
Kompania shqiptare “Kayo” dhe “Ficanteri”, një nga kompanitë më të mëdha të ekselencës në Europë firmosën sot marrëveshjen për të prodhuar në Shqipëri në kantierin e Pashalimanit anije lundruese në dobi të ushtrisë shqiptare, por dhe të vendeve aleate.
Në ceremoninë e organizuar për nënshkrimin e kësaj marrëveshje ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, etj.
Në fjalën e tij, ministri Nufi tha se “me këtë marrëveshje shoqëria “Kayo” fillon një hap të ri, prodhimin në Shqipëri të mjeteve lundruese detare në bashkëpunim me një nga gjigandët e prodhimit të anijeve në botë kompaninë “Ficantieri”.
“Kjo marrëveshje është një vlerë e shtuar jo vetëm për Shqipërinë, por dhe për eksportin, do arrijmë të prodhojmë edhe për nevojat e Europës, por edhe të eksportit.
Nga ky bashkëpunim ka disa vlera strategjike, Shqipëria arrin të bëhet një bazë e re europiane e kompanisë “Ficanteiri” për anijet e vogla dhe të mesme. Kompania italiane zgjeron bashkëpunimin në Shqipëri dhe shoqëria “Kayo” pozicionohet si një partner i besueshëm industrial.
Ficantieri do të sjellë edhe punë dhe në planin e biznesit që kemi nënshkruar, rreth 400 persona do të punësohen në këtë kantier të ri. Do të ketë rritje të kapaciteteve vendase prodhuese dhe humane”, tha Nufi.
