Home Aktualitet Çfarë e përca...

Çfarë e përcakton kohën e letërsisë? Koha e shkrimtarit? Apo koha e personazheve?

87
0
Nga Arta Marku Qëndro-
Çfarë e përcakton kohën e letërsisë?
Koha e shkrimtarit? Apo koha e personazheve?
Midis letërsisë së shkruar sot dhe dje ka më shumë fije lidhëse apo hendeqe ndarëse?
Ç’e bën një shkrimtar të vjetër të pavjetëruar e të pavjetërueshëm?
Çfarë dëshmon letërsia për thelbin e njeriut, ndryshimin nga koha apo pandryshueshmërinë e tij?
Çfarë do të thotë kur nga një libër zbulon një përputhje të plotë mes ngjarjes 150-vjeçare dhe një tjetre aktuale?
***
Sot folëm me nxënësit e Liceut Artistik “Jordan Misja”, me një fjalë me artistë të ardhshëm e madje në një sallë të vërtetë koncertesh siç është salla “Tonin Harapi”. Na pritën dhe përcollën me MUZIKË, teksa ne kishim marrë me vete LETËRSI.
Ishim me shkrimtarin Namik Dokle, botuesen Anna Shkreli, poetin dhe gazetarin Aleksandër Çipa, por jo vetëm me ata sepse në njëfarë kuptimi ishim edhe me Ernest Koliqin, Cuk Simonin, Petro Markon, Dritëro Agollin, Lefter Çipën…
Sigurisht, sepse duke perifrazuar moton e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, në kuadrin e TETORIT TË LETËRSISË, “Libri afron botën”, mund të themi edhe se libri afron kohët, afron shkrimtarët, afron lexuesit…
***
“Pas një koncerti të mirë, lexoni një libër të mirë”, u thashë liceistëve të pranishëm në takimin tonë, teksa duartrokisja shokun e tyre që luajti për ne në piano. Dhe në fakt po mendoja për atë vajzën një hap larg meje, gishtat e së cilës fluturonin mbi një tastierë imagjinare a thua se po shoqëronte shokun e saj që interpretonte realisht. Cilin nga librat për të cilët folëm sot do të shfletonte me gishtat e saj të hollë?
Në të dalë, një nxënës tjetër i la në dorë Kristi Popës, një fletë letre ku i kish vizatuar profilin me mjekrrën e gjatë ku spikaste përqendrimi në rrëfimet për letërsinë. “Pasi të bësh një pikturë të mirë, lexo një libër të mirë”, kisha për t’i thënë, piktorit të ardhshëm, po të mos kish ikur me vrap.
***
Te liceu ishte një mjedis interesant në heterogjenitetin e tij: letërsi, muzikë, pikturë… në skenë një shkrimtar, një botuese, një poet e gazetar dhe unë. Tastiera që përdorim në përditshmëri është ajo e kompjuterit, mendoj tek shoh pianon e zezë me bisht që shkëlqen sfidueshëm. Disa lexhio pak më tutje duken se mezi po presin partet të mbështeten mbi to. Jashtë dritareve luhet basketboll… Edhe pas një loje të mirë me top, mund të lexohet një libër i mirë… se gjithmonë ka vend për një libër të mirë.
…Tetori i letërsisë vazhdon dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit, nën moton “LIBRI AFRON BOTËN” ka veprimtari të tjera.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit