdemokratëve, Sigmar Gabriel, në një intervistë gazete. Ai që kërkohet është një kandidat, i cili “të jetë në gjendje ta përfaqësojë vendin tonë, por që edhe i njeh sfidat e kohës sonë dhe ka përgjigje për to”, kështu u shpreh Gabriel në numrin e së hënës të Bild Zeitung. Të gjithë këta elementë, deklaroi Gabriel, vlejnë për Steinmeierin.

Swiss Digital Desktop Reklama

Pasardhësi i Gauckut do të zgjidhet në shkurt nga Asambleja Federale, një organ, i cili përbëhet prej më shumë se 1000 përfaqësuesve të federatës dhe të landeve. Në Asamble, e cila konstituohet në bazë të shumicave politike në Bundestag dhe në landet gjermane, partitë unioniste dhe socialdemokratët kanë shumicën. Megjithatë: po të bien dakord socialdemokratët, të majtët dhe të Gjelbrit për një kandidat të përbashkët, ato mund të arrijnë miratimin e tij edhe kundër dëshirës së CDU/CSU-së.

Swiss Digital Mobile Reklama

Të Majtët për Steinmeierin: “Vlerësimi: i pazgjedhshëm”

Por unionistët reaguan më refuzim: Steinmeieri do të bënte mirë të kryente si duhet punën e tij si ministër i Jashtëm, tha sekretari i përgjithshëm i CSU-së, Andreas Scheuer. Edhe partia e Majtë e bëri të qartë se nuk do ta mbështeste zgjedhjen e Steinmeierit: ai do të ishte për “të Majtën një kandidat i vështirë”, tha kryetari i Grupit Parlamentar, Dietmar Bartsch. Megjithatë ai ka vënë thekse pozitive në politikën e jashtme, tha më tej Bartsch. Dhe: për aq kohë sa do të jetë e paqartë se për cilët kandidatë do të votojë në fund Asambleja Federale, ai nuk mund ta parashikojë si do të sillen në votim kandidatët e Partive të Majta. Edhe më refuzues u shpreh Bernd Riexinger, shefi i Së Majtës: “Frank-Walter Steinmeier është njëri nga kandidatët e Agenda 2010, e cila e solli varfërinë në mesin e shoqërisë dhe që e thelloi ndarjen midis të varfërve dhe të pasurve. Vlerësimi: i pazgjedhshëm.”

Po Steinmeieri vetë, çfarë thotë? Ai tha në “Raport nga Berlini”, në një emision politik, që transmetohet të dielën në mbrëmje, vetëm këto fjalë: ai merret me gjëra të tjera. “Unë do të përqendrohem me të gjitha fuqitë tek krizat dhe konfliktet në këtë botë dhe në Bundestagun gjerman, i cili ndoshta mund të kontribuojë diçka për zgjidhjen”.

DWelle

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?