Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan: Ukraina e meriton të futet në NATO sa më shpejt!

-“Zëri i Amerikës”-

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan shprehu të shtunën herët mbështetjen për anëtarësimin e Ukrainës në NATO, duke thënë se vendi i shkatërruar nga lufta meriton t’i bashkohet aleancës.

Zoti Erdogan i bëri komentet në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski, i cili mbërriti në Turqi në kuadër të një turneu evropian për të siguruar mbështetjen për anëtarësimin e Ukrainës në aleancën ushtarake pas përfundimit të luftës me Rusinë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Udhëheqësit e NATO-s që takohen në Vilnius të Lituanisë javën e ardhshme pritet të riafirmojnë se Ukraina do t’i bashkohet aleancës së tyre në të ardhmen.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Nuk ka dyshim se Ukraina e meriton anëtarësimin në NATO”, u tha Erdogan gazetarëve.

Mbështetja e tij për Ukrainën vjen pasi Turqia ka vonuar dhënien e miratimit përfundimtar për anëtarësimin e Suedisë në NATO, duke thënë se Stokholmi nuk po godet sa duhet militantët kurdë dhe grupet e tjera që Ankaraja i sheh si kërcënim për sigurinë e saj.

Suedia, së bashku me Finlandën, hoqi dorë nga statusi i vendit neutral që e mbajti për disa dekada dhe aplikoi për anëtarësim në NATO-n pas fillimit të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës vitin e kaluar. Parlamenti i Turqisë ratifikoi anëtarësimin e Finlandës në fillim të këtij viti, pasi Ankaraja shprehu kënaqësinë me përpjekjet e saj për të trajtuar shqetësimet e sigurisë së Turqisë.

Presidenti Erdogan tha gjithashtu se Turqia po punonte drejt zgjerimit të një marrëveshjeje për drithin, të ndërmjetësuar nga Turqia dhe OKB-ja, e cila i ka hapur rrugën eksportit të më shumë se 30 milionë tonë drithërave ukrainase përmes Detit të Zi.

Marrëveshja, e cila ndihmoi në zbutjen e rritjes së çmimeve globale të ushqimit, do të skadojë më 17 korrik. Rusia ka hezituar të zgjasë marrëveshjen, duke përmendur pengesat për eksportet e saj të ushqimit dhe plehrave.

Presidenti Zelenski akuzoi Rusinë për pengim të lëvizjes së anijeve.

“Rusia sillet sikur kontrollon të gjithë Detin e Zi, sikur të jetë pronar i gjithë zonës”, tha Presidenti Zelenski në udhëtimin e tij të parë në Turqi që nga fillimi i sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Zoti Erdogan tha se Presidenti rus Vladimir Putin do të vizitonte Turqinë në gusht, kur ai shpresonte të diskutonte rinovimin e marrëveshjes së drithit, si dhe arritjen e një marrëveshje për një shkëmbim të mundshëm të të burgosurve.

Turqia ka mbajtur lidhje të ngushta me Ukrainën dhe Rusinë, duke i përdorur marrëdhëniet e saj me të dyja vendet për të vepruar si pale ndërmjetësuese.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?