Dashnor Kaloçi dhe Besim Ndregjoni, sjellin premierën e filmit dokumentar “Spaç 1973, martirët e lirisë”

Plot 52 vjet më parë, më 21 maj të vitit 1973, në kampin burg të Spaçit në rrethin e Mirditës, ku vuanin dënimet një numër shumë i madh të burgosurish politik, ndodhi një revoltë antikomuniste, ku për tre ditë me rradhë, (21-23 maj) organizatorët dhe pjestarët e asaj revoltë masive, pasi kishin ngritur flamurin kombëtar pa yllin e kuqsimbol të komunizmit dhe kishin hartuar një peticion të karakterit politik me disa pika, ku kërkonin të drejtat dhe liritë për vete dhe për të gjithë popullin shqiptar, u përleshën me forcat e policisë dhe atyre të ushtrisë që kishin ardhur në përforcim nga Tirana, Shkodra, Mati, Puka, Kruja, etj. Ashtu siç dihet tashmë, ajo revoltë u shtyp me dhunë dhe forcën e armëve e tankeve, ku si rezultat, katër të burgosur(Pal Zefi, Hajri Pashaj, Dervish Bejko dhe Skënder Daja),u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim vetëm disa ditë mëpas, kurse rreth 100 të dënuar të tjerë, dolën para gjyqeve të improvizuara dhe u ridënuan me vite të gjata burgu.
Kjo ngjarje tashmë mjaft e njohur (kryesisht pas viteve ’90-të), e cila në atë kohë tronditi nga themelet regjimin diktatorial të Enver Hoxhës dhe shkaktoj panik te udhëheqja e lartë komuniste në Tiranë, u rihap këto ditë dhe ka marrë një vëmendje të madhe mediatike, jo vetëm për shkak të përvjetorit të saj, (21-23 Maj), por më shumë prej një projekti të pjesshëm restaurues për burgun e Spaçit, që ka ndërmarrë Ministria e Kulturës, Inovacionit dhe Ekonomisë, nën drejtimin e ministrit Blendi Gonxhe, e gjithashtu të një projekti për realizimin e një filmi artistik, nga regjisori i njohur Namik Ajazi, me skenar të poetit dhe shkrimtarit të njohur, Visar Zhiti, të dy ish-të burgosur politik. Ndërsa projekti në fjalë i Ministrisë së Kulturës u kontestua me forcë të madhe nga shumë aktivistë, ish-të përndjekur dhe burgosur politikë, shoqatat e tyre, si dhe mjaft politikanë të spektrit të djathtë, etj., gjë e cila çoi në ndërprerjen e punimeve resturuese, debati mediatik që u ngrit për atë projekt, midis ministrisë në fjalë dhe grupeve të interesit, vazhdon ende, madje akoma dhe më i nxehtë.
Pikërisht në këtë kohë të kësaj sherrnaje dhe zallamahie të madhe dhe “temperaturash” të larta të këtij qershori, ku janë përfshirë një numër i madh aktivistësh, gazetarësh, politikanësh dhe ish-të përndjekurish politikë, të cilët kanë marrë vëmendjen dhe kanë “zaptuar” ekranet e studiot e mediave kryesore të vendit, vjen premiera e filmit-dokumentar “Spaç 1973, martirët e lirisë”, projekt ky i realizuar me mbështetjen e Fonadacionit Konrad Adenauer dhe gjithashtu të Unionit Mbarëkombëtar të ish-të Përndjekurve dhe Burgosurve Politikë, të kryesuar nga Dr. Besim Ndregjoni.
Sipas z. Ndregjoni, drejtuesit të projektit në fjalë, i cili në këto tre dekada e gjysmë është një nga emrat më të njohur e më të spikatur në mbrojtje të kauzës së shtresës së ish-të përndjekurve dhe burgosurve politik nga regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, për intergrimin e tyre në jetën e vendit (dhe kandidatura kryesore për detyrën e Avokatit të Popullit, që pritet të miratohet në Parlament), ky film-dokumentar, është një nga më të plotët dhe më të arrirët që mund të jetë realizuar deri më tani, pasi aty ai ka angazhuar disa nga emrat më të njohur të fushave përkatëse, me të cilët ka bashkëpunuar ngushtëprej gati një viti, që kur mori mbështetjen financiare të Fondacionit gjerman Konrad Adenauer, i cili e ka mbështetur atë edhe në shumë projekte të tjera të kësaj natyre.
Sipas z. Ndregjoni, në këtë projekt që ai e konsideron nga më ambiciozët e tij në këto tre dekada e gjysmë pas rrëzimit të regjimit komunist, skenarin e filmit-dokumentar, ai ja ka besuar gazetarit të njohur Dashnor Kaloçi, studiues i arkivave të periudhës së komunizmit dhe jo vetëm, autor i disa librave (kryesisht për shkrimtarin e njohur Ismail Kadare), që kanë pasur jehonë të madhe në vend, duke u ribotuar disa herë, etj., i konsideruar si një nga themeluesit e rubrikës historike dosier në median shqiptare që nga viti 1991. Veç këtyre, z. Ndregjoni na kujton se;arsyeja kryesore që ai ja ka besuar skenarin gazetarit dhe studiuesit Kaloçi, që prej vitesh drejton median online Memorie.al, ështëfakti se ai (Dashnor Kaloçi), është autor i mbi 40 e sa filmave-dokumentarë, si skenarist dhe realizues, të gjitha me temën e krimeve të komunizmit, nga ku rreth 20 prej tyre (cikli “Përballje me të kaluarën”, ai ka realizuar në Radio-Televizionin Shqiptar, sipas një projekti të mbështetur nga Prezenca e Zyrës së OSBE-së në Tiranë dhe ambasada gjermane, filma-dokumentarë të cilët vazhdojnë të transmetohen ende çdo javë prej më shumë se shtatë vitesh, në kanalet kryesore të Radio-Televizionin Shqiptar. Po kështu, z. Kaloçi ka realizuar edhe po kaq dokumentarë të tjerë në televizionin kombëtar Top-Channel, (cikli me titull “Black History” në Top- News), si dhe në disa televizone të tjera ku ai punuar në këto 35 vite dhe ka drejtuar vetë si moderator emisione televizive (“Dossier” te News24, “Memorie” të Tv Scan), apo Tv Klan, Agon Channel, etj.
Sipas z. Besim Ndregjoni, regjizor montazhi i filmit-dokumentar “Spaç 1973, martirët e lirisë”, është z. Gjergj Pano, prej vitesh me punë në Radio-Televizionin Shqiptar, (i diplomuar në Bukuresht të Rumanisë), i cili është konsideruar si një nga mjeshtrit e montazhit, pasi është autor i dhjetëra e dhjetëra filmave dokumentarë e që gjithashtu ka punuar dhe bashkëpunuar ngushtë në disa projekte me gazetarin Dashnor Kaloçi. Narrator i filmit dokumentar në fjalë, është z. Genc Ymeraj, një nga emrat më të njohur gjithashtu të mikrofonit shqiptar, që me zërin e diksionin e tij karakteristik (i njohur lehtë prej teleshikueseve), ka qenë gjithmonë nga më të kërkuarit pas viteve ’90-të, në pjesën më të madhe të filmave dokumentarë që janë realizuar në Radio-Televizionin Shqiptar dhe jo vetëm.
Sipas z. Ndregjoni, në funksion të projektit të tij, ai dhe bashkërealizuesi i filmit-dokumentar, Dashnor Kaloçi, kanë tentuar ta rindërtojnë ngjarjen e majit të vitit 1973, duke u fokusuar fillimisht në dëshmitë e ish-protagonistëve të asaj ngjarje, (me dëshmitë dhe rrëfimet e tyre para kamerave të ekipit realizues), si dhe dokumenteve të ndryshme arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, ai i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Autoriteti për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit, pamje filmike nga arkiva e ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”, etj., si dhe foto të ndryshme të siguruara nga familjarët apo arkivat e shtetit shqiptar.
Nisur nga kjo – shprehet z. Ndregjoni – ja kemi arritur të kontaktojmë dhe të intervistojmë protagonistët kryesorë të asaj ngjarje të largët dhe organizatorët kryesorë të revoltës, ish-të dënuarit politik si: Gjok Zefi (nga fshati Rrushkull i Durrësit), Pavllo Popa dhe Xhavit Lohja (nga Shkodra dhe Malësisë së Madhe), Gjet Kadeli (me origjinë nga Mirdita dhe banim në Mamurras), Gëzim Çela (me banim në qytetin e Durrësit), Demir Pojani (nga qyteti i Elbasanit) Vaskë Orgocka, Ylber Merdani dhe Novruz Golka (nga qyteti i Korçës), Nuri Stefa (me origjinë nga Vlora dhe me banim në Tiranë) etj. Një nga dëshmitë e rralla në këtë film, është ajo e Pjetër Kokës, ish-komandantit të forcave të policisë së kampit të Spaçit në atë kohë, i njohur si një nga policët më të rreptë të historisë së atij burgu, i cili rrëfen para kamerave, pothuaj të gjithë ngjarjen dhe përleshjet e forcave që ai komandonte, me të dënuarit.
Tjetër dëshmi mjaft interesante është edhe ajo e znj.Engjëllushe Daja, e cila flet për dënimin e vëllait të saj, Skënder Daja, një nga katër të dënuarit me vdekje si organizator kryesorë i asaj revolte. Në dëshminë e saj znj.Daja rrëfen dhe për peripecitë e shumta të familjes së saj pas viteve ’90-të për gjetjen e eshtrave të Skënderit dhe tre shokëve të tij, të cilat edhe sot e kësaj dite ende nuk janë gjetur. Në këtë kuadër është dhe dëshmia e Gjok Zefit, ish-i burgosur politik, i cili bashkë me vëllanë e tij, Palin, refuzuan të dilnin në punë dhe ndezën shkëndijën e parë të asaj revolte, e cila për tre ditë me radhë do të shkaktonte panik të madh tek udhëheqja e lartë komuniste e Tiranës. Sa më sipër, krahas këtyre në dokumentarin në fjalë, kanë dhënë dëshmitë e opinionet e tyre para kamerave, edhe persona të tjerë, si; Imzot Anxhelo Masafra, Ipeshkv i Pultit dhe i Shkodrës, z. Luigj Milaj, kryetar i Shoqatës së Muzeut të Spaçit, studiuesja dhe historiania e njohur Prof. Dr. Enriketa Papa.
Të gjithë të sipërpërmëndurit me dëshmitë e tyre para kamerave, sjellin në kohë atë ngjarje, duke e rindërtuar atë në mënyrë kronologjike ashtu siç ka ndodhur në atë kohë. Si p.sh: si dhe pse nisi shkëndija e parë e protestës nga i burgosuri Pal Zefi, që refuzoi të dilte në punë, marrja e tij me forcë nga policët e burgut, ndërhyrja e bashkëvuajtësve të tij me në krye Pavllo Popën dhe Dashnor Kazazin, që ia rrëmbyen atë nga duart dhe goditja që iu bë operativit të kampit, Fejzi Liço, zgjerimi i revoltës me të dënuarit e tjerë, dhënia e alarmit dhe dalja e forcave të policisë jashtë ambienteve të kampit, ardhja e zv.ministrit të Brendshëm Feçor Shehut dhe ushtarakëve të tjerë të lartë që e shoqëronin, tentative e tij për negociata me krerët kryesorë të revoltës që kishin hartuar me shkrim kërkesat e karakterit politik, rrethimi i kampit të Spaçit nga forcat ushtarake policore të ardhura nga rrethet fqinjë me Mirditën (Shkodra, Puka, Mati, Kruja) dhe Tirana, ngritja e flamurit pa yll në ndërtesën më të lartë të kampit, ndërhyrja e forcave sampiste dhe përleshja me të dënuarit, e deri tek arrestimi, hetuesia dhe gjyqi i improvizuar i krerëve të asaj revolte në Tiranë dhe qytetin e Rrëshenit.
Realizimi i intervistave është bërë nga dy gazetarët e njohur, Iv Kaloçi dhe Suela Musta, të cilët sipas skenarit të parapërgatiur më parë nga autori Dashnor Kaloçi, me ekipin realizues kanë udhëtuar në disa rrethe të vendit, nga Jugu në Veri, (Shkodër, Rrëshen, Spaç, Mamurras, Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, etj.), duke bërë xhirime dhe duke intervistuar, ish-të përndjekurit politikë, pjesëtarë të revoltës antikomuniste të vitit 1973 në kampin e Spaçit, apo dhe persona të tjerë që kanë dhënë dëshmitë e tyre për atë ngjarje. Sipas z. Ndregjoni, në realizimin e këtij filmi dokumentar, që nga fillimi e deri në post-produksion, janë angazhuar edhe një staf i madh njerëzish, ku gjithsecili ka rolin e tij të pazëvendësueshëm dhe ai gjen rastin që nëpërmjet medias “Koha Jonë”, t’i falënderoj të gjitha ata për kontributin e tyre dhe punën e palodhur që ata kanë bërë.
Filmi dokumentar “Spaç 1973, martirët e lirisë”, do jepet premierë nesër, e martë 17 qershor 2025, ora 11.00 në Kinema “Millenium”, në Tiranë, ku sipas z. Ndregjoni, kanë konfirmuar pjesëmarrjen dhe do jenë të pranishëm një numër i madh të ftuarish, si; gazetarë, analistë, publicist, shkrimtarë, drejtues mediash dhe emisionesh televizive, ish-të përndjekur dhe persekutuar politikë, pjesëtarë të revoltës së Spaçit dhe familjarë të tyre dhe gjithashtu të katër të pushkatuarve të asaj revolte, student, deputetë, politikanë, ministra, etj.
Duke falënderuar z. Ndregjoni, për kohën që na kushtoi dhe ato informacione që ndau ekskluzivisht për “Koha Jonë”, lidhur me projektin e tij ambicioz që do finalizohet nesër (e martë 17 qershor 2025, ora 11.00 në Kinema “Milenium”), në emër të stafit të “Koha Jonë”, i urojmë suksese në premierën e filmit-dokumentar “Spaç 1973, martirët e lirisë”, dhe gjithashtu në projekte të tjera të tij të kësaj natyre.
Momente nga xhirimi i filmit