Njihuni me doktorin 97 vjeçar që nuk heq dorë nga profesioni
István Körmendi shërben prej 70 vitesh si doktor familjeje në Budapest.
Në moshën 97-vjeçare, ai është doktori më i vjetër i Hungarisë.
Apartamentin e kthyer në klinikë e trashëgoi nga i ati, nga i cili edhe mësoi ta praktikojë mjekësinë.
“U rrita duke parë babain si punonte. Atëherë nuk kishte klinika publike. Përpara dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, mësoja fshehtas sepse hebrenjve u ndalohej hyrja në universitet,” thotë doktori.
Për shkak të origjinës hebraike, Körmendi paragjykohej si student dhe në 1944-ën iu nënshtrua punës së detyruar.
Gradën e doktorit e mori 6 vite më vonë, dhe pas punës fillimisht me fëmijët, fitoi edhe pozicionin e mjekut të përgjithshëm.
“Mes pacientëve të mi është një 70-vjeçare, të cilën e trajtoj që kur ishte fëmijë,” thotë Körmendi.
Për shkak të pandemisë së koronavirusit, edhe në Hungari janë reduktuar vizitat te mjeku dhe janë kufizuar kontaktet personale.
Doktori 97-vjeçar thotë se nuk e preferon marrëdhënien elektronike me pacientët.
“Situata që ekziston tani kam frikë se, për arsye komforti, do të zgjatë edhe pasi të ikë kovidi. Kjo mund të reduktojë cilësinë e trajtimit mjekësor sepse doktorët nuk duhet ta neglizhojnë kontaktin personal me pacientët,” tregon doktor Körmendi.
KOHA JONË SONDAZH

