Home POLITIKE Gjiknuri dhe ...

Gjiknuri dhe Llatja takime në Lagjen “5 Maji”: “Më 14 maj votojmë për të ardhmen. Opozita po përgatit alibinë e humbjes

24
0

“Më 14 Maj çimentojmë marrëdhënien bashki – qeveri për t’i thënë pro zhvillimit të Elbasanit, rritjes së pagave dhe pensioneve”. Kështu u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri gjatë një bashkëbisedimi me banorë të lagjes “5 Maji” në Elbasan.
I shoqëruar dhe nga Kryebashkiaku Gledian Llatja, numri dy i socialistëve deklaroi se zgjedhjet më 14 maj kanë të bëjnë me të ardhmen dhe qeverisjen e qytetit për të vijuar me punët e mira të bëra deri më tani. “Më 14 Maj njerëzit duhet të kuptojnë kush është qëllimi i vërtetë i votimit. Patjetër që është zgjedhja e kryetarit të bashkisë, por zgjedhja e kryetarit të bashkisë nuk është zgjedhje thjesht e një individi, por është e një filozofie politike dhe ka të bëjë me të ardhmen dhe me qeverisjen e Elbasanit. Projektet në infrastrukturë, ujësjellës- kanalizime, “Auto Moto Parku”, rehabilitimi i lagjes së Kalasë, të gjitha këto projekte nuk do të bëhen të mundura, po s’pati një mbështetje nga qeveria shqiptare, sepse taksat e qytetarëve të Elbasanit nuk mjaftojnë për nevojat që ka ky qytet dhe kjo bashki. Gledi ka mbështetje qeverinë shqiptare. Prandaj binomi Parti Socialiste–bashki; Parti Socialiste – qeveri është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e qytetit”, tha ai.

Gjiknuri, që është dhe drejtues politik i qarkut, u shpreh se qytetarët e Elbasanit e dinë shumë mirë se kandidati përballë kërkon të bunkerizojë bashkinë për qëllime politike. “Po ta vini re kundërshtarin, është tipiku i njeriut që ka krizë identiteti politik. Kur del në media, kur i thonë: Ore zotëri, pse se thua se ti përfaqëson koalicionin Berisha – Meta, “martesën” Berisha – Meta? Se është i zgjedhuri i tyre. Jo, – thotë,- unë jam thjesht kandidat i qytetarëve, pavarësisht i majtë apo i djathtë. Por po të jesh kandidat i qytetarëve, ti hyr kandidat i pavarur. Në fletën e votimit aty është “Bashkimi për Fitore” – Ilir Meta alias Luçiano Boçi. Kjo është fleta e votimit Ilir Meta – Luçiano Boçi. Është i zgjedhuri i tyre. Do të ndjekë politikën e tyre. Thjesht do të ndjekë politikën e dyshes Berisha – Meta. Ata e kanë shpalosur kush është qëllimi i tyre politik, të marrim ca bashki të mëdha të bëjmë përmbysjen e madhe. Të përmbysim qeverinë thotë; dhe ishalla po vijnë ata në pushtet, ata dy”, nënvizoi Gjinuri.

Numri dy i socialistëve komentoi dhe deklaratën e të dërguarit të posaçëm të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. “Kush janë ata mjafton t’i referoheni deklaratës të një prej zyrtarëve të lartë të shtetit amerikanë që tha: “Shqiptarët nuk duhet të shohin nga e shkuara, nuk duhet votojnë për Sali Berishën”. E thanë haptazi. Ata janë e shkuara. Tani kur ajo është e shkuar në Tiranë, nuk qenka Luçiano e shkuar këtu në Elbasan? Bëjini pyetje vetes, çfarë përfaqëson? Çfarë ka bërë ai kur ishte kryetar i Partisë Demokratike? Po të shikoni nuk kanë asnjë angazhim publik, asnjë program publik. Del takon tek e tek njerëz që t’iu mbushë mendjen pse duhet votuar për të. Pra çfarë bëjnë tani, kapin njerëz, ty do të bëj drejtor u thonë. Këtë praktikë kanë. Pra praktikisht kanë premtime boshe”, theksoi Gjiknuri.

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja nënvizoi se në këto 4 vite janë bërë punë që nuk ishin bërë në 30 vite. “Ne kemi bërë punë këtë mandat. E nisëm me rrugët kryesore, e sistemuam të gjithë Elbasanin, lagjet kryesore dhe në periferi. Ne nuk po lëmë sektor pa investuar, nuk po lëmë fshat pa ndërhyrë, nuk po lëmë njësi administrative pas dore. Pavarësisht se kemi pasur shumë sfida të përbashkëta, si tërmeti, si pandemi, ne kemi qenë bashkë. Kemi qenë bashkë në investime, për të përmirësuar cilësinë e jetesës të gjithë banorëve tanë. Nuk i kemi bërë dot të gjitha ato që duheshin bërë për 30 vite ama në këto 4 vite kemi bërë një sërë punësh. Kemi shtruar mbi 100 mijë m2 asfalt në vit, kemi shtuar mbi 10 mijë m2 lulishte, kemi mbjellë mbi 100 mijë pemë në Elbasan. Kemi shtuar sipërfaqet tona në shkolla me mbi 7000 m2 për të gjitha klasat që ishin me 2 turne. Ne po ndërhyjmë gjithandej, po bëjmë palestrat e shkollave, po bëjmë terrenet sportive, po mbështesim të rinjtë për sportet, po mbështesim rininë me qendrën rinore”, tha ai.

Kreu i Bashkisë u shpreh se në Elbasan po ndërtohet një zhvillim i qëndrueshëm.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Politika

Më shumë nga Politika

Lajmet e Fundit

Te Fundit