Koreja e Jugut dhe Japonia në alarm pas lëshimit të raketave nga Koreja e Veriut
Japonia dhe Koreja e Jugut janë alarmuar pasi Koreja e Veriut lëshoi dy raketa balistike me rreze të shkurtër, në brigjet e saj lindore. Kjo është hera e dytë, brenda një jave, që Koreja e Veriut bën veprime të tilla.
Ministri koreano-jugor i mbrojtjes, Jeong Kyeong-doo, tha se raketat u identifikuan si një lloj i ndryshëm nga modelet e mëparshme. Kryeministri japonez, Shinzo Abe, konfirmoi se veprimi, nuk kishte asnjë ndikim në sigurinë e Japonisë.
Kur i lëshoi raketat, ditë më parë, Korea e Veriut tha se veprimi shënonte “paralajmërim solemn” për Korenë e Jugut në lidhje me ushtrimet e planifikuara ushtarake me Uashingtonin.
Ky ishte reagimi i parë, që kur Presidenti amerikan Donald Trump dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong-un u takuan në qershor. Kim Jong Un,i sheh këto ushtrime si përgatitje për pushtim të vendit të tij.
Koreja e Veriut i quajti stërvitjet “një shkelje” të deklaratës së përbashkët të nënshkruar nga Trump dhe Kim në bisedimet e tyre të para ballë për ballë në Singapor vitin e kaluar. Pheniani kishte paralajmëruar se stërvitjet mund të ndikojnë në rifillimin e bisedimeve për denuklearizim.
KOHA JONË SONDAZH

