Pëllumb Muka, ushtaraku serioz i Gardës së Republikës!
(Në mirënjohje për ushtarakun serioz, energjik dhe operativ, të birit të Shkozës Pëllumb Medin Muka, që ka shërbyer plot dinjitet në radhët e Gardës së Republikës dhe në detyra të tjera shoqërore, në Nëndegën e Labërisë të Njësisë nr.tre në Tiranë, burrit që rrezaton mirësi njerëzore, rapsod dhe këngëtar i njohur i këngës labe duke mbajtur gjallë tabanin e kulturës labe kudo ku ka punuar e jetuar, deri përtej Atlantikut në SHBA dhe Kanada).
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
*
Krenara e shkoziotëve të Kudhës-Gërhotit nis nga njerëzit bujarë dhe fisnikë. Fshati Shkozë është vendlindja e Pëllumb Mukës. Shkoza shtrihet në lindje të rrethit të Vlorës, në krahinën e Kudhës-Gërhotit, në kufi me Tepelenën dhe Mallakastrën. Shkoza është porta hyrëse e krahinës në mënyrë të dyanshme, si nga Tepelena ashtu edhe nga Mallakastra, duke vijuar në luginën e Vjosës drejt Vlorës. Nuk ka bir e bijë të Labërisë që nuk krenohet me vendlindjen. Kjo është nostalgji dhe krenari, por edhe pse shteti dhe kombi fillojnë me vendlindjen, thotë Pëllumb Muka, i cili vjen nga një oxhak e vatër familjare e madhe e Mukajve të Shkozës.
Fshati Shkozë është i ndërtuar rrëzë një kodre, që është vijim i rrëzës së malit të Kudhësit “Tartar” ose “Mali i Bardhë” (1978 metra mbi nivelin e detit). Shkoza është ndërtuar në këmbë mali e përballë fushës dhe qëndron mbi kodrën e quajtur “Shullëri”. “Tartari”, si mal, në etimologjinë e fjalës lidhet me kalorësit që kryenin shërbimin postar në kohën e pushtimit osman, sikurse ka qenë edhe “Tartari i Sanxhakbeut”. Nuk është e rastit që edhe sot në Shkozë mbijeton një shprehje frazeologjike: “Tartari e merr vesh se ç’bëhet”, që nënkupton rrëmujën e madhe që bëhet, të cilën askush s’e shpjegon dot, veç majës së malit “Tartar”, që qëndron si kurorë mbi Kudhës-Gërhot. Veç të tjerash, sikurse shpjegon Pëllumb Muka, në majën “Tartar” dishepujt engjëllorë të bektashizmit ngritën një objekt kulti: “Kurorën” në majën “Tartar”, si vend i shenjtë ku prehet Baba Hamzai, i ardhur nga lufta e Qerbelasë. Bektashinjtë, dhe jo vetëm, këtë vend të shenjtë e quajnë objekt besimi mistik, edhe si vend për shërim psikologjik. Në kulturën popullore thuhet se në “Kurorën e malit”, gjatë Luftës së Parë Botërore, janë hapur transhe nga Italia dhe janë vendosur topat kundër trupave austriake, të cilët kishin pushtuar krahun e kundërt të Vjosës. Kur topçinjtë italianë provuan topat për të gjuajtur, “topat e tyre nuk shkrepnin, sepse ‘Kurora e malit’ nuk të lejon të bësh keq kundër qenieve njerëzore”.
Emri “Shkozë” rrjedh nga pema e shkozës, një dru pylli ose shkurre ushqyese për bagëtitë. Ndoshta edhe vendbanimi i parë mendohet të ketë qenë mes shkozishtes, që i dha edhe emrin fshatit. Por edhe legjenda e të moçmëve të fshatit thotë se në qendër, ku janë shtëpitë e “Karafilajve”, dikur ishte një pemë e madhe shkozë, nën hijen e së cilës thuhej se pushonin njëmijë dele, në këtë vend të mbrojtur nga erërat, edhe pse në luginën e Vjosës. Krijuesit fillestarë të fshatit i mbështetën shtëpitë me shpatulla drejt malit të Kudhësit, ndërsa lartësia e fshatit Shkozë është 90 m mbi nivelin e detit. Shkoza kufizohet me lumin Vjosë, ku mendohet se ka pasur edhe vendbanim të hershëm ilir.
Më tej, në jugperëndim është Mazhari; në lindje Vjosa dhe fshatrat Dorëz, Lopës dhe Sinanaj; ndërsa nga perëndimi fusha e Golimbasit, Dushkaraku dhe fshatrat e Kudhës-Gërhotit ose Sevasterit. Në fund të fshatit, e ndarë nga rruga automobilistike që vjen nga Sevasteri, shtrihet në mënyrë simetrike fusha e tij, ndër më të mirat në Labëri. Shkoza është e bekuar edhe nga lumi Vjosë, që nuk është vetëm begati, por edhe bereqet e jetë. Vendasit thonë se janë të bekuar që kanë ujë, mal e fushë, kodra e pyje; është udhëkryq, por edhe urë lidhëse e dy krahinave me zë në vendin tonë: Mallakastrës dhe Tepelenës. Fakt është që, si pasojë e krushqive të shumta, bijtë e bijat e Shkozës janë dhe ndihen edhe vlonjatë, tepelenas e mallakastriotë.
Ndërkohë, në Shkozë kalon një rrugë mbi 3000 vjeçare, ku ilirët përshkonin rrugën nga qyteti Amantia, një qendër e banuar mijëravjeçare, drejt Gurit të Lunecit, Dorëzës së Lopësit, Tepelenë, Antigone, Luginës së Drinos, Gjirokastrës, Janinës dhe përfundonin në gjirin e Ambrakisë.Sipas Pëllumb Mukës, shkoziotët që nga ballkoni i shtëpisë kontrollonin lumin, kodrat dhe malin; mbikëqyrnin bujqësinë e blegtorinë; lajmëronin gëzimet, hallet e kohës dhe rreziqet; komunikonin me fshatrat matanë lumit Vjosë, si Kalivaçi, Çorrushi, Kuta, Klosi dhe Kremenari i Mallakastrës; bënin edhe krushqi dhe ndihmonin njëri-tjetrin. Rrugët janë me kalldrëm, mjedisi qytetar dhe i kulturuar, me dy kroje me ujë të ftohtë, me Rrapin e Aligjones, me shtëpi guri dykatëshe, të mbuluara me qeramidhe ose dërrasa guri. Por mbi të gjitha, Shkoza ka njerëz zemërmirë, të pushkës dhe të penës, arsimdashës, bujarë e fisnikë, që e zbukurojnë edhe më shumë fshatin me mirësinë e tyre.
*
Mukajt – oxhak i ndezur i patriotizmit dhe atdhedashurisë
Historia ka lënë gjurmët e saj në vite e dekada, në kronika e kujtime, në përjetësinë e brezave që kujtohen, në trojet e të parëve, në dëshmitë e një jete që rrjedh si ujërat e Vjosës, në origjinën që na kanë lënë të parët tanë. Oxhaqet dhe vatrat familjare, fiset e fshatrat, kanë historinë, fatin dhe dëshmitë e arkivave lëvizëse, që natyrshëm meritojnë të tregohen dhe të shkruhen. Rrënjët dhe origjina e oxhaqeve në Shkozë dhe në të gjithë Labërinë shkojnë përtej mugëtirës së lashtësisë, duke rrjedhur e sjellë me vete emra, toponime, njerëz, ngjarje, fshatin, fiset, shtëpitë, qytetërimin amantin, legjenda, biografi dhe trashëgimi njerëzore. Objekt studimi në fshatin Shkozë, kemi marrë fisin Muka, ndër vatrat e ndezura të patriotizmit dhe atdhedashurisë.
Në kërkimet e historikëve, por edhe në “arkivën e gjallë” të njerëzve që “mbajnë mbi supe” mbiemrin “Muka”, njihet Bajram Muka i shekullit XIX, si edhe babai i tij, Muka i parë, që i përket periudhës së Ali Pashë Tepelenës. Ndërkohë, më thellë në kohë, kujtesa kalon në legjendë për paraardhësit dhe deri më sot ka qenë e pamundur vjelja e të dhënave të lashtësisë fisnore. Megjithatë, dihet se janë brez pas brezi shkoziotë. Vëllazëria e oxhakut të Mukajve mban mirë në kujtesë gjyshin e tyre, Muk Bajram Muka (1888–1931), i cili krijoi familje me Sheron nga Kalivaçi i Tepelenës dhe sollën në jetë tre djem: Medin (1903–5.1.1987), Shaqo (1908-1994), Hetemin (1912–1953) dhe një vajzë Zyba (1905-1978). Medin Muk Mukaj ka qenë i martuar me Refije Kamberin nga Krahësi dhe sollën në jetë nëntë fëmijë: gjashtë djem dhe tre vajza (Luanin, Fatbardhën, Luftarin, Godon, Pëllumbin, Sajden e cila ndërroi jetë në moshën shtatëvjeçare, Zijain, Dervishin dhe vajzën e vogël, së cilës i vunë sërish emrin Sajde, për të jetuar gjatë emri dhe kujtimi).
Familja e tyre ishte një vatër e madhe dhe e ngrohtë familjare, me dashuri njerëzore, që iu përgjigj zhvillimeve si në luftë, ashtu edhe në punë. Pjesëmarrja në Luftën e Vlorës dhe sidomos në Luftën Nacionalçlirimtare ka qenë masive. Medin Muka ka qenë pjesëtar me armë në dorë në çetën territoriale të fshatit, si dhe kryetar i këshillit, duke mbajtur një derë të hapur e bukëdhënëse për formacionet luftarake partizane. Ndërsa i vëllai, Shaqo Muka, ka qenë partizan i Brigadës së Pestë Sulmuese, në një rrugëtim luftarak prej 3200 kilometrash; i plagosur në Bozhigrad dhe i mbetur me një sy, ai shërbeu Atdheut edhe në forcat e policisë popullore, në minierën e Selenicës, si dhe si brigadier, duke gëzuar respekt dhe mirënjohje mbarëpopullore. Hetem Muk Muka, i lindur më 1912, në vitin e shpalljes së Pavarësisë, kishte pasion për mësimet dhe, falë rezultateve të larta, u dërgua në Itali për studime në inxhinieri ndërtimi, ku përfundoi shkollën e mesme dhe vazhdoi studimet e larta. Për shkak të luftës, i ndërpreu studimet dhe u kthye në Shqipëri, ku punoi fillimisht në hotel “Dajti” në Tiranë, më pas në njësitet guerile të Tiranës dhe në formacionet partizane. Pas çlirimit, punoi në sektorët më të vështirë të veprave energjetike shqiptare, ku dha edhe jetën në vitin 1953, në hidrocentralin e Shkopetit në Ulëz. Ai është shpallur Hero i Punës Socialiste.
Bazuar në ligjin nr. 109/2018 “Për statusin e Dëshmorit”, ai meriton të shpallet edhe Dëshmor i Atdheut, sipas nenit 5, kriteret për shpallje dëshmor, pika “l”: “shtetasit shqiptarë që humbin jetën në krye të detyrës…”. Në fakt, Hetem Muk Muka humbi jetën pikërisht në krye të detyrës, pasi u vra nga minat gjatë ndërtimit të veprës hidrike në Shkopet. Përgatitja dokumentare për këtë dëshmor ende të pashpallur pritet të përfundojë nga familjarët, fshati Shkozë, Prefektura e Vlorës dhe institucionet vendimmarrëse në Ministrinë e Mbrojtjes.
*
“Bëma baba të të ngjaj” – një maksimë proverbiale labe me aplikim masiv
*
Bijtë në Labëri dhe në gjithë shqiptarinë ecin në gjurmët e mira të prindërve dhe kanë për etalon veprën e baballarëve dhe të gjyshërve. Kështu edhe bijtë e bijat e patriotit dhe luftëtarit Medin Muka, i cili i mëkoi brezat me dashurinë për Atdheun dhe la gjurmë krenarie si në luftë, ashtu edhe në punën për ndërtim e mbrojtje, si dhe në ruajtjen e sigurisë publike, ku angazhoi seriozisht një pjesë të familjes së tij.
Pëllumb Medin Muka erdhi në jetë më 14 janar 1949, në fshatin Shkozë të Vlorës. Fëmijëria e tij ishte e vështirë, pasi vendi sapo kishte dalë nga flakët e luftës dhe ai ishte fëmija i pestë në radhë në familjen e Medin Mukës. Ndërkohë, familja e tij do të vijonte të rritej deri në vitin 1957. Që në fëmijëri u mëkua me frymën atdhetare dhe mësoi shumë nga familjarët për të shkuarën e oxhakut familjar, për brezat që jetën e kishin kaluar në përballje e rebelime ndaj pushtuesve. Në shtator të vitit 1956, Pëllumb Muka shkoi për herë të parë në shkollën fillore që mbante emrin e dëshmorit “Kuto Besimi” (Kuto Kapaj, 1916–1944). Pas përfundimit të fillores, në periudhën 1960–1963 ndoqi shkollën 7-vjeçare të Sevasterit “Qazim Hoxha” (emri i mësuesit të parë të kësaj shkolle), e cila në vite u quajt edhe “Qani Nuredini”. Kjo shkollë ka lënë gjurmë te Pëllumb Muka dhe te të gjithë nxënësit e saj. Shkolla e Sevasterit ishte dhe mbeti një tempull dijeje, një univers i vërtetë, ku kanë mësuar nxënës nga mbi 10 fshatra të zonës, një shkollë me histori, e çelur që në vitin 1911. Emërtimet e saj kanë ndryshuar në kohë: “Qazim Hoxha”, “Qani Nuredini” dhe sërish “Qazim Hoxha”. Pëllumb Muka dhe bashkëmoshatarët e tij kanë një refren për shkollën e tyre, në vargje kënge: “Sevaster–Kudhës–Gërhoti,/ vend i bekuar nga Zoti”. Natyrshëm, kjo shkollë i dha Pëllumb Mukës dhe nxënësve të tjerë nga Shkoza, Dushkaraku, Mazhari, Ploça, Amonica etj., dije që i armatosën për jetën. Ata që ndriçojnë me dritë diturie, mësuesit nuk harrohen kurrë; ata mbeten gjithmonë të paharrueshëm.
Në vijim të arsimit, përmendet edhe sistemi i tetëvjeçares, si hallkë bazë e sistemit arsimor unik, të përgjithshëm dhe të detyrueshëm për fëmijët 6–16 vjeç, i bërë i detyrueshëm me ligj që nga viti 1963. Ndërsa shkolla shtatëvjeçare që ndoqi Pëllumb Muka ishte ajo e modelit të vitit 1946, e bërë e detyrueshme që prej vitit 1952. Sevasteri ishte një ndër shkollat e shumta që kishte Shqipëria në atë kohë, kur në fshat numëroheshin 1392 shkolla dhe gjithsej 1621 në të gjithë vendin.
Pëllumbi e quan veten me fat që mësoi në shkollën “Qazim Hoxha” të Sevasterit, ndër të parat e çelura në hartën arsimore të Vlorës, krahas atyre të Vlorës, Kaninës, Dukatit, Tragjasit, Tërbaçit, Vranishtit, Matogjinit, Bratit etj. Këto shkolla ishin si dallëndyshet e para që hapën sytë dhe udhët e brezave, breza që, edhe për Mukajt, rrugët e jetës i çanë përmes shkollës dhe dijes. Pëllumb Muka u angazhua edhe në punët e fshatit në periudhën 1963–1968, kur më 12.12.1968 iu përgjigj thirrjes për kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në batalionin e tretë të Gardës së Republikës, me qendër në Sauk, ku komandonte Vangjel Kondi. Përfundimi i shërbimit ushtarak më 22.10.1970 nuk e shkëputi nga strukturat e sigurisë së personaliteteve, ndërkohë që ai vazhdoi edhe shkollimin, duke përfunduar me sukses SHMP “Sami Frashëri”, mjaft prestigjioze për kohën.
Më 1.3.1971 filloi detyrën si ushtarak në repartin “Katjushka” (Reparti Ushtarak 1571), me artileri 12-grykëshe, detyrë që e kreu me sukses deri në janar 1975. Nga janari 1975 deri më 4 korrik 1992, Pëllumbi shërbeu me përkushtim për 17 vite në Gardën e Republikës, si ushtarak i dalluar, duke gëzuar respektin dhe mirënjohjen e kolegëve dhe eprorëve. Ishte koha kur Garda e Republikës drejtohej nga personalitete të spikatura si Zija Kambi, Xhafer Peçi dhe Dane Binaj.
Garda ishte një shkollë më vete, një përvojë jetësore ku Pëllumb Muka meritoi vlerësime për shërbimin ndaj sigurisë së personaliteteve shtetërore. Në vitet 1992–2005 shërbeu në parkun e Ministrisë së Punëve të Brendshme, që në atë kohë drejtohej nga Panajot Bërdëllima. Më pas shërbeu edhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve në vitet 2005–2006, me drejtor Ëngjëll Hysin, dhe në vitin 2006 doli në pension të parakohshëm si ushtarak.
Pëllumb Mukaj ka një familje të shëndetshme dhe të mirëarsimuar. Ai është martuar me zonjën Sanije Hysni Shahaj nga Kremenari i Mallakastrës më 3 nëntor 1974 dhe kanë sjellë në jetë dy djem: Maksin (1.9.1975) dhe Alketin (8.11.1980). Maksi është martuar me Odeta Demir Çela nga Gramshi; ata jetojnë dhe punojnë në Toronto, Kanada, dhe kanë dy djem, Artionin dhe Samuelin. Alketi është i martuar me Erkida Edmond Polovinën nga Kuçova dhe kanë tre fëmijë: Aertin, Eraldin dhe Danielën, të cilët jetojnë në SHBA. Bijtë e Pëllumb Mukës janë familjarë të rregullt, ndjekin rrugëtimin e miqësisë dhe mirësisë njerëzore, ashtu si prindërit e tyre. Kudo që janë, nuk i harrojnë rrënjët, Shkozën, vatrën e origjinës, por edhe Tiranën. Pëllumbi dhe Sanijeja e ndajnë jetën mes Tiranës, Kanadasë dhe SHBA-së, pasi atje jetojnë “mjalti i mjaltit”, nipërit dhe mbesat duke e bërë që dashuria familjare të mbetet e pakufishme.
*
Kanan Mazja dhe dëshmorët e Shkozës krenari kombëtare
Bijtë e Mukajve kanë qenë vazhdimisht në mbështetje të çështjes atdhetare dhe zemra e tyre ka rrahur njësh me preokupimet kombëtare, në luftë dhe në punë. Por një figurë legjendare e fshatit është padyshim heroi dhe dëshmori Kanan Maze, emblemë e Luftës Kombëtare të Vlorës. Pëllumb Muka të flet gjatë për këtë trim, hero dhe dëshmor që ka mbetur në këngë: “Kanan Mazeja nga Shkoza,/ me një nofull copa-copa,/ Kanan, t’u prish bukuria,/ ç’thoni more djema, ç’thoni?!/ Ç’ka se mbeta unë pa gojë,/ le të rrojë Shqipëria,/ bukurinë e saj kërkoni!”, janë vargje lapidare me mesazh të fuqishëm. Kënga nuk shteron kurrë: “Kur e pashë rovolen tënde,/ që doli nga një sepete,/ vetëm më ra ndër mendje,/ koha mbushur me tërmete,/ o Kanani me derte,/ koha mbushur me tërmet,/ fryn behari suferinë,/ burrat me barot në deje,/ digjeshin për Shqipërinë…/ Kanan Maze shkozioti…”. Janë këngë që i këndon Pëllumb Muka dhe gjithë shkoziotët, e më gjerë, gjithë Labëria. Shkoza është pjesë e rëndësishme e Labërisë. Të gjitha fshatrat e Kudhës-Gërhotit bëjnë pjesë në zonën e Labërisë dhe miqësitë e tyre janë tej e këtej lumit. Dy familje në Shkozë, Aliaj dhe Alikaj, kanë pasur edhe dy nipër me emër në historinë e viteve 1940–1980, si Mehmet Shehu (nip në Zykaj) dhe Kadri Hazbiu (nip në Aliaj), i pari Kryeministër i Shqipërisë dhe i dyti Ministër i Brendshëm për gati 40 vjet; edhe pse fshati Shkozë është i ndarë në dy lagje të mëdha: “Aligjoni” dhe “Sinaj”.
Oxhaku i Mukajve i përket lagjes “Sinaj”, që ka rreth tetëdhjetë familje, dhe këtu përmendim fiset: Telharaj, Mukaj, Mazaj, Zykaj, Bonaj, Aliaj, Murataj, Zenelaj, Karafilaj, Kapaj, Breshanaj, Demaj, Pajaj, Ramaj, Qyraj, Taraj, Zhupaj, Kaçupaj, Kasaj, si dhe shumë fise të tjerë. Por është e sigurt se nderimi për veprën e dëshmorëve të atdheut në të gjitha vatrat e shkozianëve është një vlerësim i palëkundur në të gjitha kohërat. Kjo edhe për shkak të mirësisë që rrjedh nga nderimi i të madhit Baba Hamzait; vendi ku prehet ky shenjtor qëndron mbi Kudhës-Gërhot, si vrojtues i shenjtërisë së trojeve të të parëve, që janë krenari në historinë e Shkozës, krahinës dhe Labërisë. Dhe kënga përhapet “lapçe vendçe” për ata që në flamurin e shenjtëruar të tyre shkruajnë: “Pa atdhe nuk ka fe”: “Kurora mbi Sevaster,/ mbi ato gurë mermer,/ tek mekami me qemer,/ kur flet vetë me Pejgamber./ Kur ngjitesh për në Kurorë,/ mali i Tartarit përpjetë,/ fluturon si zog mbi borë,/ atje këmbët të shpien vetë”. Nuk ka intermexo për lapçen, sepse ajo në qindra vjeçarë, nëpër shekuj, ka rrjedhur: “Lavdi paç, Zot i vërtetë,/ që gostite Labërinë,/ Labërinë s’e le të shkretë,/ se i fale trimërinë”. Këmbët të shpien vetë edhe në vendprehjet e dëshmorëve të Shkozës, këtyre bijve të shenjtëruar të fshatit që gjakun e derdhën për lirinë dhe janë trupëzuar me të, duke mbetur krenari brezash për atë që bënë dhe për shpëtimin e Shqipërisë. Prandaj e nderon dhe e respekton Pëllumb Muka, si dhe gjithë Mukajt e tjerë të fshatit Shkozë, veprën e dëshmorëve.
Po cilët janë 18 dëshmorët e fshatit Shkozë? Bazuar në librin zyrtar të “Dëshmorëve të Atdheut”, publikuar nga Ministria e Mbrojtjes në kuadër të 100-vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar më 2012, kemi evidentuar të gjithë dëshmorët e fshatit Shkozë: Dëshmorët e Luftës së Vlorës të fshatit Shkozë: Kanan Maze Nanaj (lindi më 1878 në Shkozë; ndërroi jetë nga plagët që mori në Luftën e Vlorës më 1936, Shkozë, Vlorë, shpallur me titullin “Dëshmor i Atdheut” me vendim nr. 33, datë 27.6.1974, prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Vlorës. Kanan Maze është Dëshmor i Atdheut dhe Hero i Popullit); Dasho Tahiri (lindi më1887 në Shkozë dhe ra më 1920, Qafa e Koçiut, Vlorë) dhe është shpallur me titullin “Dëshmor i Atdheut” me vendim nr. 33, datë 27.6.1974, ndërkohë që eshtrat e tij prehen në Varrezat e Dëshmorëve të Vlorës); Mahmut Sadedin Sadedini (Rrokaj) (lindi në vitin 1880 në Shkozë dhe ra më 1920, Qafa e Koçiut, Vlorë. Shpallur me titullin “Dëshmor i Atdheut” me vendim nr. 33, datë 27.6.1974); Qerim Dervish Sinani (lindi më 1886 në Shkozë, ra më 1920, Qafa e Koçiut, Vlorë dhe është shpallur me titullin “Dëshmor i Atdheut” me vendim nr. 33, datë 27.6.1974). Do të ishte jo i plotë ky shkrim pa përmendur kontributin e madh të banorëve të Shkozës në luftën e madhe çlirimtare të shqiptarëve në mes shekullin e kaluar. Fisi Mukaj ka kontribuar gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, ndërkohë që e gjithë Shkoza është shquar për kontributin e saj.
Në nëntor 1942 u formua Këshilli Nacionalçlirimtar i fshatit; në maj 1943 u formua çeta partizane “Kanan Maze”, që ishte një eveniment për krahinën e Sevasterit dhe Shkozën. Në këtë çetë bënin pjesë: Boro Kasaj, Taip Avdullai ose Telharaj, Arshi Refati, Cane Ramaj e shumë të tjerë. Në shtator 1943 u krijua batalioni territorial i Sevasterit, ku bënte pjesë edhe çeta territoriale e Shkozës, me zëvendëskomandant Bektash Ramaj nga Shkoza. Në nëntor 1943 kaloi BrIS, e komanduar nga nipi i këtij fshati, Mehmet Shehu. Në Shkozë dhe në këtë brigadë u inkuadruan: Boro Kasaj, Eftar Sinanaj, Faik Pajaj, Hajro Binaj, Kuto Hasani, Memo Hadëri, Myfit Zykaj, Qani Bonaj, Qemal Ismailaj, Safet Halili, Xheto Rakipi, Veledin Sheme etj. Në janar 1944 u inkuadruan në Brigadën V Sulmuese: Shaqo Mukaj, Bektash Ramaj, Shamet Breshanaj, Shefit Breshanaj, Bari Mazaj, Taip Avdullai, Bilbil Kasaj, Tefik Brahimi, Çize Ago, Drita Dalani, Ismail Qyraj, Laze Lazaj, Memë Dulaj, Nexhip Pajo, Razip Qyraj, Seit Sinanaj, Syrja Aliaj, Shaqo Qyraj, Shaban Banaj.
Në BrXIIS u bashkuan: Selam Mukaj, Ali Zerfaj, Reis Bonaj, Shefit Breshanaj, Haxhi Brahimaj, Hasim Ismailaj etj. Ka qenë një trashëgimi e shkëlqyer mbështetja shkoziote për lirinë e Atdheut, trashëgimi që është çimentuar me gjakun e derdhur dhe është lartësuar në lapidar dhe në kujtesën e brezave. Ndërsa dëshmorët e Luftës Nacionalçlirimtare të fshatit Shkozë janë: Avdul Muço Begaj (1920–1944), Shkozë është shpallur me titullin “Dëshmor i Atdheut” me vendim nr. 97, datë 22.9.1972; Asllan Nurçe Begaj (1912–1942), Shkozë, shpallur me titullin “Dëshmor i Atdheut” me vendim nr. 97, datë 22.9.1972; Bari Teki Mazaj (Rama) (1923, Shkozë dhe ra më 1944, Kropisht, Vlorë), shpallur dëshmor me vendim nr. 541, datë 31.3.1984; Çerçiz Jaho Aliaj (1925, Shkozë – 1944, Shkozë), shpallur me vendim nr. 52, datë 4.5.2005; Hamit Fejzo Pazaj (1908, Shkozë– 1944, Gorricë).
Shpallur me vendim nr. 27, datë 14.5.2004; Izet Alush Zaçaj (1914, Shkozë–1943, Mali i Bardhë), shpallur me vendim nr. 97, datë 22.9.1972; Kuto Hadër Kapaj (1916, Shkozë – 1944, Tiranë), shpallur me vendim nr. 97, datë 22.9.1972; Ismail Hodo Qyraj (1914, Shkozë – 1944, Peshkopi), shpallur me vendim nr. 97, datë 22.9.1972; Razip Abedin Qyraj (1926, Shkozë – 1944, Salari), shpallur dëshmor me vendim nr. 97, datë 22.9.1972; Shaqo Hasan Qyraj (1923, Shkozë – 1944, Kolesian, Kukës), shpallur dëshmor me vendim nr. 97, datë 22.9.1972; Seit Sinan Kaçupaj (1883, Shkozë – 24.10.1944, Rugovë, Kosovë), shpallur me vendim nr. 97, datë 22.9.1972; Qani Shemedin Bonaj (1920, Shkozë – 1945, Shkodër), shpallur dëshmor me vendim nr. 97, datë 22.9.1972; Manxhar Selfo Rakipaj (1860, Shkozë – 1943, Shkozë), shpallur dëshmor me vendim nr. 212, datë 11.12.1978; Xhevdet Manxhar Rakipaj (1920, Shkozë–1946, Peshkopi), shpallur dëshmor me vendim nr. 93, datë 22.9.1972. Bijtë e Mukajve dhe gjithë komuniteti i Shkozës i nderojnë dhe u janë mirënjohës në përjetësi për gjakun e derdhur për lirinë, për Shqipërinë dhe për shqiptarizmin.
Burimet e studimit: Historiku i fshatit Shkozë, të dhëna nga Muzeu i Vlorës, të dhëna nga AQSH, AQFA, Pelivan Haxhiaj, Gazeta “Labëria”, Nëntor 2010, fq.7; të dhëna nga “Rrënjët e Shkozës”; Sejfi Vllamasi “Ballafaqime politike shqiptare 1897- 1914”, Tiranë, 1995; Fjalori encikopedik shqiptar 1985; Edvin Jasques “Shqiptarët kartë e pendë”, Tiranë, 2002; Skënder Anamali, “Monumentet 2”, Tiranë, 1984; Apollon Baçe “Iliria dhe ilirët”; Llambro Ruci “Himara, zëra e Akrokeraunëve”, Tiranë, 2011; Fiqiri Aliaj “Dëshmorët e Shkozës janë historia jonë”, Cane Ramaj “Shkoza gjatë LANÇ-it” , Gazeta “Shkoza” Nr.9 V.2011 f.1,6,7; periodiku i gazetës “Labëria” në tre dekada; të dhëna nga Shefki Velaj, Bernard Zotaj; Kujtim Bishaj, Maze Mazaj, Pëllumb Muka etj.; Historia e popullit Shqiptar 1, 2000; vëll. 2, 2004; vëll. 3, 2006; Mexhit Kokalari, “Trima të kryengritjeve popullore”, Tiranë, 1979; Dhimitër Pilika “Almanak”; Revista Vlora nr. 4 1962; Ligor Mile, Kryengritjet popullore në fillim të rilindjes sonë 1830 – 1877”, Tiranë, 1962; Llambro Ruci “Himara zëra e Akrokeraunëve”, Tiranë, 2011; Gazeta Shkoza 1-13, viti 2010; Neim Llajaj “Kudhës- Gërhoti në vite” Tiranë, 2008; Zaho Golemi dhe Bernard Zotaj, Dëshmorët e Atdheut, botim i Ministrisë së Mbrojtjes, Tiranë, 2012.
*
KOHA JONË SONDAZH

