
Interi do të zbresë në fushë ndaj Cremoneses pa një nga lojtarët më vendimtarë të këtij fillim sezoni. Marcus Thuram, autor i 5 golave dhe 2 asistimeve në vetëm 7 ndeshje mes kampionatit dhe Champions League, do të mungojë për shkak të një problemi muskulor.
Klubi zikaltër ka vendosur të mos rrezikojë, duke ndjekur parimin e “zero rreziqeve”. Rikthimi i tij kundër Romës duket i pamundur. Në mungesë të francezit, trajneri Cristian Chivu është gati t’i besojë Pio Espositos ose Bonnyt, dy sulmues që kanë bindur më shumë se paraardhësit Correa e Arnautovic.
Në krahun tjetër, Lautaro Martinez është në super formë pas paraqitjes së shkëlqyer kundër Slavia Pragës dhe do të udhëheqë repartin ofensiv. Ndërkohë, në mesfushë pritet rikthimi i Nicolo Barellas, me Mkhitaryan që mund të marrë vendin e Sucic. Dimarco mund të marrë pushim, ndërsa Sommer mbetet i padiskutueshëm në portë.
