Vrasja e Samuel Paty, ku gënjeshtra e një 13-vjeçare shkaktoi një zinxhir ngjarjesh tragjike
Një vajzë 13-vjeçare në Francë dëshironte që i ati të mos e merrte vesh që ishte pezulluar nga shkolla për shkak të mungesave, ndaj dhe shpiku një histori. Adoleshentja tha se mësuesi i saj i historisë, Samuel Paty, u kishte kërkuar nxënësve myslimanë të largoheshin nga klasa në mënyrë që ai të mund t’i tregonte pjesës tjetër ”një fotografi të Profetit lakuriq”. Duhet të jetë konsideruar si një gënjeshtër e padëmshme, por shkaktoi një zinxhir ngjarjesh që çuan në një tmerr të paimagjinueshëm. Dhjetë ditë më vonë, mësuesi u gjend i vdekur, me kokën e prerë nga një terrorist. Familja Paty u shkatërrua, Franca u traumatizua. Vajza dhe babai i saj përballen me akuza penale.
Më 6 tetor të vitit të kaluar, Paty një mësues i historisë dhe gjeografisë, dha një orë mësimore me temën e “dilemave”. Ai shtroi pyetjen “të jesh apo jo Charlie?”, duke iu referuar hashtagut #JeSuisCharlie (Unë jam Charlie) i përdorur për të shprehur mbështetjen për gazetën pas një sulmi terrorist në zyrat e saj në janar 2015, ku mbetën të vrarë 12 njerëz.
Paty thuhet se i ftoi studentët myslimanë që mund të tronditeshin, që të mbyllnin sytë ose të qëndronin për pak çaste në korridor, sa ai të tregonte karikaturën e Profetit. Dy ditë më vonë, vajza i tha babait se Paty u kishte kërkuar nxënësve myslimanë të largoheshin nga klasa para se të tregonte karikaturën. Ajo tha se kishte shprehur mosmarrëveshje me mësuesin dhe ai e kishte pezulluar nga mësimi për dy ditë. Pasi dëgjoi historinë, babai i saj i lindur në Marok, shpërndau një video në Facebook në të cilën ai denoncoi Paty dhe bëri thirrje që ai të shkarkohej nga shkolla e mesme në Conflans-Sainte-Honorine. Një video e dytë u postua në mediat sociale duke akuzuar Paty-n për diskriminim. Brahim Chnina u ankua në shkollë dhe polici, duke pretenduar se Paty ishte fajtor për “shpërndarjen e një imazhi pornografik” dhe shkaktimin e akuzave për islamofobi në shkollë.
Çështja ra në veshin e Abdullakh Anzorov, 18-vjeç, një emigrant çeçen i radikalizuar që jetonte në Normandi. Më 16 tetor, Anzorov udhëtoi për në Conflans-Sainte-Honorine, pagoi dy adoleshentë nga shkolla për të identifikuar Paty-n teksa po largohej për në shtëpi të premten në mbrëmje dhe i preu kokën.
Gënjeshtra solli vrasjen e një burri. Të dielën, Le Parisien zbuloi se vajza kishte pranuar se kishte gënjyer për Paty-n. Gazeta tha se ajo i rrëfeu gjykatësit për hetimet anti-terroriste se kishte gënjyer dhe se ajo nuk ishte as në klasën ku Paty u tregoi nxënësve karikatura e njohura të gazetës satirike Charlie Hebdo. Vajza thuhet se i qëndroi historisë së saj derisa policia i tha se disa shokë të klasës kishin konfirmuar se ajo nuk ishte e pranishme në mësim dhe se Paty nuk i kishte udhëzuar nxënësit myslimanë të largoheshin nga klasa siç kishte pohuar ajo.
Hetuesit pretendohet se thanë se ajo vuan nga një “kompleks inferioriteti” dhe ishte e përkushtuar ndaj të atit. Avokati i vajzës, Mbeko Tabula, këmbëngul se pesha e tragjedisë nuk duhet të bjerë mbi shpatullat e një vajze 13-vjeçare. Brahim Chnina, i cili është nën hetim për “bashkëpunim në një vrasje terroriste”, i tha policisë se ishte treguar “idiot, budalla”.
“Unë kurrë nuk kam menduar se mesazhet e mia do të shihen nga terroristët. Nuk doja të dëmtoja askënd me atë mesazh. Është e vështirë të imagjinohet se si kemi ardhur këtu, që kemi humbur një profesor historie dhe të gjithë më fajësojnë mua”. /Anabel/
KOHA JONË SONDAZH

