Mevlan Shanaj: Kamera është stilografi i regjisorit
Në botën e magjishme të ekranit të madh, ku drita dhe hiri ndërtojnë fate njerëzore, regjisori mbetet arkitekti i padukshëm i emocioneve. Por a mund të ekzistojë vizioni pa mjetin që e bën atë të prekshëm? Mjeshtri i mirënjohur i kinemasë dhe televizionit shqiptar, Mevlan Shanaj, përmes një reflektimi të thellë mbi bashkëautorësinë në artin shtatë, na kujton një të vërtetë të madhe: filmi nuk është kurrë triumfi i një njeriu të vetëm. Ai është një simfoni mendjesh, ku çdo dritë, hije dhe lëvizje kamere shkruan historinë. Në rreshtat e mëposhtëm, mes kujtimesh nga sheshxhirimet e filmave që kanë shenjuar kujtesën tonë kolektive dhe referencave nga kryeveprat botërore, Shanaj shtjellon një thënie që kapërcen teknikën: “Kamera është stilografi i regjisorit”. av

Kamera është stilografi i regjisorit
Nga Mevlan Shanaj
Filmi është ndoshta arti më kolektiv që ka krijuar njeriu. Ai lind nga takimi i shumë mendjeve, shumë ndjeshmërive dhe shumë profesioneve. Çdo film është një orkestër ku secili instrument ka rëndësinë e vet, por ku dirigjenti mbetet regjisori. Baza e një filmi është dramaturgjia, pra skenari.
Megjithatë, regjisori nuk është një sundimtar që urdhëron. Ai është krijuesi që di të dëgjojë, të bindë dhe të frymëzojë. Ai duhet të jetë i aftë ta bëjë çdo bashkëpunëtor ta ndiejë filmin si të vetin. Regjisori harmonizon punën me skenaristin, përzgjedh aktorët dhe arrin bashkëveprimin me drejtorin e fotografisë, piktorin e filmit, kompozitorin, montazhierin dhe, padyshim, përcakton krijimin e karaktereve me aktorët. Nga përvoja botërore, njihen bashkëpunimet e Federico Fellini-t me Marcello Mastroianni-n, apo të Martin Scorsese-s me Robert De Niro-n e Tom Cruise.
Në këto bashkëpunime, vendin më të afërt me regjisorin e zënë skenaristi dhe drejtori i fotografisë. Nuk është rastësi që thuhet: “Kamera është stilografi i regjisorit”. Regjisori shkruan me ide, me emocione dhe me ritëm, por ato ide marrin formë përmes syrit të kamerës. Nëse skenari është mendimi, kamera është shkrimi i tij.
Drejtori i fotografisë nuk është thjesht një teknik. Ai është përkthyesi vizual i mendimit të veprës së ardhshme. Një lëvizje kamere, një këndvështrim, një kontrast drite, një plan i gjatë apo një afrim i papritur mund të ndryshojnë tërësisht kuptimin emocional të një skene. Prandaj, marrëdhënia mes regjisorit dhe operatorit ndërtohet mbi besimin e plotë dhe respektin profesional – aq më bukur kur krijohen marrëdhënie të mira miqësore. Ata duhet të arrijnë deri aty sa të kuptohen edhe pa shumë fjalë.
Historia e kinemasë njeh shumë dyshe krijuese që kanë lënë gjurmë pikërisht sepse kanë ndërtuar këtë gjuhë të përbashkët. Martin Scorsese punoi për gati dy dekada me drejtorin e fotografisë Michael Ballhaus, i cili ishte mjeshtër në:
Lëvizjet e gjata dhe fluide të kamerës;
Përdorimin dramatik të dritës;
Kompozimet dinamike;
Kombinimin e realizmit me stilin vizual elegant.
Unë kam në përvojën time bashkëpunime që mund të mbeten si një libër studimi, siç janë projektet e shumta me Pali Kuken dhe me Stefan Gajon. Regjisori, nëse nuk arrin ta ndajë jo vetëm imazhin, por të gjithë mendimin për filmin e ardhshëm me operatorin, filmi humbet një pjesë të shpirtit të tij.
Por bashkëpunimi nuk mbaron këtu. Skenografi ndërton hapësirën ku do të jetojnë personazhet. Kostumografi i jep kohë, karakter dhe identitet figurave. Kështu kujtoj bashkëpunimin e shkëlqyer me piktorin skenograf Fatbardh Marku në filmin “Plumba perandorit”, ku së bashku me kamerën e jashtëzakonshme të Pali Kukes, i dhanë atij filmi përmasa europiane.
Kompozitori krijon emocionin që shpesh nuk shihet, por ndihet – siç është rasti i Aleksandër Lalos në filmin “Të shoh në sy” dhe monumenti i krijimit që ka lënë Kujtim Laro në filmin “Lule të kuqe, lule të zeza”. Montazhieri është bashkautor i ritmit të filmit; në tavolinën e montazhit një film mund të rilindë ose të humbasë (kujtoj bashkëpunimet dhe përplasjet me mjeshtrin Ismail Balla). Regjistruesi i zërit, i paharruari Gjergj Shteto, e kështu me radhë: grimerët, ndriçuesit, producenti, ndihmësregjisorët… Pra, çdo anëtar i ekipit shton një gur në ndërtimin e veprës.
Sekreti i suksesit nuk qëndron vetëm te profesionalizmi individual, por te aftësia për të bashkëpunuar. Në një xhirim lindin vazhdimisht vështirësi: moti ndryshon, koha mungon, aktori nuk e gjen menjëherë gjendjen e duhur, teknika krijon pengesa. Pikërisht në këto momente provohet cilësia e ekipit. Një grup që komunikon dhe respekton njëri-tjetrin i kapërcen pengesat me krijimtari, jo me konflikt. Nga kujtimet e mia, kur na ndodhte që gjatë punës përplaseshim me ndonjë bashkëpunëtor, drekën ose darkën e hanim së bashku për të harruar momentin e padëshiruar.
Regjisori duhet të dijë të pranojë se ndonjëherë ideja më e mirë mund të vijë nga një bashkëpunëtor. Kinemaja njeh plot raste kur një sugjerim i operatorit, i aktorit apo i montazhierit është bërë pjesë e pandashme e një filmi të madh. Regjisori i mençur nuk e sheh këtë si humbje autorësie, por si pasurim të saj.
Filmi është dëshmia se arti më i madh lind kur individualitetet nuk zhduken, por bashkohen në një vizion të përbashkët. Kështu pata një bashkëpunim mbresëlënës me Afrim Spahiun, një profesionist që dinte të krijonte hapësira mirëkuptimi duke respektuar pozicionet respektive.
Prandaj shprehja “Kamera është stilografi i regjisorit” ka një kuptim më të thellë sesa duket. Pikërisht marrëdhëniet e besimit tek ekipi i japin jetë filmit – jo si vepër e një njeriu të vetëm, por si fryt i një bashkëpunimi artistik ku secili lë gjurmën e vet.
Me këtë rast, u shpreh mirënjohje të thellë të gjithë bashkëpunëtorëve të mi, me të cilët besuam dhe mësuam nga njëri-tjetri, duke dhënë përkushtimin më të sinqertë për punën. Ndaj ndihem krenar që, me përpjekje të mëdha, i kemi dhënë shqiptarëve një pjesë madhështore të jetës së tyre; jo vetëm histori, por mbi të gjitha pjesë nga jeta e përbashkët, si në filmat artistikë, ashtu edhe në dokumentarët e shumtë.
Mirënjohje atyre që e krijuan Televizionin Shqiptar – universitetin e dijes për ne të gjithë!
PASURIM
Regjisori dhe aktori, veprimtari i shquar i promovimit të veprave dhe vlerave të atyre që e shndërruan artin në besim, Mevlan Shanaj, materialin e shoqëron me foto:

Fotoja e paraqitur dokumenton një nga ngjarjet më magjepsëse në historinë e fotografisë, krijimin dhe përdorimin e Kamerës Mamuth (The Mammoth Camera) në vitin 1900.
Ky aparat gjigant u ndërtua nga shpikësi dhe fotografi amerikan George R. Lawrence dhe mbetet në histori si kamera më e madhe e thjeshtë (bellows camera) e ndërtuar ndonjëherë.
Kompania hekurudhore Chicago & Alton Railway sapo kishte ndërtuar trenin e saj të ri luksoz, të quajtur “The Alton Limited”. Ata dëshironin një fotografi të vetme, në të gjithë gjatësinë e trenit, për ta përdorur për reklamë. Meqenëse teknologjia e kohës nuk lejonte bashkimin e fotografive pa humbur pastërtinë e detajeve, Lawrence propozoi zgjidhjen ekstreme: ndërtimin e një kamere gjigante.
Kamera peshonte rreth 450 kilogramë, mbi 630 kg kur ishte e ngarkuar me pllakën e xhamit dhe mbajtëset. Kur hpehej plotësisht, ajo arrinte një gjatësi prej rreth 6 metrash.
Për të bërë fotografinë, u përdor një pllakë xhami gjigante me përmasa 2.4 metra me 1.2 metra, e cila kushtonte jashtëzakonisht shumë për kohën dhe kërkonte kujdes të jashtëzakonshëm që të mos thyhej.
Siç shihet edhe në foto, për lëvizjen, montimin dhe operimin e kësaj kamere në terren nevojitej një skuadër e tërë prej të paktën 15 personash. Ajo u transportua në fushë të hapur me një vagon treni të veçantë dhe u montua mbi këtë strukturë druri që vërehet.
Kur fotografia e trenit u dërgua në Ekspozitën Universale të Parisit në vitin 1900, zyrtarët fillimisht refuzuan ta besonin se ishte bërë nga një shkrepje e vetme. Ata menduan se ishte një mashtrim, montazh, derisa u dërguan provat dhe fotot e vetë kamerës gjigante për të vërtetuar ekzistencën e saj.
Kjo foto është dëshmia e përsosur e kohës kur ambicia njerëzore dhe arti i fotografisë nuk njihnin kufij teknikë, duke sfiduar pamundurën me inxhinieri të pastër. AV
KOHA JONË SONDAZH

