Albin Kurtit i iku “treni” për Bruksel!
-Botuar në radion “Europa e Lirë”-
Kur Irlanda mori Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian më 1 korrik, zgjerimin e vendosi në mesin e prioriteteve kryesore për gjashtë muajt e ardhshëm.
Megjithatë, në programin e saj, nuk ka asnjë referencë të veçantë për Kosovën.
A është kjo vetëm një mungesë simbolike apo një tregues i “vendit” që Kosova zë sot në agjendën e zgjerimit të BE-së?
Në përgjigjen që i dha Radios Evropa e Lirë, Presidenca irlandeze sqaroi se mbështet përparimin e të gjitha vendeve kandidate dhe kandidate potenciale, përfshirë Kosovën, drejt anëtarësimit në BE.
Por, e shoqëroi këtë mbështetje me një formulim të dëgjuar shpesh në Bruksel: përparimi do të varet nga kushtet që duhet të përmbushen dhe nga zbatimi i reformave të nevojshme.
Prapa këtij qëndrimi diplomatik fshihet një realitet shumë më kompleks për Kosovën.
Një proces i bllokuar që në hapin e parë
Redaktori i Radios Evropa e Lirë për çështjet evropiane, Rikard Jozwiak, thotë se Kosova, aktualisht, nuk është në mesin e prioriteteve të zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Kur Irlanda flet për zgjerimin, sipas tij, fokusi është te vendet që tashmë kanë avancuar më shumë në procesin e anëtarësimit, si Mali i Zi dhe Shqipëria, por edhe tek Ukraina dhe Moldavia, të cilat, pas agresionit rus në Ukrainë, kanë fituar rëndësi të re strategjike për BE-në.
“Kosova ka ngecur në zgjerim që kur ka dorëzuar kërkesën e saj për anëtarësim në fund të vitit 2022, dhe nuk pres ndonjë lëvizje as në gjashtë muajt e ardhshëm”, thotë Jozwiak.
Sipas procedurave të BE-së, është presidenca e Këshillit të BE-së ajo që vendos nëse një aplikim futet në shqyrtim.
Kosova e dorëzoi kërkesën e saj më 15 dhjetor 2022, në ditët e fundit të Presidencës çeke.
Por, asnjë nga presidencat që pasuan, nuk e shtyu përpara.
Si rezultat, aplikimi vazhdon të mos kalojë as fazën e parë formale: shqyrtimin nga Këshilli dhe dërgimin në Komisionin Evropian për vlerësim.
Në rastin më të mirë, thotë ai, Presidenca irlandeze mund të nxisë një diskutim mbi mënyrën se si është ndërtuar procesi i zgjerimit për Kosovën dhe nëse perspektiva e saj evropiane duhet të vazhdojë të kushtëzohet nga dialogu me Serbinë.
Por, edhe për këtë ai sheh pak gjasa.
Bieber vlerëson se mungesa e institucioneve të konsoliduara në Kosovë, por edhe raportet e tensionuara që Qeveria në detyrë e Albin Kurtit ka krijuar me disa shtete kyç të Bashkimit Evropian, kanë zbehur gatishmërinë politike në Bruksel për të ndryshuar qasjen ndaj Kosovës.
“Kështu që, nuk shoh shumë gatishmëri nga ana e BE-së për të ndryshuar dinamikën dhe nuk mendoj se Irlanda është në gjendje të bëjë shumë në këtë drejtim”, thotë Bieber.
Një klimë e tillë politike përkon me një periudhë të zgjatur paqëndrueshmërie institucionale në Kosovë.
Për më shumë se një vit e gjysmë, vendi është përballur me ngërç politik, pasi tri procese zgjedhore, të mbajtura brenda 16 muajve, nuk kanë prodhuar një shumicë të qëndrueshme parlamentare.
Aktualisht, Kosova pret formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 7 qershorit, në të cilat Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti, doli sërish forca e parë politike.
Çfarë mund të bëjë Kosova?
Jozwiak thotë se hapësira për ta afruar Kosovën me Bashkimin Evropian, në fazën aktuale të zgjerimit, është e kufizuar.
“Mendoj se treni për këtë ka ikur”, thotë ai.
Por, veçon një çështje që, sipas tij, vazhdon të ketë peshë të madhe në institucionet evropiane: përparimin drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Ky ka qenë gjithmonë një kusht kyç i BE-së dhe mbetet i tillë edhe tani, edhe pse momentumi, sigurisht, nuk është më aty kur bëhet fjalë për dialogun”, thotë Jozwiak.
Asociacioni i komunave me shumicë serbe buron nga Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013, e arritur në dialogun Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Ai parashihet si një mekanizëm bashkëpunimi ndërmjet komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Ndër vite, BE-ja ka këmbëngulur se themelimi i tij është një nga obligimet kryesore të Kosovës në kuadër të dialogut, por procesi ka mbetur i bllokuar, për shkak të mosmarrëveshjeve rreth kompetencave të Asociacionit dhe shqetësimeve se ai mund të cenojë funksionalitetin e shtetit.
Për më tepër, edhe vetë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është në një periudhë stagnimi.
Takimi i fundit në nivel të lartë është mbajtur në shtator të vitit 2023, pak para sulmit të armatosur në Banjskë.
Që prej atëherë, përpjekjet e Bashkimit Evropian për ta rikthyer procesin në binarë nuk kanë prodhuar ndonjë përparim domethënës.
Ku qëndron Kosova në raport me rajonin?
Ndërsa procesi i integrimit të Kosovës ka mbetur praktikisht i ngrirë, pjesa më e madhe e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor kanë shënuar, në shkallë të ndryshme, përparim në rrugën drejt BE-së.
Mali i Zi mbetet kandidati më i avancuar, me të gjithë kapitujt e negociatave të hapur dhe shumicën e tyre tashmë të mbyllur përkohësisht.
“Vendi i Malit të Zi në Bashkimin Evropian tani po merr formë”, ka thënë komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, gjatë një vizite në Podgoricë në muajin maj.
Nëse anëtarësimi i tij materializohet në vitin 2028, siç synohet, ai do të shënonte zgjerimin e parë të Bashkimit Evropian në 15 vjet, që nga pranimi i Kroacisë në vitin 2013.
Shqipëria po zhvillon negociatat e anëtarësimit, ndërsa Maqedonia e Veriut, megjithëse i ka nisur zyrtarisht ato, përballet me bllokada politike, sidomos nga Bullgaria, për hapjen e kapitujve të parë.
Bosnje dhe Hercegovina mori dritën e gjelbër për hapjen e negociatave të anëtarësimit në vitin 2024, ndërsa Serbia, ndonëse negocion me BE-në që nga viti 2014, ka mbetur prej vitesh pa hapur kapituj të rinj, për shkak të mungesës së reformave dhe mosharmonizimit me politikën e jashtme të BE-së, veçanërisht ndaj Rusisë.
Në kontrast me to, Kosova mbetet i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk ka as status kandidati për anëtarësim në BE.
(marrë me shkurtime nga REL)
KOHA JONË SONDAZH

