Home Aktualitet BIRN: PSD e T...

BIRN: PSD e Tom Doshit ngjitet në vend të katërt. Po të ishin zgjedhje parlamentare ai fitonte 9 deputetë

644
0

Nga Gjergj Erebara-

Surpriza më e madhe elektorale e këtyre zgjedhjeve është rritja me 2.4 herë e Partisë Socialdemokrate të drejtuar nga Tom Doshi, e cila ka fituar 86 mijë vota dhe 116 mandate në të gjithë vendin.

Për nga numri i posteve në këshillat bashkiakë të Shqipërisë dhe votave të fituara renditet në vend të katërt, pas Partisë Socialiste, koalicionit Bashkë Fitojmë dhe Partisë Demokratike zyrtare. Për shkak se votat e PSD-së duket se janë përqendruar në mënyrë strategjike në disa qarqe të vendit, nëse të dielën do të kishte pasur zgjedhje parlamentare dhe jo zgjedhje të pushtetit vendor, Tom Doshi do të kishte fituar tre mandate deputetësh në Shkodër, dy në Tiranë, një në Durrës dhe një në Dibër, ndërsa nuk është shumë larg fitimit të një mandati edhe në Elbasan.

Një mandat tjetër i mundshëm është në qarkun e Fierit, ku PSD ka marrë rreth 8600 vota. Me shtatë deri në nëntë mandate deputetësh, kryetari i socialdemokratëve, i sanksionuar nga amerikanët për ‘përfshirje në korrupsion madhor’, me shumë gjasa mund të jetë një nga politikanët më të fuqishëm të vendit.

Nuk është pa gjasa që nëse dy palët tradicionale të politikës shqiptare, PS dhe PD, të ndahen për pak mandate qeveritare, siç ka ndodhur në 2009 e 2013, Doshi të gjendet në pozicionin e “kingmaker-it”, pra forcës përcaktuese që mund t’i japë shumicën qeverisëse secilit krah që dëshiron.

Me pak fjalë, suksesi elektoral i Doshit në shumë qarqe kyçe dhe, mbi të gjitha, në qarqet që më parë kanë qenë baza të fuqishme të opozitës, lehtëson punën e Edi Ramës për një mandat të katërt, edhe në rast se në ndonjë farë mënyre, opozita ringrihet.

Shqiptarët hodhën 1.35 milionë vota të vlefshme për këshillat e bashkive dhe zgjodhën 1613 këshilltarë. Partia Socialiste mori 580 mijë vota dhe 757 këshilltarë, pasuar nga koalicioni i opozitës kryesore Bashkë Fitojmë me 248 mijë vota dhe 292 mandate. Partia Demokratike zyrtare mori 104 mijë vota dhe 123 mandate. Partia Socialdemokrate mori 86 mijë vota ose 6.4%, me 116 mandate për këshilltarë.

Nëse krahasohet me rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2021, numri i votave të PSD-së është rritur me 2.4 herë, ndërsa numri i mandateve potenciale për parlament është rritur me mbi dy herë. PSD mori në zgjedhjet e fundit parlamentare 35 mijë vota ose 2.3% të votave të vlefshme. Përqendrimi i këtyre votave në Shkodër dhe Tiranë i dha asaj dy mandate në Shkodër dhe një në Tiranë.

Partia Agrare Ambientaliste e drejtuar prej kohësh nga Agron Duka, u rendit e pesta për nga numri i votave të fituara në zgjedhjet vendore. Ajo mori 44 mijë vota ose 3.3% të votave të vlefshme, dhe siguroi 52 këshilltarë. Ajo ka përfaqësi në 48 nga 61 këshillet bashkiake të vendit. Kryetari Duka, një biznesmen, deklaroi në media pas zgjedhjeve se ai është i hapur për negociata për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke sinjalizuar një afrim të mundshëm me Partinë Socialiste. Duka ka qenë më herët ministër socialist, por ka ndryshuar krah dhe ka shumë vite në opozitë.

Partia Republikane Shqiptare e Fatmir Mediut mori 32 mijë vota ose 2.4, pasuar nga Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, me 29 mijë vota ose 2.2 për qind. Edhe gjashtë parti të tjera morën më shumë se sa 1% të votave, ndërsa pjesa tjetër e subjekteve zgjedhore morën më pak se sa 1% të votave të vlefshme në rang vendi. Përveç katër partive të mëdha, Socialistët, Bashkë Fitojmë, Partia Demokratike dhe Socialdemokratët, partitë e tjera të vogla dhe kandidatët e pavarur morën sëbashku 24% të votave. /BIRN/

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit