Home Editorial Krejt shteti ...

Krejt shteti kundër Ilir Metës!

1448
0

(Ky shkrim është edhe video)

Krejt shteti kundër Ilir Metës!

 Shkruar nga Nikoll Lesi-

Nuk dua ta besoj, por që të arrihet deri këtu sa krejt mazhoranca, qeveria dhe shteti të turren me çdo gjë ndaj ish-Presidentit të Republikës, Ilir Meta, kjo nuk është aspak e drejtë, bilëz paksa makabre.

Këtë që po bën sot mazhoranca e PS e ka pas bërë dikur Sali Berisha kur ishte President e kur partia-shtet e PD-së masakronte çdo kundërshtar politik apo mediatik.

Asokohe, pra PD e Saliut, çfarë nuk sajoi kundër Fatos Nanos si kryetar i PS, derisa e futi edhe në burg. E gjithçka për të ruajtur me çdo kusht pushtetin.

Berisha u rrëzua atëhere gjithë potere, duke shkatërruar edhe shtetin!

Po sot?

I njëjti stil, pothuaj, e njëjta mënyrë për të shkatërruar kundërshtarin politik, Ilir Meta.

Jam i detyruar të ripërsëris se me Ilir Metën udhët tona për Demokraci janë ndarë tash një vit e kusur, por nuk mund të hesht kur shikova mbrëmë parlamentin e vendit tim se si angazhon krejt fuqinë e shtetit duke përdorur edhe disa deputetë të PD, për mua pa asnjë dinjitet, pra të gjithë me “kuç e me maç” kundër Ilir Metës vetëm që ta denigrojnë, ta shkatërrojnë moralisht, politikisht dhe familjarisht.

E pse?

Vetëm se Ilir Meta iku nga Edi Rama!

Nëse do të kishte qëndruar me Kryeministrin në qeverisje, dhe për mua bëri gabim që iku nga koalicioni me Ramën, pra nëse do ishte edhe sot me PS-në, asnjë nisëm për dosjet apo dekriminalizim kundër tij nuk do të kishte.

E kjo më bën të flasë, ndonëse kam shumë rezerva për qëndrimin e Ilir Metës gjatë dy muajve të fushatës elektorale të vitit 2021.

Si ka mundesi gjithë ky investim titanik i krejt shtetit kundër një personi, kur kemi plot halle ekonomike si shqiptarë?

E pse më duhet të besoj se Ilir Meta paska gabuar apo bashkëpunuar me ish-Sigurimin e Shtetit ndërkohë që e kanë votuar vetë si Saliu, por edhe Edi Rama në postet më të rëndësishme të shtetit!?

Ilir Meta ka qenë kryeministër, kryetar parlamenti dhe President Republike. Për mua ai duhet ta kishte mbyllur karrierën e tij në politikë me ikjen nga presidenca. Sepse nuk ka çfarë merr apo jep me tepër për vendin.

Por kjo është zgjedhje e tij.

Sido të jetë prapë sejcili ka të drejtën e tij legjitime të ikë apo të mbetet në politikë. Porse si ka mundësi që paska qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, ai në moshën 20 vjeçare, dhe nuk e paska ditur Edi Rama, kur i duhej vota e tij për tu bërë vetë kryeministër? Po kur e bëri President nuk e dinte Edi Rama?!

Pse  e nxorën këtë akuzë sapo iku nga president, bile pak ditë sapo Ilir Meta doli nga kafazi i presidencës? Edhe një pyetje tjetër; Kryeministri Rama në gusht deklaroi, sipas tij, se Ilir Meta dhe Sali Berisha si nongrata do të penalizohen nga ligji i dosjeve dhe dekriminalizimit që do ti votonte në vjeshtë. Si ka mundësi që turret vetëm te Ilir Meta dhe nuk e penalizoi mbrëmë në parlament edhe nongratat?!

Natyrisht që janë pyetje që dalin prej sejcilit njeri të lirë në këtë vend dhe nuk po flasim për aktorë politikë apo deputetë që e dredhin sa herë liron apo u shtrengon vidat kryeministri.

Po të ishte pa inat e hakmarrje politike kryeministri duhej të miratonte që edhe nongratat nuk lejohen të jenë deputetë dhe në poste publike.

Nuk ka pse vepron me dy standarte.

Ndërsa sot mazhoranca me anë të Taulant Ballës paralajmëroi se ato që preken nga ligji i dosjeve, nuk do të lejohen të jenë as kryetar partie! Më hapur nuk ka se si veprohet ndaj atij që iu nxori punë sa ishte president Republike. Natyrisht që presidenca e Ilir Metës mbetet presidenca me më shumë përballje me qeverinë në këto 32 vite, ndonëse në shumë raste nuk kishte pse Ilir Meta të merrte role politike që nuk i takonin kryetarit të shtetit.

Por nuk mund të jem dakort për mënyrën se si po hakmarren sot qeveria dhe PS-ja ndaj tij.

Nëse duan ta ndëshkojmë, le ta lenë në fatin e votave popullore, që nëse nuk e duan, pra nuk e votojnë. Me sa duket frika është e madhe se merr vota dhe rrezikon pushtetin, bashkë me Berishën.

Ndaj po miratojnë enkas ligje vetëm kundër Ilir Metës.

Sido të jetë me dosje apo dosje, Ilir Meta përgjigjet vetë ligjërisht dhe politikisht, porse shija që të krijohet nga kjo luftë e madhe e krejt shtetit ndaj tij, është e hidhur për këdo që aspiron të jetojë në një vend që thuhet se është demokratik.

Edi Rama duke patur hallin e fatit të zgjedhjeve vendore, po nxiton me ligje të përsonalizuara, kur realisht nuk ka pse të ketë frikë me një PD të përçarë. Siç duket demokratët do të dalin me dy kandidatë, pasi loja për bashkim është një manovër për t’ia lenë njeri tjetrit fajin e humbjes, ndaj nuk ka pse investohet kaq shumë kryeministri ndaj njërit prej aktorëve të opozitës, sepse mund të bëjë efektin e kundërt; atë të rritjes së inatit popullor me këto veprime haptazi hakmarrëse.

Psikologjia e turmës se po viktimizohet dikush, mund të sjellë që në kutitë e votimit të ndryshojnë mendje, pasi do të mendojnë për veten e tyre, kur shikojnë se si turret qeveria ndaj ish-numrit një të shtetit.

Edi Rama ka shumë këshilltarë, edhe të huaj, por duhet dikush ta këshillojë për uljen e revanshit dhe inatit momental, sepse siç thamë mund ta kthejë Ilir Metën në martir dhe në Shqipëri njerëzit i duan martirët edhe në kutinë e votimit!

Edhe njëherë, Kryeministri të mos ketë frikë nga kjo opozitë. Ata janë të ndarë e të copëtuar mes vetes dhe nuk ka asnjë mundësi të dalin me një kandidat. Mjafton të shikosh qëndrimin e Gazmend Bardhit sot pasditë vonë kur iu përgjigj Berishës duke e akuzuar atë se u fsheh mbrëmë dhe nuk shkoi në parlament të votonte ligjin e dosjeve. Ja se çfarë shkruan Bardhi për Berishën: “Gabim është që të dalësh kundër vetvetes për interesa të supozuara të një individi. Gabim është të dalësh kundër hapjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit ku të përndjekurit e tij janë themeli i mbështetësve të PD.

Gabim është të justifikohesh me mashtrim se dosjet janë hapur plotësisht në 2008, duke qenë i ndërgjegjshëm që ai ligj nuk hyri dot në fuqi sepse u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Gabim është ti japësh mundësi Edi Kristaq Ramës të flas për këtë temë, ku PD ka qenë plot 14 vite në pushtet. Gabim është të fshihesh dhe të mos votosh’’ thotë Gazmend Bardhi.

E hajde e beso më se do të bashkohet PD me një kandidat në zgjedhje!

Asnjë mundësi nuk ka të ndodhë kjo gjë!

Ndaj zoti Kryeministër, mos u merr me Ilir Metën se po e kthen në hero dite!

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit