Kardiokirurgjia, një shekull që ndryshoi historinë e zemrës

Nga Sajmir Kadiu 

Nga rrëfimi i Prof. Petrit Gaçes te gjigantët që mposhtën të pamundurën

Më shumë se tre dekada më parë pata fatin të dëgjoja nga Prof. Petrit Gaçe një histori që më ka mbetur e gjallë në kujtesë. Ishte një episod i shkurtër, por me një domethënie të madhe, jo vetëm për historinë e kardiokirurgjisë shqiptare, por edhe për mënyrën se si bota e shihte Shqipërinë në atë kohë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ngjarja kishte ndodhur në Romë, gjatë një kongresi ndërkombëtar të kardiokirurgjisë. Në mbrëmjen gala, rastësia e uli profesorin shqiptar në të njëjtën tavolinë me një nga emrat më të mëdhenj të mjekësisë moderne – kirurgun legjendar të Afrikës së Jugut, Christiaan Barnard, njeriun që kishte kryer transplantin e parë të suksesshëm të zemrës në historinë e njerëzimit.

Swiss Digital Mobile Reklama

Barnard e pa me buzëqeshje kolegun e panjohur dhe e pyeti:

— Nga jeni, doktor?

— Nga Shqipëria, – u përgjigj Prof. Gaçe.

Barnard u habit.

— Shqipëria ka kardiokirurgji?

— Po, ka, – iu përgjigj menjëherë profesori ynë.

Barnard buzëqeshi përsëri dhe shtoi me humor:

— Nuk e dija që Shqipëria ishte një vend kaq i zhvilluar…

Mbase ishte një batutë, mbase një habi e sinqertë. Por në të vërtetë ajo tregonte se sa pak njihej Shqipëria në botën shkencore të asaj kohe dhe njëkohësisht sa i madh ishte respekti që fitonin mjekët shqiptarë kur paraqisnin punën e tyre në arenën ndërkombëtare.

Kjo histori është një pikënisje ideale për të rrëfyer historinë e një prej disiplinave më të jashtëzakonshme të mjekësisë moderne: kardiokirurgjisë.

Nëse shekulli XX do të quhej shekulli i antibiotikëve dhe i vaksinave, ai mund të quhet me të njëjtën të drejtë edhe shekulli i zemrës. Asnjë organ tjetër nuk ka përfituar kaq shumë nga zhvillimi i kirurgjisë moderne sa zemra, e cila për mijëra vjet konsiderohej e paprekshme. Mjekët e lashtësisë besonin se prekja kirurgjikale e zemrës ishte e barabartë me vdekjen e sigurt të pacientit.

Në fund të shekullit XIX, kirurgu i madh Theodor Billroth deklaronte se “kirurgu që përpiqet të qepë zemrën do të humbasë respektin e kolegëve të tij”. Historia do ta përgënjeshtronte shumë shpejt.

Vetëm pak vite më vonë, në vitin 1896, kirurgu gjerman Ludwig Rehn realizoi me sukses qepjen e parë të një plage në zemër. Ishte një moment historik që hapi një epokë të re.

Pas Luftës së Dytë Botërore zhvillimet morën një ritëm marramendës. Në vitin 1953, John Gibbon ndërtoi dhe përdori për herë të parë aparatin zemër-mushkëri, duke bërë të mundur operacionet me zemër të hapur. Ky shpikje revolucionare ndryshoi përgjithmonë kirurgjinë kardiake.

Në vitet që pasuan dolën emra që do të hynin në historinë e mjekësisë: Alfred Blalock, i cili zhvilloi ndërhyrje për fëmijët me defekte kongjenitale; Michael DeBakey dhe Denton Cooley, pionierë të kirurgjisë së aortës dhe të zemrës artificiale; René Favaloro, i cili në vitin 1967 realizoi bypass-in aorto-koronar, një ndër operacionet më të kryera edhe sot në botë.

Po në vitin 1967 ndodhi ngjarja që tronditi planetin. Më 3 dhjetor, në Cape Town të Afrikës së Jugut, Christiaan Barnard kreu transplantin e parë të zemrës te njeriu. Pacienti Louis Washkansky jetoi vetëm 18 ditë, por mjekësia kishte kaluar një kufi që deri atëherë dukej i pakalueshëm. Pas këtij momenti, transplanti i zemrës u bë realitet dhe sot mijëra pacientë në mbarë botën jetojnë falë kësaj procedure.

Në një shekull, kardiokirurgjia kaloi nga pamundësia absolute te transplantet, zemrat artificiale, valvulat biologjike, kirurgjia robotike dhe ndërhyrjet minimale invazive. Çdo vit në botë kryhen mbi dy milionë operacione kardiake, ndërsa normat e suksesit në qendrat më të mira tejkalojnë 98–99 për qind për shumë procedura rutinë.

Kardiokirurgjia mbetet një nga disiplinat më të kushtueshme të mjekësisë. Një bypass koronar në Shtetet e Bashkuara mund të kushtojë nga 80 deri në mbi 200 mijë dollarë, ndërsa një transplant zemre, së bashku me kujdesin pas operacionit, shpesh kalon një milion dollarë. Në Evropë, falë sistemeve publike të shëndetësisë, kostot për pacientin janë zakonisht shumë më të ulëta, megjithëse kostoja reale e procedurave mbetet jashtëzakonisht e lartë.

Edhe formimi i një kardiokirurgu është ndër më të gjatat në mjekësi. Pas studimeve universitare, duhen vite specializimi në kirurgjinë e përgjithshme dhe më pas në kardiokirurgji. Në total, rruga drejt këtij profesioni zgjat shpesh 15–18 vjet. Në vendet më të zhvilluara, të ardhurat vjetore të kardiokirurgëve janë ndër më të lartat në sistemin shëndetësor, duke arritur nga rreth 500 mijë deri në mbi një milion dollarë në vit për specialistët me përvojë në qendrat kryesore.

Sot nuk ka një renditje të vetme botërore për kardiokirurgjinë, por ekziston një konsensus i gjerë mes specialistëve dhe renditjeve ndërkombëtare se disa qendra janë referencat absolute për kirurgjinë e zemrës, transplantet, kirurgjinë e aortës dhe ndërhyrjet komplekse.

1. Cleveland Clinic – Cleveland, Ohio, SHBA

Konsiderohet prej dekadash si një nga qendrat më të mira në botë për kardiokirurgjinë.

Mbi 5.000 operacione në zemër çdo vit.

Pioniere në kirurgjinë e valvulave, bypass-in koronar, kirurgjinë e aortës dhe ndërhyrjet minimalisht invazive.

Ka trajnuar qindra kardiokirurgë nga e gjithë bota.

2. Mayo Clinic – Rochester, Minnesota, SHBA

Një nga institucionet më prestigjioze në mjekësi.

E njohur për rezultatet e shkëlqyera në kirurgjinë komplekse të zemrës.

Lider në kërkimin shkencor dhe edukimin universitar.

Trajton rastet më të vështira nga e gjithë bota.

3. Texas Heart Institute – Houston, SHBA

Instituti i themeluar nga kirurgu legjendar Denton Cooley.

Një nga qendrat historike të transplantit të zemrës.

Pioniere në zemrat artificiale dhe pajisjet mekanike të qarkullimit.

4. Stanford Health Care – Kaliforni, SHBA

Një nga liderët botërorë në: transplantin e zemrës,
transplantin zemër–mushkëri, terapitë me asistencë ventrikulare (LVAD).

5. Johns Hopkins Hospital – Baltimore, SHBA

Qendër me reputacion të jashtëzakonshëm në:

kirurgjinë pediatrike të zemrës, kërkimin shkencor, formimin akademik.

6. Mount Sinai Hospital – SHBA

Veçohet për: kirurgjinë e valvulave, kirurgjinë e aortës,
procedurat hibride dhe robotike.

7. Royal Brompton Hospital – Mbretëria e Bashkuar

Një nga qendrat më të mira evropiane.

Referencë për kirurgjinë e zemrës tek të rriturit dhe fëmijët.

Bashkëpunon ngushtë me Imperial College London.

8. Deutsches Herzzentrum Berlin – Gjermani

Një nga spitalet më të avancuara të Evropës.

Transplante. Zemra artificiale. Kirurgjia e aortës.

9. Hôpital Européen Georges-Pompidou – Paris, Francë

E njohur për: kirurgjinë minimale invazive, kardiologjinë ndërhyrëse, kirurgjinë vaskulare.

10. National Heart Centre Singapore

Qendra më prestigjioze e Azisë Juglindore.

Transplante.Kirurgji robotike. Trajtim i sëmundjeve komplekse të zemrës.

Emrat legjendarë të kardiokirurgjisë

Christiaan Barnard – transplanti i parë i zemrës (1967).

Michael DeBakey – pionier i kirurgjisë së aortës.

Denton Cooley – zemra artificiale dhe transplanti.

René Favaloro – krijuesi i bypass-it aorto-koronar.

Alain Carpentier – revolucionarizoi kirurgjinë riparuese të valvulave.

Magdi Yacoub – një nga kirurgët më të mëdhenj të transplantit në Evropë.

Nëse në shekullin XX emra si Barnard, DeBakey, Cooley dhe Favaloro shkruan historinë e kardiokirurgjisë, sot stafet e Cleveland Clinic, Mayo Clinic, Stanford dhe qendrave të tjera të mëdha vazhdojnë ta shkruajnë atë çdo ditë. Këto institucione nuk janë thjesht spitale; ato janë laboratorë të inovacionit, universitete të gjalla dhe tempuj të shkencës, ku zemra njerëzore riparohet, zëvendësohet dhe, mbi të gjitha, i jepet një shans i ri jetës.

Kardiokirurgjia shqiptare është një nga historitë më të suksesshme të mjekësisë sonë. Ajo u ngrit në kushte jashtëzakonisht të vështira, me mungesë teknologjie dhe izolim ndërkombëtar, por falë vizionit të një grupi kirurgësh të udhëhequr nga Akademik Prof. Petrit Gaçe, arriti të kryejë ndërhyrje që në atë kohë realizoheshin vetëm në qendra të zhvilluara evropiane.

Fillimet e kardiokirurgjisë shqiptare

Bazat e kardiokirurgjisë u hodhën në fund të viteve 1950 dhe në fillim të viteve 1960, në Klinikën e Kirurgjisë pranë Spitalit Universitar në Tiranë. Fillimisht kryheshin ndërhyrje në zemër “të mbyllur”, si: komisurotomia mitrale për stenozën reumatizmale;
korrigjimi i disa defekteve të lindura të zemrës;
ndërhyrje në enët e mëdha të gjakut.

Këto ishin hapat e parë drejt krijimit të një shkolle shqiptare të kardiokirurgjisë.

Nëse historia e kardiokirurgjisë botërore lidhet me emra si Barnard, DeBakey apo Favaloro, historia shqiptare lidhet pazgjidhshmërisht me emrin e Akademik Prof. Petrit Gaçe (1927–1996).

I diplomuar në Institutin e Mjekësisë në Leningrad, ai u kthye në Shqipëri me një kulturë të gjerë kirurgjikale dhe me vizionin për të krijuar një specialitet që deri atëherë nuk ekzistonte në vend. Ai organizoi shërbimin, përgatiti ekipet multidisiplinare, formoi breza kirurgësh dhe realizoi për herë të parë në Shqipëri një gamë të gjerë operacionesh kardiake dhe vaskulare. Për këtë arsye njihet zyrtarisht si themeluesi i kirurgjisë kardiovaskulare shqiptare, ndërsa shërbimi i kardiokirurgjisë në QSUT mban emrin e tij.

Nën drejtimin e Prof. Gaçes u realizuan disa momente që shënuan historinë e mjekësisë shqiptare:

operacionet e para për stenozën mitrale;

korrigjimi kirurgjikal i defekteve kongjenitale të zemrës;

ndërhyrjet e para në aortë dhe enët e mëdha;

zëvendësimi i parë i valvulës së zemrës në vitin 1980;

operacionet e para të bypass-it aortokoronar në vitin 1985.

Këto ndërhyrje kërkonin jo vetëm aftësi kirurgjikale, por edhe zhvillimin paralel të kardiologjisë, anestezi-reanimacionit, laboratorëve, perfuzionit dhe diagnostikës moderne.

Merita më e madhe e Prof. Gaçes nuk ishte vetëm se operoi zemrën. Ai krijoi një shkollë.

Nga klinika e tij dolën shumë prej emrave që më pas drejtuan dhe zhvilluan kardiokirurgjinë shqiptare. Ndër figurat më të njohura përmenden:

Prof. Ali Refatllari, një nga pasuesit kryesorë dhe drejtues i shërbimit për shumë vite;

Prof. Arben Baboçi, i cili ka dhënë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin modern të kardiokirurgjisë shqiptare;

Prof. Veli Zogu, një nga figurat akademike dhe klinike të kësaj fushe;

Prof. Ajli Alushani, nje figure me shume kontribute

Prof. Edmond Kapedani, me rol në konsolidimin e kirurgjisë kardiovaskulare si njësi e veçantë;

Prof. Fedhon Meksi, pionier i kateterizimit kardiak dhe bashkëpunëtor i afërt i Prof. Gaçes në zhvillimin e diagnostikës moderne.

Sot Shërbimi i Kardiokirurgjisë në QSUT “Nënë Tereza” dhe ne Spitalin Universitar ” Shefqet Ndroqi” me nje staf te kualifikuar kardiokirurgesh si Prof. Altin Veshti, Prof. Edvin Prifti, Prof. Andi Kacani, Prof Albi Fagu, Prof.Sokol Xhepa etj. kryejne pothuajse të gjithë spektrin e ndërhyrjeve moderne: bypass koronar; zëvendësim dhe riparim valvulash; kirurgji të aortës; kirurgji të defekteve kongjenitale; kirurgji emergjente për diseksionin e aortës.

Në dekadat e fundit janë investuar teknologji moderne, është zgjeruar bashkëpunimi ndërkombëtar dhe janë formuar specialistë të rinj në qendrat më prestigjioze të Evropës dhe SHBA-së.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?