Home Editorial Edi Rama krit...

Edi Rama kritikon hapur Albin Kurtin

49
0

(Ky editorial shikohet më i plotë si video)

Sot, për herë të parë nga Tirana, në krah të presidentit të Francës, Macron, ishte kryeministri Edi Rama që foli kundër Albin Kurtit.

Deri tani e ka ruajtur me kujdes veten, por më në fund kryeministri shqiptar tha se fajin e ka kryeministri i Kosovës, por njëkohësisht dënoi Serbinë për aktet terroriste në veri të Kosovës.

Ndërkohë Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, deklaroi se pret që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, t’i dënojë prerazi sulmet në Banjskë. Më 24 shtator në Banjskë në një sulm nga një grup i armatosur serbësh u vra një pjesëtar i Policisë së Kosovës. Kurse në përleshjet që pasuan, u vranë tre terroristë serbë.

Macron ka thënë se ka ndjekur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë dhe se është përgjegjësi e të dyja palëve që të ndërmarrin hapa për shtensionimin e situatës.

“Siç e dini, ne i ndjekim me shumë vigjilencë tensionet mes Prishtinës dhe Beogadit. Franca e Gjermania kanë bërë një propozim udhërrëfyes, që mendoj se është i fortë dhe i mirë dhe presim të respektohet nga të dyja palët. Është përgjegjësi e Vuçiqit t’i dënojë prerazi sulmet e 24 shtatorit, sepse kontribuon në kthimin e qetësisë në kufi. Dhe, në etapat e ardhshme ajo që presim nga autoritetet, nga të dyja palët është e thjeshtë: Riorganizimi i zgjedhjeve në komunat e banuara me shumicë serbe, pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje e institucione, krijimi i asociacionit të komunave serbe nga autoritetet kosovare, kësaj radhe totalisht. Pres që Vuçiqi të jetë i përgjegjshëm dhe të njëjtën gjë pres edhe nga presidentja dhe kryeministri i Kosovës”, ka deklaruar Macron në Tiranë.

Ndërkaq, kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka thënë se shqiptarët në rajon janë në ditët e tyre më të mira, porse Kosova e ka futur në kurth, duke nënkuptuar Albin Kurtin.

“Folëm dje, në samit, me Kurtin dhe Bërnabiqin për situatën. Po sjell një fjalë të Mark Rutte, kryeministri i Holandës, kur iu drejtua të dyve. ‘Mos harroni kurrë se një kompromis më shumë se çfarë do të fitosh është çfarë nuk duhet të humbasësh’. Nëse bëjmë një llogari të gjërave për t’u humbur nga shqiptarët, është shumë më e madhe e me kosto më të lartë se llogaria e atyre që duam të fitojmë duke i marrë këto që kemi si të mirëqena që nuk i humbim”.

“Shqiptarët në rajon janë në ditët e tyre më të mira. Kosova është futur vetë në një kurth që ia ka bërë vetes. Do të ishte dramatike të humbiste të drejtën për të hyrë në BE”, ka thënë Rama.

Ai ka rikujtuar shembullin që i kishte thënë ish-presidenti amerikan, Bill Clinton kur ishte për vizitë në Shqipëri.

“Thuaju miqve të mi në Prishtinë se si i ndodhi Palestinës (ende pa nisur sulmet). Arafat kishte në tryezë marrëveshjen më të mirë të mundshme, Izraeli tha se do ta firmosë, të nesërmen ndërroi mendje. Palestina është shkatërruar jo nga Izraeli, por nga klasa e vet politike. E mira e madhe e Kosovës është ta firmosë dhe ekzekutojë gjithë marrëveshjen edhe sikur Serbia të mos e dojë kurrë, pastaj t’ia lërë në dorë BE-së”, ka rikujtuar Rama, fjalët e ish-presidentit amerikan Bill Klinton.

Nga Prishtina ka reaguar sot presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e cila këmbëngul se nuk ka dialog pa u dënuar më parë Serbia për aktin terrorist. Një ditë më parë ishte Albin Kurti që nga Tirana sulmoi kryeministrin Rama për “tokën e askujt” , i cili ka thënë për veriun e Kosovës në një media ndërkombëtare. Kurti theksoi se nuk ka tokë të askujt në veri, duke nënkuptuar kryeministrin Rama, por ajo është tokë e Kosovës.

Me tej Albin Kurti theksoi me vendosmëri se nuk duhet KFORI , siç dëshiron Edi Rama, por është policia e Kosovës me trupat e NATO-së që kontrollojnë kufirin mes Serbisë dhe Kosovës.

Nga ky moment dy kryeministrat shqiptarë janë në konflikt me njeri tjetrin për cështjen e veriut të Kosovës.

Sherrin mes tyre e gëzon Presidenti serb Vuçiç, i cili nuk erdhi në Samitin e Berlinit në Tiranë, por shkoi në Kinë atje ku ndodhet edhe presidenti rus , Putin.

Albin Kurti dhe Edi Rama nuk po flasin me njeri tjetrin e kjo është turp për të dy!

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit