Mirdita nuk duhet të shkrihet!
Nga Nikoll Lesi-
Ka kohë që një Komision Parlamentar po diskuton për harten e re të ndarjes administrative në vend. Ata, të dy, Arbjan Mazniku dhe Luçiano Boçi po bëjnë një punë, realisht, të jashtëzakonshme. Por, duket se Reforma do prekë shumë bashki. Mbi 10 bashki flitet se mund të shkrihen, por ka edhe Bashki që për hir të historisë qindra vjeçare, që kanë bërë histori kombëtare, nuk mund e nuk duhet kurrsesi të shkrihen. Reforma e re administrativo-territoriale nuk duhet të trajtohet thjesht si një ushtrim matematikor, ku bashkitë bashkohen ose zhduken në bazë të numrit të banorëve, të ardhurave që mbledhin apo kostos së administratës.
Në fakt po shkruaj disa radhë si një mirditor me prejardhje, që ndonëse jam “zbutur” paksa në Lezhë apo mikluar nga Tirana ndër vite, prapë nuk mund të rri pa një reagim ku në thelb mbetet shqesimi im, por edhe mijëra mirditorëve, që Bashkia e Mirditës, nuk duhet shkrirë!
Harta territoriale e Shqipërisë nuk është një tabelë me numra. Pas çdo vije administrative qëndrojnë histori, komunitete, tradita, territore, marrëdhënie njerëzore dhe identitete të formuara gjatë shekujve.
Pavarësisht se disa prej treguesve të vlerësimit mbi të cilët mbështetet qeveria për ndërmarrjen e një reforme administrativo-territoriale mund të rezultojnë të pafavorshëm për organizimin aktual të Bashkisë Mirditë, ekziston një sërë faktorësh të tjerë me rëndësi strategjike që duhet të merren në konsideratë përpara marrjes së çdo vendimi. Krahas treguesve demografikë, financiarë dhe administrativë, vlerësimi duhet të përfshijë edhe faktorët historikë, kulturorë, etnografikë, gjeografikë, socialë, ekonomikë dhe të identitetit territorial, të cilët përbëjnë elemente të rëndësishme të zhvillimit të qëndrueshëm vendor. Ruajtja e kohezionit të komunitetit, e trashëgimisë kulturore dhe historike, e traditave etnografike, si dhe garantimi i një qeverisjeje vendore sa më pranë qytetarëve, janë elemente që duhet të peshohen me të njëjtën rëndësi si treguesit sasiorë në procesin e rishikimit të organizimit administrativo-territorial.

Në foto: Tregohet Mirdita e copëtuar nga diktatura, ku pjesë të saj i kanë kaluar rretheve fqinje.
Pikërisht për këtë arsye, çdo diskutim që prek të ardhmen administrative të Mirditës duhet të zhvillohet me shumë kujdes.
Mirdita nuk është vetëm një bashki. Ajo është një nga krahinat historike më të njohura dhe më të identifikueshme të Shqipërisë. Është një emër që ka ekzistuar shumë kohë përpara krijimit të administratës moderne shqiptare, përpara ndarjeve në rrethe, qarqe apo bashki.
Prandaj, Bashkia Mirditë nuk duhet të shkrihet dhe as të bashkohet me ndonjë bashki tjetër. Mirdita duhet të mbetet njësi më vete e qeverisjes vendore, me qendrën e saj administrative në Rrëshen, me përfaqësimin e saj demokratik dhe me të drejtën për të përcaktuar vetë prioritetet e zhvillimit.
Mirdita është një krahinë historike, jo vetëm një ndarje administrative
Mirdita është një ndër krahinat me identitetin historik, kulturor dhe zakonor më të spikatur në Shqipëri. Ajo, si edhe Kelmendi, rezistuan pushtimit osman disa shekullorë. Ndaj të dyja duhen ruajtur si relikë te vlerave kombëtare. Por le të kthehemi të Bashkia e Mirditës, e cila ka shtrirje gjeografike të madhe, sepse Kelmendi futet dhe pranon komunitetin e tij në Malësinë e Madhe.
Mirdita është lidhur historikisht me bashkësinë fisnore me të njëjtin emër. Mirditorët krijuan gjatë shekujve një organizim të veçantë shoqëror, zakonor dhe ushtarak, duke ruajtur një shkallë të lartë autonomie përballë pushtimeve dhe administratave të huaja.
Emri i Mirditës gjendet në burimet historike prej shekujsh. Ai shfaqet fillimisht si mbiemër familjesh në dokumentet e shekullit XV dhe më pas si emërtim territorial në dokumente osmane dhe kishtare.
Në burimet e shekujve XVI dhe XVII emri shfaqet në forma të ndryshme, si Mirdita, Miriditti, Meredita apo Mireditta. Kjo dëshmon se Mirdita nuk është një krijim i administratës së shekullit XX dhe as një produkt i reformave të fundit territoriale. Ajo është një realitet historik, shoqëror dhe kulturor shumë më i hershëm se shteti modern shqiptar.
Shkrirja administrative e një territori të tillë nuk do të ishte thjesht ndryshim kufijsh. Ajo do të rrezikonte dobësimin institucional të një prej identiteteve më të dallueshme historike të Shqipërisë.
Një herë ia bëri një masakër pushteti komunist, Mirditës, së cilën e kishte frikë diktatori. Asokohe Mirditën e ndanë dhe copëtuan, duke i hequr pjesë nga “trupi” i saj, dhe duke ia kaluar Kukësit, Burrelit, Pukës, Shkodrës, Laçit dhe Lezhës.
Tani Mirdita nuk duron e nuk pranon më copëtim të saj.

Qëndresa e Mirditës
Mirdita njihet në historinë shqiptare për rezistencën e saj ndaj Perandorisë Osmane dhe për përpjekjet e vazhdueshme për të ruajtur autonominë vendore, besimin dhe organizimin tradicional.
Në krahasim me shumë zona të tjera, Mirdita kishte një organizim të zhvilluar ushtarak dhe një sistem të konsoliduar drejtimi. Në kohë lufte mund të mobilizonte mijëra luftëtarë, ndërsa për çështjet kryesore të krahinës thirrej Kuvendi i Përgjithshëm i Mirditës.
Ky kuvend mblidhej tradicionalisht në Orosh dhe vendoste për çështjet më të rëndësishme që lidheshin me krahinën, sigurinë, marrëdhëniet me autoritetet dhe organizimin e brendshëm.
Pra, tradita e vetëqeverisjes në Mirditë nuk është një shpikje moderne. Ajo është pjesë e identitetit politik dhe shoqëror të krahinës. Mirdita kishte prijësit e saj, bajrakët e saj, kuvendet e saj dhe rregullat e saj të organizimit. Në periudhën e vonë osmane ajo konsiderohej ndër zonat më të pavarura të Sanxhakut të Shkodrës.
Nëse shteti shqiptar sot kërkon të forcojë demokracinë vendore, ai nuk mund të shpërfillë një krahinë që e ka në traditën e vet historike organizimin, përfaqësimin dhe vetëqeverisjen.

Besimi katolik si pjesë e identitetit mirditor
Mirdita është njohur historikisht si një nga qendrat më të rëndësishme të katolicizmit shqiptar.
Feja katolike ka pasur një rol të veçantë në jetën, kulturën, traditën dhe rezistencën e mirditorëve. Oroshi dhe Kisha e Shën Aleksandrit kanë qenë jo vetëm qendra fetare, por edhe qendra shpirtërore e shoqërore të krahinës.
Kleri katolik ka ndikuar në ruajtjen e gjuhës, zakoneve, arsimit dhe identitetit kombëtar. Kjo trashëgimi nuk duhet parë si argument për ndarje fetare. Përkundrazi, ajo është pjesë e mozaikut historik dhe kulturor të Shqipërisë.
Shteti ka detyrimin të ruajë dhe promovojë identitetet e veçanta vendore, sepse ato pasurojnë identitetin e përbashkët kombëtar. Një Mirditë e dobësuar administrativisht do ta kishte më të vështirë të mbronte dhe promovonte trashëgiminë e saj fetare, kulturore, arkitekturore dhe historike.


Mirdita ka një territor të gjerë dhe të vështirë malor
Një nga argumentet kryesore kundër shkrirjes së Bashkisë Mirditë lidhet me gjeografinë. Mirdita ka reliev kryesisht malor, me fshatra të shpërndarë, distanca të mëdha dhe zona ku infrastruktura rrugore vazhdon të mbetet problematike.
Territori përfshin qendra dhe fshatra me histori dhe nevoja të ndryshme, nga Rrësheni dhe Rubiku te Oroshi, Kaçinari, Kurbneshi, Spaçi, Perlati, Fanari dhe shumë vendbanime të tjera.
Në një territor të tillë, largimi i administratës nga qytetari do të kishte pasoja konkrete. Një banor i një zone të thellë malore nuk mund të trajtohet në të njëjtën mënyrë si një banor që jeton pranë një qendre të madhe urbane dhe ka transport të rregullt, rrugë të mira dhe shërbime digjitale të aksesueshme.
Bashkimi i Mirditës me një bashki tjetër do ta rriste edhe më shumë territorin që duhet administruar nga një qendër e vetme. Qytetarët do të duhej të përshkonin distanca më të mëdha për dokumente, ankesa, leje, ndihmë ekonomike, çështje pronësie apo shërbime të tjera.
Kjo do të binte ndesh me parimin kryesor të qeverisjes vendore: shërbimi duhet të jetë sa më pranë qytetarit.

Një reformë territoriale duhet të vlerësohet mbi bazën e një pyetjeje të thjeshtë: a do t’ia lehtësojë apo do t’ia vështirësojë jetën qytetarit?
Nëse një reformë e detyron qytetarin të udhëtojë më shumë, të presë më gjatë, të komunikojë me një administratë më të largët dhe të ketë më pak ndikim mbi vendimmarrjen, atëherë ajo nuk është reformë në shërbim të qytetarit. Shkrirja e njësive vendore justifikohet shpesh me nevojën për uljen e kostove administrative. Por kursimi i disa pagave apo zyrave nuk mund të jetë kriteri i vetëm. Duhet llogaritur edhe kostoja që i ngarkohet qytetarit. Sa kushton udhëtimi drejt një qendre më të largët? Sa kohë humbet një banor për të marrë një shërbim? Sa më i vështirë bëhet komunikimi me pushtetin vendor? Sa fshatra rrezikojnë të harrohen në ndarjen e investimeve? Nëse këto kosto janë më të larta se kursimet administrative, atëherë bashkimi nuk prodhon efikasitet, por centralizim dhe pabarazi.

Problemi nuk është Mirdita, por mungesa e financimit
Argumenti se një bashki e vogël ose malore nuk mbledh të ardhura të mjaftueshme nuk duhet të përdoret automatikisht për ta shkrirë atë. Shumë bashki shqiptare kanë kapacitete të kufizuara financiare, jo sepse komunitetet e tyre nuk meritojnë të kenë pushtet vendor, por sepse modeli i financimit është i dobët dhe ekonomia lokale nuk është zhvilluar sa duhet.
Një bashki nuk mund të vlerësohet vetëm nga taksat që mbledh sot. Duhet vlerësuar edhe nga potenciali që mund të zhvillojë në të ardhmen. Mirdita ka burime të konsiderueshme natyrore dhe ekonomike. Ajo ka potencial në turizmin malor dhe kulturor, në bujqësi, blegtori, pyje, kullota, energji, minerale dhe agroturizëm.
Ka gjithashtu një pozitë të favorshme pranë korridoreve kryesore rrugore dhe një diasporë të gjerë që mund të përfshihet në zhvillimin e zonës. Problemi kryesor i Mirditës nuk është ekzistenca e bashkisë. Problemi është mungesa e investimeve strategjike, largimi i popullsisë, mungesa e vendeve të punës dhe shfrytëzimi i pamjaftueshëm i burimeve. Shkrirja e bashkisë nuk i zgjidh këto probleme. Përkundrazi, mund t’i thellojë ato duke larguar institucionet dhe duke dobësuar më tej qendrën vendore.

Në foto: Më 27 dhjetor 1876, në kuvendin e krerëve të 12 bajrakëve u vendos fillimi i kryengritjes së përgjithshme kundra pushtimit turk. Kjo kryengritje pati në krye abatin e Mirditës Prend Doçin dhe princin Preng Bib Doda. Ishte një ndër kryengritjet që tronditi themelët e Perandorisë Osmane”.
Potenciali turistik i Mirditës
Mirdita ka një trashëgimi që mund të shndërrohet në një burim të fuqishëm zhvillimi. Oroshi, Malet e Shenjtit, kishat historike, kullat tradicionale, Rubiku, Spaçi, peizazhi malor dhe traditat e krahinës mund të krijojnë një ofertë të veçantë turistike.
Turizmi historik, fetar, malor dhe kulturor mund të zhvillohet në mënyrë të integruar. Spaçi, për shembull, nuk është vetëm një vend i historisë së Mirditës, por një simbol kombëtar i persekutimit komunist. Ai mund të shndërrohet në një qendër të kujtesës kombëtare, edukimit dhe turizmit historik. Oroshi mund të promovohet si qendër e historisë dhe kulturës mirditore.
Rubiku ka potencial fetar, historik dhe industrial, ndërsa zonat malore mund të zhvillojnë turizmin e natyrës, ecjet, bujtinat dhe prodhimet lokale. Një Bashki Mirditë e fortë mund t’i lidhë këto pasuri në një strategji të vetme. Nëse territori ndahet apo administrohet nga një qendër tjetër, ekziston rreziku që identiteti turistik i Mirditës të shpërbëhet në prioritetet e një njësie më të madhe.


Mirditorët duhet të pyeten
Asnjë vendim për të ardhmen e Mirditës nuk duhet të merret pa mirditorët. Konsultimi nuk duhet të jetë formal, me një takim të vetëm dhe disa minuta diskutim. Duhet të ketë dëgjesa në Rrëshen, Rubik, Orosh dhe në njësitë e tjera administrative.
Duhet të dëgjohen qytetarët, këshilltarët bashkiakë, bizneset, kleri, intelektualët, emigrantët, shoqatat dhe përfaqësuesit e fshatrave. Për një ndryshim kaq të madh mund të konsiderohet edhe një konsultim i drejtpërdrejtë vendor. Një reformë që kërkon të jetë demokratike nuk mund t’ua imponojë komuniteteve zhdukjen e njësisë së tyre pa marrë pëlqimin dhe mendimin e tyre.
Mirdita ka traditën e kuvendit. Prandaj edhe sot duhet të flasë me zërin e vet për të ardhmen e saj.
Mos e shkrini Mirditën!


KOHA JONË SONDAZH

