Presidenti Francez Macron: Jam mirë

Nga Mentor HOXHA, Paris –
Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, në një video tre minutëshe të postuar në llogarinë e tij në Twitter në mbrëmjen e sotme, informoi francezët për gjendjen e tij shëndetësore, pasi dje në mëngjez doli pozitiv me Covid-19. Përmes kësaj videoje në rrjetet sociale nga rezidenca e “La Lanterne” ku ai ndodhet i zoluar që nga mbrëmja e djeshme, kreu i shtetit francez tregoi gjendjen e tij shëndetësore dhe përcolli disa mesazhe tek francezët duke thënë që “askush nuk është i sigurt dhe imun” nga Covid -19. Së pari, ai kujton procedurën që ai aplikoi në rast të simptomave: “Pasi provova simptomat e para, bëra testin. Pasi dola pozitiv, menjëherë u veçova. Siç kërkojnë rregulloret shëndetësore, unë u regjistrova në TousAnticovid në mënyrë që aplikacioni ta raportojë atë në të gjitha rastet e mia të kontaktit gjatë 48 orëve të mëparshme. Padyshim, unë kisha takuar shumë udhëheqës politikë, anëtarë të qeverisë, udhëheqës ndërkombëtarë, anëtarë të sigurimit tim të ngushtë, të afërm dhe anëtarë të familjes time. Të gjithë rastet e kontaktit janë në izolim dhe janë testuar”. Ai deklaron se është mirë dhe premton se do të raportojë çdo ditë për evolucionin e sëmundjes, ndërkohë po tregon kujdes për punët më të rëndësishme. “Kam të njëjtat simptoma si dje, pra lodhje, dhimbje koke, kollë e thatë. Zakonisht nuk ka asnjë arsye që kjo të shkojë keq. Unë jam nën mbikëqyrje mjekësore dhe do t’ju raportoj në një mënyrë plotësisht transparente. Jam shumë i mbrojtur, jam shumë i kujdesshëm”.
Nga kjo kjo video e shkurtër, ai dërgon edhe disa mesazhe tek francezët: “Vazhdoni të kushtoni vëmendje, pasi virusi mund të prekë këdo. Mesazhi tjetër është se edhe duke qenë “shumë të kujdesshëm dhe duke respektuar gjestet pengesë, Presidenti, i cili megjithatë është “shumë i mbrojtur përfundoi me virus. Pa dyshim një moment neglizhence, një fat i keq gjithashtu, por nëse nuk do t’i kisha respektuar rregullat dhe gjestet pengesë, do ta kisha kapur shumë më shpejt, por mbi të gjitha, do t’ua kisha transmetuar atë gjatë orëve të mëparshme shumë më tepër njerëzve”.
Kreu i Pallatit Elize falënderoi francezët për mesazhet e mbështetjes që i dërguan dhe u bën thirrje që të jenë jashtëzakonisht vigjilentë, duke kujtuar se me të, 18. 000 francezë dolën pozitivë dje, në të njëjtën kohë me të. “Virusi po kthehet edhe më i fortë. Askush nuk është imun dhe ne duhet të jemi vigjilentë. Le të bëjmë maksimumin. Ne të gjithë së bashku do të rezistojmë. Vaksina do të mbërrijë”.
Macron e pranon “aktivitetin pak të ngadalësuar për shkak të virusit”, por siguron se “vazhdon të menaxhojë punët e përditshme në bashkëpunim me Kryeministrin, qeverinë dhe ekipet e tij. Në veçanti, ai mban kontrollin e “çështjeve prioritare”, si menaxhimi i epidemisë, ose Brexit. “Unë kam një aktivitet të ngadalësuar, por vazhdoj të kujdesem për dosjet prioritare”, -tha ai.
KOHA JONË SONDAZH

