Home Sporti Ibrahimovic m...

Ibrahimovic mes garës për titull, rinovim dhe dy rekordeve të reja me Milanin

162
0

Ata që jetojnë me adrenalinë, si Zlatan Ibrahimovic, kanë një nevojë të vazhdueshme për sfida të reja dhe viti 2022 ia mundëson këto. Suedezi ka rekorde të tjera për të thyer, suksese të tjera për të arritur, madje edhe disa disfata për të shlyer.

Për t’u paraqitur në mënyrën më të mirë të mundshme për vitin e ri, Ibra zbarkoi dje në Milanello. A ju kujtohet sesi qendërsulmuesi e mbylli pjesën e parë të sezonit? Me një mbingarkesë në gjurin e majtë, që e mbajti jashtë ndeshjes si mysafir në Empoli.

Ibra është rikuperuar gjatë pushimeve në Suedi, të cilat për të nuk janë kurrë pushime relaksi total. Asnjë favorizim për liderin e vjetër të grupit te kuqezinjtë. Në të vërtetë, Ibra më tepër e njeh veten në rolin e “shoferit” dhe në këtë version do të rikthehet në fushë.

Në dhjetor të dy viteve më parë, Ibra filloi aventurën e tij të dytë me Milanin. Ai mbërriti nga LA Galaxy për t’iu ofruar kuqezinjve përvojën dhe klasin e tij, të paprekura ende, edhe nëse u kompromentuan nga dëmtimi në gju i pësuar te Manchester United dhe stërvitja e dobët në kampionatin amerikan.

Milanit i duhej gjithçka që Ibra mund të sillte si pajë. Kuqezinjtë e kishin mbyllur vitin 2019 me një disfatë historike në fushën e Atalantës dhe ishin në krizë loje, idesh, identiteti. Për të kuptuar ndikimin e Zlatanit, mjafton t’iu kthehemi ngjarjeve që pasuan te Milani, me një filozofi të njohur dhe vazhdimësi rezultatesh të komprometuara pjesërisht vetëm në javët e fundit.

Është në shpirtin e tij të zakonshëm sfida, gjë të cilën e rinovon për vitin 2022. Për shembull, ai mund të bëhet lojtari më i vjetër i Milanit që fiton titullin. Katër kuqezinjtë e tjerë në histori që kanë luajtur në të dyzetat e tyre janë: Enrico Albertosi, i cili megjithatë festoi titullin e tij të fundit në moshën 39-vjeçare; Marco Storari, që nuk ka titull me Milanin. Dhe pastaj Paolo Maldini e Alessandro Costacurta, që ndanë suksesin e viteve 2003-2004. Paolo ishte 36 vjeç, Billy 38.

Për suedezin është koha për të hyrë në dhjetëshen më të mirë të golashënuesve kuqezinj të të gjitha kohërave, duke marrë parasysh të gjitha garat. Aktualisht, Zlatan është i 12-ti me 91 gola, ndërsa i dhjeti është Pierino Prati me 102 gola. Do të duheshin edhe 11 gola të tjerë që ai të hynte në “top 10”.

Sot është në kuotën e 7 golave në 11 paraqitje sezonale; mbetet golashënuesi më “pjellor” i skuadrës, që mburret me 14 shënues të tjerë. Mesatarja e golit në Serie A e shpërblen: sot, Ibra e gjen rrugën e rrjetës çdo 100 minuta lojë. Saktësisht e njëjta frekuencë me sezonin e kaluar (15 gola në 19 paraqitje).

Angazhimet e para të vitit 2022 do të shërbejnë për ta bindur më tej Ibrën (tashmë mjaft i bindur) për të vazhduar dhe shtyrë pensionimin, që e tremb aq shumë. Një përballje e qetë do të ndodhë me klubin kuqezi, kur palët të besojnë se ka ardhur koha e duhur për t’u ulur në tryezë. Klubi e di ndikimin e tij në ekip, si teknik ashtu edhe emocional.

Dhe nëse Ibra mendon se mund të ecë përpara (deri tani nuk ka dhënë asnjë sinjal të kundërt) do të merret si e mirëqenë zgjatja e kontratës, pa shumë diskutime për shifrën e pagës. Ka sfida që shkojnë përtej anës financiare, Ibra e di këtë më mirë se kushdo tjetër.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Sporti

Me shumë nga Sport

Lajmet e Fundit

Te Fundit