Ekrem Spahiu: Qeverisja vendore në Mbretërinë Shqiptare, model funksional edhe për sot!

Nga Ekrem Spahiu

Shqipëria po kryen reformën e katërt territoriale në 36 vitet e demokracisë. Kundrejt kësaj manie politike, lind një pyetje legjitime: kujt i ka shërbyer deri tani dhe kujt do t’i shërbeje reforma e re? Reforma e vitit 2014 kaloi nga 373 njësi vendore në 61 bashki! Opozita nuk mori pjesë fare në atë reformë, çka i la dorë të lirë partisë në pushtet (PS) të krijonte bashki të personalizuara!

Tani, pas rreth 12 vitesh në zbatimin e saj, po diskutohet një hartë e re, ku PS kërkon 46 bashki dhe PD 100! Duket qartë se, Reforma Territoriale, edhe këtë herë do t’i nënshtrohet përllogaritjeve politike: zgjedhjet vendore të vitit 2027 do të zhvillohen me organizimin e ri territorial dhe partia socialiste po insiston që ta bëje e vetme këtë ligj, duke vazhduar që edhe harta e re administrative të jetë një hartë elektorale në dobi të PS dhe jo të qytetarëve!

Swiss Digital Desktop Reklama

Reforma territoriale është e zakonshme në Europë, por ajo na jep një mësim shumë të rëndësishëm: reforma territoriale duhet të jetë pjesë e një arkitekture afatgjatë të shtetit, jo thjesht ndryshim i numrit të bashkive. Ndërsa Shqipëria krijon problem pikërisht me numrin dhe përfitimet elektorale partiake që rrjedhin nga numri, jo nga funksionaliteti.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ndërkohë që PS dhe PD kanë ofruar draftet e tyre për Reformën e re Territoriale, Shqipëria e ka patur një model të qeverisjes vendore, të provuar për funksionalitetin e vet: atë të periudhës së Mbretërisë Shqiptare, ku pushteti vendor ishte hartuar dhe organizuar nga ekspertët më të mirë ndërkombëtarë, orientuar nga modelet me fizionomi perëndimore dhe përshtatur me kushtet e Shqipërisë.

Gjatë Mbretërisë Shqiptare (1928–1939), me interesimin dhe nën drejtimin e Mbretit Zog, u hodhën hapa të rëndësishëm për krijimin e një administrate moderne perëndimore dhe, në këtë kuadër, edhe për administrimin e interesave lokale. Hierarkia e administratës vendore shkonte në linjën: Qeveria qendrore → Prefektura → Nënprefektura → Bashkia/Komuna → Fshati. Prefektura ishte njësia kryesore territoriale. Vendi u nda në 10 prefektura. Në krye të Prefekturës qëndronte Prefekti, i cili ishte përfaqësuesi i qeverisë në territor. Ai kishte kompetenca të rëndësishme administrative dhe ekzekutive. Nuk zgjidhej nga populli, por ishte pjesë e administratës shtetërore dhe emërohej nga pushteti qendror.

Prefekturat ndaheshin në nënprefektura. Numri i tyre është ndryshuar vetëm një herë: në vitin 1927 vendi u nda në 39 nënprefektura, ndërsa në vitin 1934 u shkurtuan në 30 nënprefektura. Në krye të nënprefekturës qëndronte nënprefekti, i cili ishte gjithashtu pjesë e administratës shtetërore dhe jo funksionar i zgjedhur drejtpërdrejt nga populli.

Ndarja territoriale e prefekturave dhe nënprefekturave ishte si vijon:

Prefektura Berat kishte nënprefekturat Berat, Fier, Lushnjë, Mallakastër, Skrapar

Prefektura Dibër kishte nënprefekturat Dibër, Mat, Zerqan

Prefektura Durrës kishte nënprefekturat Durrës, Kavajë, Krujë, Shijak

Prefektura Elbasan kishte nënprefekturat Elbasan, Gramsh, Peqin

Prefektura Gjirokastër kishte nënprefekturat Çamëri, Delvinë, Gjirokastër, Kurvelesh, Libohovë, Përmet, Tepelenë.

Prefektura Korçë kishte nënprefekturat Bilisht, Kolonjë, Korçë, Leskovik, Pogradec

Prefektura Kosovë (Kukës) kishte nënprefekturat Kosovë-Kukës, Lumë, Tropojë/Malësi e Gjakovës.

Prefektura Shkodër kishte nënprefekturat Dukagjin, Lezhë, Malësi e Madhe, Mirditë, Pukë, Shkodër

Prefektura Vlorë kishte nënprefekturat Himarë, Vlorë

Prefektura Tiranë nuk kishte nënprefekturë.

Ndërsa lidhur me bashkitë, sipas kuadrit të atëhershëm, ato ngriheshin në qytete ose qendra banimi me një numër të caktuar familjesh dhe kishin një organizim më të veçantë. Bashkitë ngarkoheshin me çështjet urbane dhe shërbimet lokale. Ligji për bashkitë i vitit 1927 vazhdoi të ishte në fuqi deri në vitin 1934, kur u miratua një ligj i ri për bashkitë. Ligji i ri krijoi një organizim më të plotë të qeverisjes urbane. Bashkia trajtohej si person juridik dhe kishte Asamblenë e Bashkisë, Këshillin, Kryetarin e Bashkisë, administratën dhe kompetenca të caktuara financiare. Ky ligj ishte një hap i rëndësishëm drejt vetëqeverisjes vendore dhe decentralizimit fiskal.

Në nivel qytetesh, pra bashkish, kishte një element më të dukshëm të vetëqeverisjes: kryetari dhe këshilli bashkiak ishin të zgjedhur dhe kishin rol në administrimin e qytetit. Kjo krijonte një kombinim të centralizimit shtetëror dhe autonomisë vendore.

Në zonat rurale ngriheshin dhe funksiononin komunat, të cilat përfshinin disa fshatra. Në vitin 1934 Shqipëria kishte gjithësejt 160 komuna dhe 2351 fshatra.

Në ndarjen territoriale të nënprefekturave dhe të bashkive kishte një dallim të rëndësishëm: nënprefektura nuk ishte e njëjtë me bashkinë. Në qytete ngrihej edhe bashki, edhe nënprefekturë. Por, ndërsa bashkia ishte institucion i zgjedhur, nënprefektura ishte hallkë e administratës shtetërore.

Nga verifikimi i burimeve historike dhe juridike, Zogu nuk u bazua mekanikisht në modelin e një shteti të vetëm. Reforma administrative nisi përpara shpalljes së Mbretërisë, gjatë periudhës së Republikës së Zogut (1925 – 1928). Ligji për prefekturat dhe nënprefekturat i 23 majit 1928 ishte një nga aktet kryesore të kësaj faze.

Pas Statutit Themeltar të vitit 1928, administrata u ndërtua mbi një model të centralizuar europian, me prefekturën si njësia kryesore administrative; nënprefekturat si nivel i ndërmjetëm; bashkitë për qendrat urbane; komunat për zonat rurale. Për këtë ai u mbështet në modele europiane të administrimit, duke marrë si referencë kryesisht traditën administrative kontinentale europiane, veçanërisht atë franceze dhe italiane, por ndërtoi një sistem shqiptar dhe jo një kopje të pastër të ndonjë shteti.

Për ta bërë sa më funksionale këtë hallkë të shtetit, Zogu ftoi dhe angazhoi këshilltarë ekspertë të çertifikuar europianë: italianë, austriakë, francezë, holandezë, etj. Ata punuan për disa vite me administratën e Zogut, për përzgjedhjen e modelit administrativ të shteteve perendimore, duke e përshtatur me kushtet e Shqipërisë.

Bazuar në këtë përvojë nga ekspertët e huaj, ishin juristët dhe administrata shqiptare që ndërtuan kuadrin ligjor, duke marrë si referencë praktikat dhe legjislacionin perëndimor. Linja e punës ishte shumë e qartë: Mbreti → Ministri i Punëve të Brendshme → juristët shqiptarë të ministrisë → komisioni hartues → ekspertët e huaj të konsultuar → modeli italian/francez → Ligji i 1928 → Ligji i Bashkive 1934.

Përmes këtij modeli të qeverisjes vendore, qytetari i atëhershëm ndjehej i dinjitetshëm, i vlerësuar dhe i mbështetur nga shteti.

Po sot, si do të ndjehet qytetari me Reformën e re Territoriale, të pretenduar se do ta kalojë qeverisjen vendore nga copëzimi në konsolidim dhe nga konsolidimi drejt funksionalitetit? Nuk kemi shikuar asnjë vlerësim dhe asnjë analizë të dokumentuar statistikore se çfarë funksionoi mirë dhe çfarë funksionoi keq nga skema e deritanishme; nuk kemi shikuar asnjë konsulencë nga ekspertë të vendit dhe të huaj, përveçse takime bashkiakësh të partisë në pushtet, ku më së shumti shfryhen nerva e inate, se sa bëhen analiza; nuk kemi shikuar asnjë konsultë masive me qytetarin – atë që do të preket drejtpërdrejt nga kjo reformë.

Kështu, Reforma e re Territoriale, në vend që të marrë modelin dhe përvojën e suksesëshme kombëtare të qeverisjes vendore të aplikuar nga Mbretëria Shqiptare, duket se do të vazhdojë t’u shërbejë përllogaritjeve politike, duke e larguar akoma më shumë qytetarin nga qeverisja.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?

Ke arritur limitin e votimit.

Results

Po 3491 (72.1%)
Jo 1351 (27.9%)

Vota totale: 4842