Opozita bën protesta të dhunshme në Shkup, 47 policë plagosen

Nga DW-

Shkallëzohen protestat kundër propozimit francez në Maqedoninë e Veriut. Presidenti i Këshillit të BE, Charles Michel shpreh mbështetjen e BE për propozimin që zhbllokon negociatat.

Në ditën e katërt të protestave kundër propozimit të ri francez për heqjen e vetos bullgare për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut me BE-në protestat në këtë vend janë shkallëzuar. Nga përballja e protestuesve me policinë kanë mbetur të lënduar 47 policë, dy prej të cilëve në gjendje më të rëndë. Në godinat e Parlamentit, Qeverisë dhe Ministrisë së Jashtme janë thyer shumë dritare dhe është dëmtuar fasada. Gjatë protestës policia ka ndaluar disa protestues, nuk dihet numri i saktë i të ndaluarve.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçevski vlerëson, se dhuna e shprehur para institucioneve të shtetit nuk është fytyra e vërtet e Maqedonisë evropiane, e një vendi anëtar i NATO-s. Edhe pse protestat janë një e drejtë demokratitke për një qytetar, dhuna e shprehur në to nuk mund të arsyetohet. “Dhuna dhe urrejtja nuk janë dhe nuk mund të jenë zgjidhje e asnjë problemi. Manipulantëve dhe shfrytëzuezve të njerëzve për t’i plotësuar apetitet e tyre politike u them, mos keqpërdorni të rinjtë në protesta të dhunshme. 27 prilli nuk do të përsëritet “, ka deklaruar Kovaçevski.

Swiss Digital Mobile Reklama

LSDM, partia në pushtet akuzon opozitën për protestat e dhunshme duke vlerësuar se VMRO-DPMNE dhe E Majta po mundohen me çdo kusht të destabilizojnë shtetin, të pengojnë procesin e integrimeve evropiane, duke punuar për interesa të të tjerëve. “Institucionet dhe qytetarët nuk do të lejojnë sjelljen destruktive të VMRO-DPMNE-së dhe Të majtës të kërcënojnë të ardhmen evropiane të shtetit, nuk do të lejojnë që shoqëria të kthehet në izolim dhe ndarje”, thuhet në njoftimin e LSDM-së. Edhe partia shqiptare në pushtet BDI dënoi ashpër dhunën dhe incidentet antievropiane që ndodhën në protestën e organizuar nga VMRO-DPMNE dhe E Majta para Kuvendit dhe Qeverisë.

“Në momentet vendimtare për vendin, në momentet kur po shkruhet historia dhe po hidhen themelet e rrugës europiane  nuk duhet të lejohet të devijojmë nga rruga e miqësisë euro-amerikane dhe integrimi evropian në asnjë moment”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel gjatë qëndrimit në Shkup ka shprehur mbështetjen e Bashkimit Evropian ndaj dokumentit francez për zhbllokimin e vetos bullgare. “Me propozimin francez qartë diskutojmë për gjuhën maqedonase, ajo është gjuhë e juaja dhe propozimi e respekton këtë”, është shprehur Charles Michel. Ai ka nënvizuar se nëse Maqedonia e Veriut ka mundësinë historike që t’i thotë “Po” propozimit francez, me këtë i thotë ‘Po’ fillimit të negociatave, Bashkimit Evropian dhe të ardhmes së fëmijëve.

“Kam besim se kjo është një zgjidhje e balancuar që adreson shqetësimet tuaja dhe qëllimi është i qartë, të fillojmë negociatat e anëtarësimit dhe të ecim përfundimisht drejt ndërtimit të së ardhmes sonë të përbashkët në Bashkimin Evropian. Nëse thoni po, konferenca e parë ndërqeveritare do të organizohet në ditët në vijim”, ka theksuar Michel.

Në Shkup qëndron të mërkurën edhe përfaqësuesi special për Ballkanin Perendimor i Gjermanisë, Manuel Sarrazin. Në fokusin e bisedimeve me autoritetet në Shkup do të jetë propozimi francez dhe proceset eurointeegruese te Maqedonisë së Veriut.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?