Ylli Manjani: Republika brenda republikës…
Nga Ylli Manjani
Nuk ka krizë më të madhe në një republikë sesa momenti kur drejtësia pushon së qeni pushtet kushtetues dhe shndërrohet në një rend paralel. Pikërisht këtë kemi ndërtuar me Kushtetutën e vitit 2016: jo një sistem drejtësie që balancon pushtetet, por një arkitekturë që e ka nxjerrë veten jashtë balancës kushtetuese. Një republikë brenda republikës.
Në emër të luftës kundër korrupsionit, Kushtetuta u mbush me mekanizma të posaçëm, struktura të posaçme, prokurorë të posaçëm, gjykata të posaçme dhe organe qeverisëse të posaçme. Por “e posaçmja”, që në çdo demokraci serioze duhet të jetë përjashtim i përkohshëm, tek ne u ngri si normalitet i përhershëm. Ky është devijimi themelor i një republike kushtetuese.
Një gjë është të krijosh instrumente të jashtëzakonshme për situata të jashtëzakonshme; krejt tjetër është të institucionalizosh përjetësisht përjashtimin. Në atë moment, republika deformohet. Dhe ne pikërisht aty kemi mbërritur.
Sot kemi një sistem ku prokuroria e posaçme nuk kontrollohet realisht nga askush. Gjykatat e posaçme, të ndërtuara teorikisht si filtër kushtetues i akuzës, në praktikë, edhe për shkak të legjislacionit të posaçëm, shpesh sillen si zgjatim procedural i SPAK-ut dhe i prokurorisë.
Prokurorët e posaçëm janë kthyer në qendrën gravitacionale të sistemit penal. Ata hetojnë, orientojnë narrativën publike, diktojnë ritmin politik dhe prodhojnë frikë institucionale, ndërkohë që përgjegjësia mbetet jetime. Mekanizmat ekzistues të kontrollit janë të dobët, formalë ose joefektivë.
Kjo është arsyeja pse lindi sentenca “Republika e SPAK-ut”. Jo si slogan propagandistik, por si perceptim i krijuar nga vetë arkitektura kushtetuese. Sepse kur një institucion grumbullon pushtet pa mekanizma realë kontrolli, republika fillon të duket si shtojcë e tij.
Këtu del në pah një nga dështimet më serioze të reformës: KLP-ja.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk e qeveris realisht prokurorinë; ai e fragmenton atë. Nuk ka lidhje organike me jetën reale të institucionit të akuzës. Nuk drejton punën hetimore, nuk mban përgjegjësi për dështimet spektakolare, nuk garanton unitet funksional dhe as disiplinë profesionale. Është një organ burokratik që prodhon procedura, por jo drejtim.
Në teori u mendua si garanci kundër kapjes politike. Në praktikë prodhoi një prokurori pa kokë: një organizëm ku askush nuk drejton realisht dhe askush nuk përgjigjet realisht.
Politika e personelit është bërë lëmsh. Emërimet, lëvizjet, karrierat dhe përgjegjësitë nuk lidhen me eficiencën funksionale të institucionit.
Ndërkohë, vetë KLP-ja nuk mban asnjë barrë për kaosin procedural, zvarritjet, standardet e dyfishta apo mungesën e koherencës në ndjekjen penale.
Një prokurori serioze nuk funksionon si forum horizontal pa autoritet. Prokuroria funksionon si një klinikë e mirë, ku profesionistët mësojnë, koordinohen dhe disiplinohen rreth autoritetit profesional të atij që ka më shumë përvojë dhe përgjegjësi. Pikërisht kështu funksionojnë sistemet e shëndetshme të akuzës publike në botë.
Prokuroria duhet të ketë drejtim. Duhet të ketë hierarki funksionale. Duhet të ketë përgjegjësi të identifikueshme.
Prandaj, nëse ka një reformë që duhet bërë urgjentisht, ajo është rikthimi i prokurorisë nën drejtimin real të Prokurorit të Përgjithshëm. Prokuroria e Përgjithshme duhet të jetë qendra e politikës penale të shtetit dhe jo një zyrë ceremoniale që vështron nga larg fragmentimin e sistemit.
Prokurorët në rrethe duhet të drejtohen nga drejtues me përvojë reale profesionale dhe të jenë pjesë e një zinxhiri të qartë përgjegjësie. Udhëzimet e Prokurorit të Përgjithshëm duhet të jenë detyruese, jo sugjerime akademike pa efekt praktik. Vetëm kështu mund të ketë standard unik, disiplinë funksionale dhe politikë personeli me logjikë shtetërore.
Drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi idenë se askush nuk i bindet askujt. Kjo nuk është pavarësi; është papërgjegjshmëri. Fjala vjen, kush i kërkon llogari prokurorit të posaçëm që në sallën e gjyqit tallet me të drejtat e të pandehurit dhe me vetë autoritetin e gjykatës, duke deklaruar se “GJKKO-ja është hotel me pesë yje”?
Një republikë demokratike nuk ka nevojë për prokurorë pa kontroll. Ka nevojë për prokurorë të pavarur, por edhe të përgjegjshëm. Ka nevojë për gjykata të forta, por jo për kasta të paprekshme. Ka nevojë për drejtësi që i shërben republikës, jo për republikë që rrotullohet rreth drejtësisë.
Asnjë reformë nuk duhet të cenojë autonominë hetimore ndaj pushtetit politik; problemi i vërtetë është mungesa e mekanizmave efektivë të përgjegjshmërisë institucionale.
Kështu siç është ndërtuar sot, sistemi nuk prodhon ekuilibër. Prodhon frikë, konfuzion institucional dhe pushtet pa përgjegjësi.
Dhe çdo pushtet pa përgjegjësi, herët a vonë, deformon republikën.
KOHA JONË SONDAZH
Kush është problemi; Edi Rama apo Sali Berisha?
Results
Vota totale: 5036

