Ligjërata e Rexhep Qosja më 1974, trazimi i Tiranës rreth periodizimit të letërsisë shqipe, fushata dhe përplasje në Prishtinë

Në lidhje me një ligjëratë të Qosjes në Tiranë më 1974 dhe qëndrimet e tij, rreth periodizimit të letërsisë shqipe, studiuesit e Tiranës e trajtojnë shumë seriozisht, dhe siç duket, janë vënë në siklet. Në një relacion të dokumenteve arkivore të shtetit shqiptar, gjendet edhe një fjali: “Shumë mirë ia bënë, Rexhepi ka nevojë t’i ulet pak hunda”. E, botimi i “Morfologjisë së një fushate” nxiti jo pak reagime. “Botimi i këtij libri nga përgatitësit vlerësohet me tone rënduese ndaj Profesor Qosjes. Për më tepër, ata shënojnë se “botimi i një vepre të kësaj natyre, me fyerje dhe me banalitete, pa asnjë vlerë shoqërore, pa probleme e çështje parimore, nuk është një gjë e jashtëzakonshme në Jugosllavi”, shkruhet në relacione
Gjatë vitit 1973, emrin e Profesor Rexhep Qosjes e hasim në relacionet e dokumenteve arkivore të shtetit shqiptar, ku flitet për qëndrimin e Ali Hadrit në Shqipëri dhe, se si ky, gjatë qëndrimit në Tiranë ishte i interesuar të njihej me një artikull të Ismail Kadaresë, të botuar te “Zëri i popullit”, ku indirekt kritikohej Rexhep Qosja, dhe se si Ali Hadri ishte kundër kritikës së ashpër të Rexhep Qosjes ndaj Ismail Kadaresë. Gjithashtu, emri i Profesor Qosjes gjatë vitit 1973 na shfaqet edhe në relacione rreth organizimeve të përbashkëta hulumtuese në terren, të studiuesve nga Tirana dhe Prishtina, të cilët kishin ardhur për ekspedita nga fusha e gjuhësisë dhe folklorit në Kosovë, ku profesor Qosja i takon studiuesit nga Tirana në cilësinë e drejtorit të Instituti Albanologjik.
Viti 1974: Tirana në siklet nga ligjërata
Në vitin 1974, personalitetin e Rexhep Qosjes e hasim në relacionin e përgatitur nga studiuesi Bahri Beci. Profesor Qosja, në këtë vit kishte qëndruar në Tiranë së bashku me bashkëshorten e tij Shpresën, për hulumtime, dhe si i ftuar nga Universiteti i Tiranës për ta mbajtur një ligjëratë me titull: “Për disa çështje të periodizimit të letërsisë shqipe” me punonjës shkencorë dhe profesorë të letërsisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Profesor Qosja vlerëson punën e shkrimtarëve në Shqipëri dhe shprehet se për ta “ka mjaft konsideratë, janë sipas tij punëtorë dhe shkruajnë mirë. Ai vinte në dukje si veçori pozitive të shkrimtarëve J. Xoxa e I. Kadare punën e tyre këmbëngulëse për të ngritur nivelin e tyre të përgjithshëm”.
Profesori dhe bashkëshortja e tij janë të kënaqur për mikpritjen që u bëhet në Tiranë dhe nuk hezitojnë ta shprehin, se ”pritja që u bëhej këtu ishte shumë e mirë dhe shfaqën keqardhjen që nuk mund të na bënin të njëjtën pritje edhe në Prishtinë. Ndër të tjera sipas tyre, ushqimi në hotel ‘Dajti’ ishte më i mirë se ai i ‘Bozhurtit’, pritja shumë e mirë dhe e organizuar”, shkruhej përveç tjerash në relacion.
Ndërsa, sa i përket ligjëratës së mbajtur, përgatitësi i relacionit shprehet se “leksioni i tij, siç del edhe në relacionin e veçantë të përgatitur për të, ngjalli mjaft diskutime për shkak të ideve të tij themelore, të cilat sipas nesh, nuk përputheshin me kriteret e analizës klasore dhe shquheshin nga një përpjekje për mënjanimin e kufijve të qartë midis letërsisë së realizmit socialist nga njëra anë dhe letërsisë së paraçlirimit nga ana tjetër, të letërsisë sonë nga njëra anë dhe asaj kosovare nga ana tjetër. Pjesërisht disa nga këto pikëpamje ai i ka shfaqur edhe më parë në artikujt që ka botuar si edhe në bisedat që kemi pasur rastin të bëjmë me të. Në përgjithësi ai mendon se kriteri formalist dhe ai sociologjik janë të dëmshme për letërsinë. Për atë me analizën klasore nuk mund të shpjegohen fenomenet e ndërlikuara letrare, të cilat kanë specifikën e vet dhe mund të shpjegohen vetëm duke u nisur prej tyre”, thuhet në mes tjerash në këtë relacion. Duhet potencuar se në lidhje me këtë ligjëratë dhe qëndrimet e Profesor Qosjes rreth periodizimit të letërsisë shqipe, studiuesit e Tiranës e trajtojnë shumë seriozisht, dhe siç duket, janë venë në siklet, sepse për të njëjtin aspekt, pra, periodizimin e letërsisë shqipe të trajtuar nga Profesor Qosja, në instanca të caktuara dërgohen tri materiale në formë relacioni dhe informacioni. Materialet dërgohen nga Bahri Beci, Nuri Çaushi dhe Bujar Hoxha. Dokumentet e dy të parëve, mbajnë të njëjtën datë të përpilimit, ndërsa ai i Bujar Hoxhës është dy ditë më pas. Kjo tregon edhe për nivelin e shqetësimi që ka shkaktuar ligjërata dhe qëndrimet e Profesor Qosjes në këtë aspekt, sepse nga hulumtimet e gjertanishme, kemi hasur materiale edhe për studiuesit e tjerë nga Prishtina që kanë mbajtur ligjërata në Tiranë dhe pas disa ditësh është dërguar relacioni etj. Por që brenda dy ditëve të dërgohen tri relacione e informacione për të njëjtin person dhe të njëjtën ligjëratë, ne këtë e kemi hasur vetëm më rastin e Profesor Qosjes. Në lidhje me qëndrimet e shprehura të Profesor Qosjes, rreth periodizimit të letërsisë shqiptare, studiuesit e Tiranës, do të marrin mendimin edhe të disa studiuesve tjerë nga Kosova që do të qëndrojnë për vizita në Tiranë. Në lidhje me këtë, sipas një relacioni, Profesor Ali Hadri do të deklaronte “se Rexhepi nuk kishte të drejtë”. “Shumë mirë ia bënë, Rexhepi ka nevojë t’i ulet pak hunda”. Vlerësoi diskutimin e sh. Aleks Buda, Jorgo Bulo dhe Koço Bihiku”, shkruante në mes tjerash në këtë relacion. Ndërsa, në lidhje me këtë çështje ishte deklaruar edhe Profesor Isak Shema, mendim të cilin e kishte shënuar në relacion studiuesi Thanas Gjika.
“Në një bisedë që i hapa lidhur me mendimin e tij për periodizimin e letërsisë shqiptare” shkruan në relacion, “ai mbështeti plotësisht periodizimin që është bërë në tekstet tona dhe rrëzoi periodizimin që ka bërë Dr. Rexhep Qosja si një periodizim i nisur nga pozita formaliste. I. Shema është një njohës i mirë i letërsisë sonë të realizmit socialist dhe kjo ka bërë që ai të dallojë mirë kthesën që bëri letërsia jonë në vitet e para të pasçlirimit duke e parë këtë letërsi si një letërsi të një etape esencialisht të re”.
Kur jemi të mendimet e shprehura nga studiuesit Hadri e Shema, në lidhje me Rexhep Qosjen, duhet potencuar, se dy studiuesit kanë kontribute shkrimore me vlera në fushat e tyre të interesimit shkencor. Por Ali Hadri, ishte studiues i historisë dhe jo letërsisë, andaj mendimet tij në këtë drejtim, nuk duhet të merren si të mirëqena edhe studiuesi Isak Shema, si studiues i letërsisë për kohen kur kishte deklaruar, nuk shquhet për ndonjë punim monografik nga fusha e letërsisë shqiptare. Pjesa dërmuese e veprimtarisë shkrimore të tij, përfshinë, fillimet e viteve të ’90-ta dhe më pas. Andaj, deklarimet e profesorëve Hadri e Shema, në lidhje me ligjëratën e Rexhep Qosjes, me tepër janë për mos t’ua “prishur qefin” kolegëve të Tiranës, se sa mendime profesionale dhe të bazuara.
Sado që ligjërata e Profesor Qosjes kishte bërë bujë në Tiranë, ndoshta edhe nuk i kishte përmbushur pritjet e studiuesve të Tiranës, Profesor Qosja, nuk e shënon një ngjarje si kjo në Ditarin e botuar të tij. Sipas dokumentacionit, ligjërata ishte mbajtur në muajin qershor të vitit 1974, e po ashtu edhe relacionet ishin dërguar gjatë këtij muaji, mirëpo në ditarin e Profesor Qosjes, në këtë vit, për këtë muaj, nuk shënon asnjë ndodhi. Në këtë ditar, kemi shënime deri në muajin maj dhe më pastaj vazhdon me muajin korrik të vitit 1974. Siç duket, Profesori, për këtë ngjarje, si edhe për disa ngjarje të tjera, të ndodhura në jetën tonë kulturore e politike gjatë viteve, e ka dhënë mendimin e tij përmes deklaratave, në kohën e duhur e në vendin e duhur dhe, nuk ka dashur të japë vlerësime të mëtutjeshme në Ditarin e botuar. Ndoshta, për disa ngjarje, ku përfshihet emri i tij, ua ka lënë ta thonë të tjerët.

Në lidhje me ligjëratën dhe qëndrimet e Profesor Qosjes rreth periodizimit të letërsisë shqipe, studiuesit e Tiranës e trajtojnë shumë seriozisht, dhe siç duket, janë vënë në siklet, sepse për të njëjtin aspekt, pra, periodizimin e letërsisë shqipe të trajtuar nga Profesor Qosja, në instanca të caktuara dërgohen tri materiale në formë relacioni dhe informacioni
Kundërshtimi i “letërsisë së Kosovës”
Nga viti 1976 e deri më 1980, në dokumentacionet e hulumtuara, emrin e Profesor Qosjes e hasim në cilësinë e pritësit të delegacioneve me studiues, shkrimtarë e artistë nga Tirana. Në vitin 1980, në Tiranë, kishin qëndruar për vizitë zyrtare Profesorët të shoqëruar edhe nga bashkëshortet e tyre, Idriz Ajeti, në cilësinë e kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Rexhep Qosja në cilësinë e drejtorit të Institutit Albanologjik dhe Ali Hadri në cilësinë e drejtorit të Institutit të Historisë. Delegacioni nga Kosova, ishte pritur shumë mirë nga drejtuesit e Institucioneve shkencore në Tiranë. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, Rexhep Qosja, në ambientet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë kishte mbajtur ligjëratën: “Karakteri historik i rimës” dhe e cila ishte pritur mirë nga të pranishmit. Profesor Qosja kishte ngritur si shqetësim ”një problem të mprehtë të jetës së tyre atje, atë të fushatës denigruese që sipas tij, disa forca, po zhvillojnë prej kohe kundër tij dhe figurave të tjera të kulturës e të shkencës në Kosovë”.
Në bisedë e sipër Rexhep Qosja sipas përgatitësve të relacionit përsërit “kërkesën e vazhdueshme të intelektualëve kosovarë, se ka ardhur koha që ne në Shqipëri të studiojmë letërsinë e shqiptarëve në Jugosllavi, ta përfshijmë atë në studimet e tekstet tona dhe ta vlerësojmë me të mirat dhe të këqijat” që ka. Ai e quan krejt të pamjaftueshëm faktin që botojmë veprën e ndonjë autori kosovar. Nga ana tjetër, ai nuk e quan të saktë përdorimin e termit “letërsi e Kosovës”, sepse nuk duhet të jetë kriteri regjional e administrativ, po ai kombëtar që i jep emrin një letërsie”.
Përplasjet pas “Morfologjisë së një fushate”
Në vitin 1980, profesor Kristaq Prifti i dërgon Ramiz Alisë një material studimor me këtë porosi: “Shoku Ramiz, po ju çoj studimin ‘Mendime rreth letërsisë dhe kritikës shqiptare në Kosovë, në Maqedoni e Mal të Zi’ si edhe një informacion më të plotë rreth librit të fundit të R. Qosjes ‘Morfologjia e një fushate’, të hartuar sipas porosisë sonë”, shkruan në këtë shkresë.
Materiali “Mendime rreth letërsisë dhe kritikës shqiptare në Kosovë, në Maqedoni e Mal të Zi”, ishte përgatitur nga studiuesit Nasho Jorgaqi, Dalan Shapllo e Jorgo Bulo. Rexhep Qosja, në këtë material përmendet, kur flitet për romancierët shqiptarë në Jugosllavi dhe kur flitet për kritikën letrare. Në dy rastet, figura e profesor Qosjes vlerësohet lart. Ndërsa, materiali rreth librit “Morfologjia e një fushate” është përgatitur nga studiuesit Nasho Jorgaqi e Jorgo Bulo. Siç edhe dihet, ky është një libër, botimit i të cilit ka shkaktuar mjaft polemika në Kosovë. Nga të parët që ka reaguar rreth botimit të këtij libri, ishte Profesor Fehmi Agani, përmes një shkrimi me dy vazhdime në shtyp. Profesor Agani këtë botim e quan Pamflet i cili “u botua dhe u shit shpejt dhe u lexua ‘me ëndje’, siç e parashihte autori”, shkruan përveç tjerash në këtë publikim. Ndërsa shkrimin e tij, Profesor Agani e përfundon me këto fjalë: “Objekt i këtij vështrimi nuk ishte ajo që mund të jetë punë e rezultat me vlerë i RQ. Objekt i shqyrtimit është dështimi dhe pamfletizmi i tij”, shkruan Fehmi Agani. Në lidhje me këtë reagim, Profesor Qosja, në Ditarin e botuar të tij shprehet i habitur, sepse ai nuk e kishte pritur se ky njeri të reagojë, të tregohet i papërmbajtur. Sipas tij, nuk kishte arsye Fehmi Agani të reagonte, kur dihet se “ai nuk ishte protagonist, madje as personazh me rëndësi si më të dukshme në këtë libër”, shkruan Rexhep Qosja.
Botimi i këtij libri nga përgatitësit vlerësohet me tonë rënduese ndaj Profesor Qosjes. Për më tepër, ata shënojnë se “botimi i një vepre të kësaj natyre, me fyerje dhe me banalitete, pa asnjë vlerë shoqërore, pa probleme e çështje parimore, nuk është një gjë e jashtëzakonshme në Jugosllavi. Vepra dhe skandale të tilla janë një praktikë e rëndomtë e jetës kulturore e artistike atje, qoftë me polemika në shtyp apo me botime librash të veçantë. Kjo quhet prej tyre një lloj letërsie, aq sa R. Qosja pretendon se sjellë një kontribut duke themeluar një zhanër të ri në letërsinë shqiptare. Intelektualë të ndryshëm kosovarë që kanë ardhur në vendin tonë ose me shokët tanë që shkojnë atje, herë pas here, tërthorazi, janë përpjekur të bëjnë sondazhe e të marrin mendimin tonë për këto mosmarrëveshje. Me botimin e librit të R. Qoses, grindja do të thellohet, prandaj mendoj se shokët që do të kenë në të ardhmen kontaktet me ta, duhet të udhëzohen lidhur me qëndrimin tonë”, shkruajnë profesorët Jorgaqi e Bulo. Për disa pakënaqësi të shprehura në Tiranë rreth këtij libri, Profesor Qosjes, disa prej tyre, gojarisht ia sjellë nga Tirana studiuesi Sefedin Fetiu. Në lidhje më këto pakënaqësi të shprehura nga disa në Tiranë, Profesor Qosja shkruan: “Është i madh numri i shpifjeve më absurde që pjesëtaret e klani tonë kulturor kanë çuar në Tiranë”.
Ndërsa, sa u përket qëndrimeve të Profesor Jorgo Bulos, të shkruara në relacion, për të cilin kemi bërë fjalë më lart, edhe Profesor Qosja, pakënaqësitë e kolegut dhe mikut të tij, i shkruan në Ditarin e tij të botuar. Këto pakënaqësi, Profesor Bulo, ia shpreh Profesor Qosjes gjatë një qëndrimi në Prishtinë. “Vërejtjet e tij në lidhje me ‘Morfologjinë e një fushate’ kishin të bënin: e para, me disa shprehje, me disa shprehje që puritanistët do t’i quanin shprehje të ndyta, sikundër është fjala bythec për njërin prej personazheve të librit dhe, e dyta, në lidhje me momentin kur është botuar”, shkruan në mes tjerash Profesor Qosja.
Nuridin Ahmeti/ Koha.net
KOHA JONË SONDAZH

