Home Bota Fillojnë mano...

Fillojnë manovrat e Kinës në Tajvan

557
0

Forcat kineze kanë nisur stërvitjet ushtarake në shkallë të gjërë afër Tajvanit. Pekini po reagon ndaj vizitës së politikanes së lartë amerikane Nancy Pelosi në Tajvan. Vendet e G7 i bënë thirrje Kinës të jetë e matur.

Gjashtë zona rreth Tajvanit janë përzgjedhur për “stërvitjen luftarake” kineze, ndërsa “anijet dhe avionët” duhet të shmangin ujërat e prekura dhe hapësirën ajrore përkatëse, njoftoi transmetuesi televiziv shtetëror i Kinës CCTV. Manovrat në ujërat rreth shtetit ishull duhet të zgjasin deri të dielën në mesditë. Sipas mediave shtetërore kineze, gjatë ushtrimeve do të pëdoret edhe municion i vërtetë. Do të stërvitet edhe një pushtim i mundshëm i Tajvanit.

Komanda ushtarake lindore e Armatës Çlirimtare Popullore njofton se janë shkrepur edhe raketa me rreze të gjatë në Ngushticën e Tajvanit, që ndan Tajvanin nga kontinenti, e raketa janë aktivizuar edhe në lindje të ishullit. Televizioni shtetëror raportoi se gjatë stërvitjes ka pasur “goditje precize”.

Forcat e armatosura janë afruar gjatë manovrave deri në 20 kilometra nga brigjet e Tajvanit. Gazeta shtetërore kineze “Global Times” shkruan për stërvitje të “papara deri tani”. Raketat do të fluturojnë mbi Tajvan për herë të parë.

Manovrat konsiderohen si manifestimi më i madh i fuqisë që nga kriza e raketave të vitit 1995, kur Kina lëshoi ​​raketa mbi Tajvanin, për ta frikësuar atë ndërsa SHBA-ja dërgoi atje dy grupe aeroplanmbajtëse.

G7 i bën thirrje Kinës të tregohet e përmbajtur

Vendet kryesore të industrializuara të Perëndimit kanë kritikuar ashpër reagimin e Kinës ndaj vizitës së politikanes amerikane Nancy Pelosi në Tajvan. “Nuk ka asnjë justifikim për përdorimin e një vizite si pretekst për veprime agresive ushtarake në ngushticën e Tajvanit”, kumtuan ministrat e jashtëm të G7, duke i bërë thirrje Kinës të tregohet e përmbajtur në konfliktin e Tajvanit. Ata i bënë thirrje “Republikës Popullore të Kinës që të mos ndryshojë në mënyrë të njëanshme status quo-në në rajon me forcë”, thuhet në një deklaratë të përbashkët. Mosmarrëveshjet ekzistuese duhet të zgjidhen në mënyrë paqësore. Përveç Gjermanisë dhe SHBA-së, G7 përfshin edhe Kanadanë, Britaninë e Madhe, Francën, Italinë dhe Japoninë.

Politika e “një Kine unike”

“Është normale dhe e zakonshme që deputetët nga vendet tona të udhëtojnë në vendet e tjera”, thuhet në deklaratën e ministrave të jashtëm të G7, duke iu referuar vizitës së diskutueshme në Tajvan nga Pelosit, e cila është kryetare e  Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA. “Përgjigja e përshkallëzuar nga Republika Popullore e Kinës rrezikon përshkallëzimin e tensioneve dhe destabilizimin e rajonit”.

Komisioni i BE-së deklaroi se tensionet duhet të zgjidhen përmes dialogut. BE i qëndron parimit të “politikës së një Kine” dhe njeh udhëheqjen në Pekin si qeverinë e vetme legjitime të Kinës, por dëshiron të ruajë edhe status quo-në në ngushticën e Tajvanit.

Qeveria amerikane nënvizon se politika e SHBA-së ndaj Kinës nuk ka ndryshuar. Nuk ka asnjë arsye pse vizita duhet të shkaktojë një krizë apo konflikt, tha zëdhënësi i Zyrës së Sigurisë Kombëtare të Presidentit të SHBA, John Kirby.

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock ka bërë thirrje për de-përshkallëzimin e konfliktit. Sa i përket vizitës së Pelosit në Taipei, ajo tha gjatë vizitës në Kanada: “Vizitat si kjo që po shohim aktualisht nuk duhet të përdoren si justifikim për gjeste kërcënuese ushtarake”.

Baerbock konfirmoi se Gjermania po i përmbahet “Politikës së saj të një Kine”. Kjo do të thotë se Gjermania e njeh Republikën Popullore të Kinës si shtetin e vetëm sovran kinez. Në kuadër të kësaj politike, Gjermania ruan marrëdhënie të ngushta edhe me Tajvanin, i cili, si një demokraci e vendosur mirë me standarde të larta të të drejtave të njeriut, është “një partner i rëndësishëm vlerash” për Gjermaninë, tha ministrja e Jashtme.

Strack-Zimmermann: “Edhe unë do të udhëtoja në Tajvan”

Kryetarja e Komisionit të Mbrojtjes në Bundestag, Marie-Agnes Strack-Zimmermann, deklaroi në një intervistë për DW se reagimet e Kinës ndaj vizitës së politikanes amerikane Nancy Pelosi në Tajvan duhet të shihen “objektivisht, me maturi, por me qetësi”. “Ekziston politika e një Kine, domethënë respekti që Tajvani i përket Kinës, por ai ka një sistem tjetër.

Kjo është e pandryshuar, ndaj sjellja luftarake e kinezëve është krejtësisht e tepërt dhe në fakt tregon vetëm pasiguritë në Kinë, tha politikanja e FDP. “Ne nuk duhet ta lejojmë veten të frikësohemi. Nuk mund të ndodhë që askush të mos udhëtojë në Tajvan, sepse kinezët më pas e theksojnë këtë së tepërmi.” Strack-Zimmermann konfirmoi për Deutsche Welle se edhe ajo do të udhëtonte në Tajvan.

Pelosi udhëtoi në Tajvan të martën për një vizitë të diskutueshme. Politikanja nga Partia Demokratike e Presidentit Joe Biden është përfaqësuesja më e lartë e SHBA-së që ka qenë në republikën e qeverisur në mënyrë demokratike për 25 vjet. Pekini e sheh Tajvanin demokratik si pjesë të Republikës Popullore të Kinës dhe për këtë arsye refuzon rreptësisht kontaktet zyrtare nga vendet e tjera në Taipei.

Shtohen tensionet edhe me Korenë e Veriut

Politikanja e lartë amerikane më pas fluturoi për në Korenë e Jugut në udhëtimin e saj në Azi. Atje është biseduar për rritjen e tensioneve mes Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut. Në një deklaratë të përbashkët, Pelosi dhe Kryetari i Parlamentit të Koresë së Jugut Kim Jin Pyo thanë se kërcënimet nga Koreja e Veriut janë shqetësuese. Udhëheqja komuniste e vendit testoi përsëri këtë vit për herë të parë raketa me aftësi bërthamore, duke shkelur kështu rezolutat e Kombeve të Bashkuar

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit