Ali Podrimja, poeti që e ktheu dhimbjen në këngë dhe lirinë në varg këndimesh

Nga Albert Vataj

Sot, në ditëlindjen e Ali Podrimjes, kujtojmë poetin që ktheu dhimbjen në këngë dhe heshtjen në kushtrim.
Ai çliroi poezinë shqipe nga prangat e rregullave, duke i dhënë vargut lirinë që i mungonte atdheut të tij.
Në çdo fjalë të tij ndjehet gjaku i Kosovës, në çdo metaforë jehon një popull që jetonte me vdekjen, por vdiste për të jetuar ëndrrën e lirisë.
Poezia e tij nuk mbyllet me jetën, por ndizet si flakadan në amshim, për të na kujtuar se fjala është arma më e fortë e shpirtit.
Ali Podrimja mbetet poeti i zashmërisë së trajtave të epjes së shpirtit. Zëri dhe pena, zemra dhe poezia e tij, u shndërruan në flakadan të luftës për liri të Kosovës. Golgota e këtij populli martir qe dhe mbeti, deri në frymën e fundit, tharmi i këngës që Podrimja dinte ta këndonte edhe kur jetonte me vdekjen, edhe kur vdiste për të jetuar ëndrrën e tij. Ai kushtroi me zë shpirti në çdo kraharor dhe qiellit i dhuroi krahët e atij zogu të plagosur, të ngritur në kungim rënkues.
Podrimja na kujton se e rreshtoi kumtin e tij për të çliruar poezinë shqipe nga disa rregulla tradicionale, si vargu i thurur, apo përmbajtjet apologjike e brohoritëse të poezisë së pasluftës. Ai kreu një përpjekje titanike duke vendosur parime të reja krijuese: vargun e lirë, shqiptimin metaforik, gjuhën e ironisë, efikase për të shprehur zonat më të errëta dhe të fshehta të natyrës njerëzore. Synimi i tij për t’u strehuar pas reflekseve ezopike dhe për t’i përcjellë ato, duke shmangur ndalesat e jashtme, e nxori në plan të parë mesazhin, dhe më pas atë pjesë të vlerës artistike që arrihej përmes ritmit dhe euforisë.
Poezia e Ali Podrimjes, e përkthyer në shumë gjuhë të huaja, u pranua dhe u vlerësua për koloritin e saj të veçantë, për botën shpirtërore me individualitet të formuar e të dallueshëm. Botimin e parë e bëri në vitin 1957, në revistën letrare Jeta e Re, kur ishte ende gjimnazist. Rrethanat e vështira politike të viteve ’60 dhe tragjeditë familjare më pas, lanë gjurmë të pashlyeshme në krijimtarinë e tij. Humbja e djalit, Lumit, u sublimua në veprën e tij më të bukur, Lum Lumi.
Poezia e Podrimjes e ngjiti poezinë shqipe në një nivel të ri respekti, duke e bërë të pranohej e të përkthehej në shumë gjuhë të botës. Vargu i tij karakterizohej nga thjeshtësia, rima e padukshme dhe simbolet e papritura. Në gjithë rrugëtimin e tij krijues, Podrimja i dha zë asaj që i gufonte në shpirt, duke e qartësuar rrugën e një poeti të madh. Ai nuk nguroi kurrë ta thoshte fjalën e vet dhe të ishte aty ku sofra e poezisë kishte shtruar zemrat dhe metaforat.
Sot, kur ai mungon në këto sofra, kumti i tij, që u ngjiz me tharmin e një shpirti të paepur do të mbetet i gjallë në amshim, duke ushqyer thirrjet për liri, dashuri dhe devocion.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?