Ministri i Jashtëm i Katarit në Forumin e Sigurisë Globale 2020: Kriza aktuale e Gjirit zgjidhet me vullnetin e të gjitha palëve
Gjatë fjalës së tij në Forumin Virtual të Sigurisë Globale 2020, Zëvendës Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Shtetit të Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani deklaroi se për të zgjidhur krizën aktuale të Gjirit dujet të ketë një vullnet të përbashkët midis vendeve që janë palë në konflikt.
Në sesionin kushtuar “Këndvështrimeve nga Lindja e Mesme”, Ministri i Jashtëm katarian theksoi se shteti i tij ka dëshirën për të gjetur një zgjidhje, e cila do të kontibuonte në një rajon më të qëndrueshëm sidomos në këto kohë të trazuara, duke nënvizuar se baza e çdo zgjidhjeje të mundshme të krizës është vullneti i mirë nga ana vendeve të bllokadës dhe Katarit, pavarësisht nëse kjo zgjidhje do të arrihet me përpjekjet e administratës aktuale amerikanë të Presidentit -së Donald Trump apo me Presidentin e zgjedhur Joe Biden.
“Ne kemi qëllime të mira për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive me vendet e bllokadës, që të gjejmë një zgjidhje të drejtë. Besojmë se nuk ka asnjë fitues nga kjo krizë, pasoja e vetme e së cilës është rritja e paqëndrueshmërisë në rajonin tonë. Nëse na intereson e ardhmja jonë dhe e popujve tanë, mendoj se duhet të gjejmë një zgjidhje të drejtë për këtë krizë”- tha Ministri i Jashtëm Katarian.
Al Thani hodhi poshtë çdo akuzë se vendi i tij ka kryer veprimtari armiqësore kundër vendeve të bllokadës, duke theksuar gatishmërinë e Katarit për t’i dhënë fund konfliktit dhe bashkëpunuar me palët e përfshira nëse ato ndajnë vullnetin e mirë, me qëllim që të arrihet një zgjidhje e drejtë dhe në interes të të gjithëve.
Ai vlerësoi përpjekjet ndërkombëtare për ndërmjetësim në zgjidhjen e krizës së Gjirit, veçanërisht përpjekjet e Emirit të ndjerë të Kuvajtit Sheik Sabah Al-Ahmad Al-Sabah, si dhe të Presidentit Trump me administratës së tij, të cilët u dhanë një shtysë të fortë dhe domethënëse veprimeve për të arritur një zgjidhje të krizës.
Rreth zgjedhjeve presidenciale amerikane, Ministri i Jashtëm i Katarit tha se rezultati i tyre u intereson kryesisht qytetarëve amerikanë, duke shtuar se shteti i tij përgëzon çdo administratë të re që do të dalë prej tyre, qoftë ajo e presidentit të zgjedhur apo e presidentit aktual, dhe deklaroi se politika e ShBA-ve nuk ndikon vetëm në rajonin e Gjirit, por në të gjithë globin.
Ai nënvizoi se Katari ka një partneritet strategjik me SHBA-të dhe se lidhjet mes dy vendeve janë zhvilluar në baza të forta, duke mbuluar një sërë fushash të rëndësishme si: mbrojtja, siguria, ekonomia, biznesi, arsimi, energjia dhe sektorë të tjerë.
“Ne shpresojmë të punojmë me administratën e ardhshme të SHBA-ve për të promovuar paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë, për çka kemi shumë nevojë aktualisht mes tensioneve që na rrethojnë në Lindjen e Mesme. Marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara nuk ndikohen nga zgjedhjet atje, pasi kemi ndërtuar marrëdhënie të forta me të gjitha institucionet amerikane. Marrëdhëniet e përbashkëta janë solide dhe përfshijnë ministri, departamente dhe institucione të ndryshme në të dy vendet”- u shpreh ministri i jashtëm katarian.
Ai sqaroi se rajoni ka nevojë t’i intensifikojë përpjekjet diplomatike dhe paqësore për t’u dhënë zgjidhje konflikteve, dhe shtoi se mosmarrëveshjet midis vendeve anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) dhe Iranit kanë zgjatur për dekada dhe se duhet të zgjidhen me mjete diplomatike.
Ministri i jashtëm katarian tha se rajoni i Lindjes së Mesme nuk ka nevojë për një garë të re armatimi, sepse kjo do të çonte në rritje të paqëndrueshmërirë. “Nuk themi që shtetet s’duhet të ndërtojnë forcë parandaluese, pasi të gjithë kanë nevojë për këtë dhe Katari e bën diçka të tillë. Por besoj se duhet të investojmë më shumë te zgjidhjet diplomatike me Iranin dhe të angazhohemi në mënyrë më konstruktive me ta”- tha ai.
Ai theksoi se përgjatë një viti e gjysmë janë bërë shumë përpjekje për t’i bashkuar palët në marrëdhënien me Iranin. Referuar Iniciativës Iraniane “HOPE” dhe Iniciativës Evropiane të Sigurisë Detare për të garantuar sigurinë detare në Gjirin Persik, ai tha “Mendoj se duhet të dalim me një vizion më të qëndrueshëm për të ardhmen e sigurisë sonë rajonale”.
Në këtë kontekst, Al Thani evidentoi nevojën për një marrëveshje mes vendeve të GCC-së dhe Iranit, për të gjetur një zgjidhje të përbashkët paqësore, duke adresuar të gjitha çështjet në një mënyrë të civilizuar përmes dialogut.
“Duam të arrijmë një zgjidhje për këtë konflikt dhe inkurajojmë vendet e GCC-së të angazhohen në një mënyrë pozitive dhe konstruktive. Kemi nevojë dhe duam të nxisim Iranin që gjithashtu të angazhohet në një mënyrë pozitive dhe konstruktive. Por kjo nuk do të thotë se do të mund të arrijmë t’i zgjidhim të gjitha problemet që tani” – tha ministri katarian, duke shtuar: “Ne nuk biem dakord me Iranin për disa nga politikat e tij, por kjo s’do të thotë se jemi në konflikt me njëri-tjetrin. Le të flasim për çështje dhe interesa të përbashkëta dhe të përpiqemi t’i adresojmë mosmarrëveshjet përmes diskutimit, pjesëmarrjes gjithëpërfshirëse dhe dialogut konstruktiv për të arritur zgjidhjet e duhura”.
Lidhur me dy marrëveshjet që Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini nënshkruan për normalizim marrëdhëniesh me Izraelin, ai tha se pozicioni i Katarit që në fillim ka qenë trajtimi në thelb i konfliktit mes shteteve të rajonit dhe Izraelit, e që është çështja palestineze. Sipas Al Thani, kjo çështje duhet të shërbejë si bazë për çdo diskutim të mëtejshëm dhe të trajtohet në një mënyrë që garanton të drejtën e palestinezëve për të krijuar shtetin e tyre të pavarur. “Është më mirë të kesh një front të bashkuar që merr parasysh interesin e palestinezëve dhe zgjidhjen me dy shtete në kufijtë e vitit 1967 dhe me Jerusalemin Lindor si kryeqytet. Kjo është zgjidhja dhe ky është vizioni për të cilin Shteti i Katarit vazhdon të bëjë thirrje për negociata midis izraelitëve dhe palestinezëve në mënyrë që t’i jepet fund konfliktit, sepse populli palestinez është ai që paguan çmimin më të madh për të”- theksoi ai.
Në lidhje me tërheqjen e Shteteve të Bashkuara pothuajse plotësisht nga Afganistani, ministri katarian tha: “Ne nuk besojmë në zgjidhje ushtarake, por te diplomacia në zgjidhjen e të gjitha konflikteve. Lufta në Afganistan vazhdon prej më se dy dekadash, ka ardhur koha për të arritur një zgjidhje diplomatike”.
Më tej, ai deklaroi se Katari do të ndjekë çdo rrugë që sjell paqe në Afganistan dhe kudo tjetër në botë, dhe se shteti i tij është i gatshëm të bëjë gjithçka në këtë drejtim. Ai tha se Katari u ka ofruar si afganëve ashtu edhe amerikanëve, një platformë për bisedimet e paqes.
“Ne besojmë se hapat e ndërmarra deri më tani midis Amerikës dhe Talibanëve kanë qenë hapa të mirë përpara. Hapi i parë për paqen në Afganistan është mes këtyre dy palëve, por më e rëndësishme është paqja midis vetë afganëve, midis Qeverisë dhe Talibanëve. Ndonëse nuk po shohim progres të rëndësishëm në këtë aspekt, ne do të vazhdojmë përpjekjet për t’i dhënë shtytje procesit, duke u përqendruar për momentin në gjetjen e një zgjidhjeje ndër-afgane. Kjo është përparësia jonë. SHBA janë duke punuar ngushtë me Doha-n për një zgjidhje të qëndrueshme në Afganistan. Shpresojmë të shohim përparim deri në fund të vitit.” – tha Ministri i Jashtëm i Katarit.
Gjatë fjalës së tij, zyrtari katarian përmendi edhe rolin e Katarit në Siri, ku tha se aktualisht Doha i qëndron pozicionit të saj që kërkon drejtësi për krimet e luftës kundër popullit sirian dhe për të shpërngulurit dhe refugjatët sirianë që gjenden kudo nëpër botë, duke theksuar nevojën për të adresuar problemin në rrafshin politik.
“Ne vijojmë përpjekjet dhe ndihmat tona humanitare, vazhdojmë të sigurojmë strehim, shkolla dhe kujdes shëndetësor për refugjatët sirianë dhe personat e zhvendosur brenda Sirisë, por shpresojmë të shohim përkushtim më të madh nga komuniteti ndërkombëtar për të ndihmuar sirianët dhe për të arritur një zgjidhje atje” – tha Al Thani.
Ai vuri në dukje se momentumi ndërkombëtar rreth Sirisë ka humbur disa vite më parë. Problemi kryesor në Siri është se kohët e fundit atje janë vënë shumë vija të kuqe, por që të gjitha janë shkelur pa dhënë dikush llogari.
“Ne gjithmonë e nxisim komunitetin ndërkombëtar të mos harrojë përgjegjësitë e tij dhe që të angazhohet për të gjetur drejtësi për sirianët. Atje kanë ndodhur shumë gjakderdhje dhe është e drejta e sirianëve të sjellin para drejtësisë këdo që ka kryer krime lufte” – deklaroi ai.
Sa i përket garës së armatimit në rajon, Zëvendës Kryeministri i Katarit tha se “Ky është një tregues i qartë i paqëndrueshmërisë në rajon së cilës ne duam t’i japim fund, duke sjellë më shumë shpresë në diplomaci dhe duke paraqitur më shumë mundësi për të ardhmen. Kjo shpjegon pse ne miratojmë një kornizë rajonale të sigurisë, e cila i garanton të gjithëve të jetojnë të sigurtë për të ardhmen tonë dhe të popujve tanë”.
Ai tha se nëse do të ketë një kornizë të fortë rajonale të sigurisë, atëherë marrëdhëniet me të gjitha vendet si Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Kina do të jenë konstruktive dhe miqësore. “Ne nuk duam teprime në rajonin tonë, sepse nuk besojmë se ato i sjellin përfitim ndonjë vendi në rajon” – deklaroi ai, duke shtuar se Katari dëshiron të ruajë marrëdhëniet e forta strategjike me SHBA, si dhe marrëdhënie strategjike e tregtare me Kinën dhe Rusinë.
Në lidhje me çështjen e energjisë, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani deklaroi se Katari siguron gati 30% të nevojave globale për gaz natyror, duke nënvizuar se shtetet që varen nga ekonomia e bazuar mbi energjinë duhet të ndërtojnë plane për të ardhmen, në një botë që nuk do të varet nga burimet e energjisë hidrokarbure.
Ai tha se Katari ka zhvilluar Strategjinë Kombëtare 2030, e cila synon diversifikimin e ekonomisë larg varësisë nga hidrokarburet, dhe se implementimi i planeve të diversifikimit ka nisur që në vitin 2008. Në këtë drejtim, ai nënvizoi se Katari ka arritur 80% të objektivave të veta, duke bërë që 50% e PBB-së së tij të vijë nga sektorët johidrokarbure. “Shteti do të vazhdojë të ndërtojë modelin e tij për të ardhmen. Një pjesë thelbësore e strategjisë sonë do të jetë zgjerimi i investimeve sipas një plani të mirëstudiuar, në mënyrë që përfitimet të jenë si për Shtetin e Katarit, ashtu edhe për vendet që do të thithin ato investime.” – theksoi ai.
KOHA JONË SONDAZH

