Home Forum Drejtori i IR...

Drejtori i IRI-t: SPAK-u ka besimin e qytetarëve. Korrupsioni problem serioz

310
0

Qytetarët shqiptarë edhe një herë tjetër shprehin shqetësimin mbi korrupsionin, si dhe besimin e lartë që kanë ndj SPAK-ut.

Në sondazhin e Institutit Ndërkombëtar Republikan, 86 për qind e të anketuarve pohojnë se korrupsioni në Shqipëri është një problem serioz, ndërsa 69 për qind e tyre thanë se kanë besim tek SPAK-u, që mund ta bëjë punën e vet pa ndikime politike.

Drejtori i këtij Instituti për Shqipërinë, John Fluharty i tha sot Zërit të Amerikës se është mjaft domethënës fakti që një numër përherë e më i madh qytetarësh shprehin tek SPAK-u njëkohësisht me shqetësimin se korrupsioni është për ta një problem serioz.

“Ky është për SPAK-un një hap kuptimplotë përpara. Askush nuk është i përsosur gjatë gjithë kohës. Mendoj se në Shqipëri duhet të vërehet ecja përpara pa pretenduar përsosmërinë, ndërsa SPAK ka një rrugë të gjatë për të bërë, duke punuar me këto çështje. Shpresoj që përqindjet mbi besimin ndaj SPAK-ut të rriten më tej në të ardhmen, ndërsa ato për korrupsionin si problemi më i madh në vend të ulen me kalimin e kohës”, tha për Zërin e Amerikës zoti Fluharty.

Drejtuesi i IRI-t shtoi se SPAK-u po bën çdo gjë që mundet në këtë çast për ta kryer mirë punën e vet, megjithë vështirësitë e shumta.

“Fakti që qytetarët besojnë tek SPAK-u se presin rezultate prej tij është shumë domethënës, theksoi ai. Kjo është e mirë për sistemin, dhe është ajo çka i nevojitet Shqipërisë; që qytetarët të besojnë tek sistemi. SPAK është pjesë e suksesit me reformën në sistemin e drejtësisë. Ende ka shumë punë dhe nivele për t’u arritur në vazhdim me reformën në drejtësi, por përparimi duhet vlerësuar më shumë sesa të pritet përsosmëria”, thotë zoti Fluharty.

Në sondazhin e IRI-t, korrupsioni më i përhapur në bashkitë e tyre është vjedhja ose keqmenaxhimi i qëllimshëm i fondeve, veprimet për interes vetjak, rryshfetet, klientelizmi në kurriz të meritokracisë dhe mosndëshkimi i keqbërësve.

Afro 60 për qind e të anketuarve pohojnë se qeverisja u shërben më tepër interesave të grupimeve të vogla, ndërsa 38 për qind thanë se qeverisja u shërben interesave të shumicës së qytetarëve.

Drejtori i IRI-t thotë se kjo gjetje meriton kujdes dhe trajtim të veçantë nga qytetarët, sepse janë ata vet që i zgjedhin qeveritarët.

“Është në të drejtën e qytetarëve të fillojnë e të kërkojnë më shumë nga qeveria, si ajo qendrore dhe ajo vendore. Nuk mjafton që ata vetëm të shkojnë në votime dhe të presin që punët të bëhen. Qytetarët duhet të mbeten të përfshirë në proces dhe të kërkojnë më shumë nga qeveria”, thotë drejtori i IRI-t për Shqipërinë.

Në sondazhin e publikuar nga IRI, pjesa dërrmuese e të anketuarve renditin si problemet më të rëndësishme në bashkinë e tyre ekonominë, kostot e jetesës (çmimet e larta), papunësinë, korrupsionin dhe emigracionin.

Më shumë se gjysma e tyre u shprehën pesimist mbi pyetjen nëse brezi i të rinjve të sotëm ka një të ardhme në Shqipëri, ndërsa 43 për qind shprehen optimist për të ardhmen.

Pjesa më e madhe mendojnë se e ardhmja do të jetë më e mirë dhe se vendi po shkon në drejtimin e duhur ndërsa pjesa tjetër janë mosbesues, me frikë për të ardhmen, teksa pohojnë se vendi po shkon në drejtimin e gabuar.

(Marrë me shkurtime nga “Zëri i Amerikës”)

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit