Home KRYESORE Ç’duan ...

Ç’duan gjithë këto tanke serbe pranë kufirit me veriun e Kosovës?

48
0

Kosova i kërkoi të shtunën Serbisë të largojë trupat nga kufiri i saj, pasi Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësimin për “mobilizimin ushtarak serb pranë kufirit me Kosovën”.

Të shtunën qeveria e Kosovës tha se ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian “në lidhje me këtë kërcënim serioz nga Serbia dhe reagimi i Shteteve të Bashkuara ndaj kësaj qasje agresive të Serbisë ka qenë i menjëhershëm dhe i drejtpërdrejtë”.

Tensionet mes dy vendeve janë të lartë që nga 24 shtatori kur policia e Kosovës u përlesh me një grup serbësh të armatosur që sulmoi policinë në fshatin Banjskë në veri të vendit, duke vrarë një oficer policie. Tre sulmues u vranë po ashtu gjatë përleshjeve.

Ngjarja që u cilësua nga më të rëndat që kur Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008 nxiti shqetësime të reja ndërkombëtare për qëndrueshmërinë në Kosovë.

“I bëjmë thirrje presidentit (Aleksandar) Vuçiç dhe institucioneve të Serbisë që menjëherë të tërheqin të gjitha trupat ushtarake nga vija kufitare me Kosovën”, thuhet në një komunikatë të qeverisë së Kosovës në të cilën theksohet se “pas dështimit të sulmit të armatosur me formacionet para-ushtarake të udhëhequra nga Milan Radoiçiq, marshimi dhe vendosja e trupave ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën është hapi i radhës i institucioneve të Serbisë për të kërcënuar integritetin territorial të vendit tonë dhe gjithashtu prezencën ushtarake ndërkombëtare në Republikën e Kosovës”.

Të premten zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby tha se Shtetet e Bashkuara po vëzhgojnë një grumbullim të madh ushtarak të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën, që përfshin artileri të avancuar, tanke dhe njësi ushtarake të mekanizuara, të cilin ai e quajti “të pashembullt”.

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell, tha po ashtu se grumbullimi i forcave ushtarake serbe në afërsi të kufirit me Kosovën është shumë shqetësues dhe duhet të ndalet menjëherë.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha për Financial Times se nuk kishte ndërmend të urdhëronte forcat e tij të kalonin kufirin me Kosovë, sepse një përshkallëzim i konfliktit do të dëmtonte aspiratat e Beogradit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Gazeta e citon presidentin serb të ketë thënë se vitin e kaluar Serbia kishte 14,000 trupa pranë vijës kufitare me Kosovën dhe sot janë rreth 7,500, një numër që do të shkurtohet në 4,000.

Qeveri e Kosovës tha se “institucionet e Republikës së Kosovës në bashkërendim me partnerët ndërkombëtarë janë më të vendosura se kurrë që me çdo kusht të mbrojnë tërësinë territoriale, të ruajnë sovranitetin, rendin kushtetues, rendin publik dhe jetën e qytetarëve të vendit tonë”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani takoi të shtunën komandantin e forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja Angelo Michele Ristuccia dhe shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit (EULEX-it), Giovanni Pietro Barbano për të diskutuar situatën e sigurisë.

NATO-ja tha të premten se ka miratuar “forca shtesë për Kosovën” që do të mëbshtesin rreth 4 mijë e 500 trupa sa ndodhen në terren për të ruajtur një mjedis të sigurt në Kosovë.

Leo Docherty, ministër britanik për çështje evropiane, u shpreh i kënaqur të shtunën që “trupat e Mbretërisë së Bashkuar po forcojnë KFOR-in në Kosovë, duke demonstruar përkushtimin tonë ndaj NATO-s dhe qëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor.

“Ne bëjmë thirrje për qetësi dhe shtensionim nga të gjitha palët. E vetmja rrugë e qëndrueshme drejt paqes në Kosovë është përmes dialogut”, shkroi ai.

Të shtunën policia e Kosovës tha se gjendja është e qetë në veri, ndërsa po vazhdojnë hetimet rreth ngjarjeve të 24 shtatorit. Policia tha se ka gjetur sërish armë, municione dhe pajisje të ndryshme ushtarake gjatë një kontrolli në pjesën malore të cilën e kanë shfrytëzuar sulmuesit.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë tha të shtunën se Milan Radoiçiç nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve të Kosovës që mori përsipër sulmin e së dielës, “ka bërë deklaratë” në cilësinë e qytetarit për sulmin ndaj policisë së Kosovës në veri të Kosovës.

Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se Beogradi qëndron prapa sulmit të cilin autoritetet në Prishtinë, Bashkimi Evropian dhe diplomatët perëndimorë e cilësuan si terrorist./VOA/

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit