Sor Juana, “Muza e Dhjetë”, ajo që besoi dhe u blatua si shembull, se gruaja është një mundësi për transformimin e botës

Nga Albert Vataj
Në horizontin e gjerë të kulturës hispanike, aty ku mendimi, arti dhe besimi ndërthuren në tension dhe krijim, qëndron si një figurë e papërkulur Sor Juana Inés de la Cruz (12 nëntor 1648 – 17 prill 1695), murgeshë hieronime, por njëkohësisht një ndër mendjet më të ndritura të epokës së saj. Ajo ishte shkrimtare, filozofe, kompozitore dhe poete e botës novohispanike, një zë barok që arriti të tejkalojë kufijtë e kohës dhe të vendit të saj.
Që në gjallje, bashkëkohësit e saj e pagëzuan me epitetet që rrallëherë i jepen një gruaje në një shoqëri të ndërtuar mbi kufizime, “Muza e Dhjetë”, “Feniksi Meksikan”, “Feniksi i Amerikës”. Këto nuk ishin vetëm figura retorike, por dëshmi e një pranie që rishkroi vetë parametrat e dijes dhe të krijimtarisë. Ajo nuk u kufizua në letërsi, ishte gjithashtu një studiuese e përkushtuar e shkencës, një kërkuese e palodhur e së vërtetës në të gjitha format e saj.

Në kontekstin e Spanish Golden Age, emri i saj qëndron përkrah figurave si Juan de Espinosa Medrano, Juan Ruiz de Alarcón dhe Garcilaso de la Vega, duke e vendosur atë jo thjesht si një përjashtim të rrallë femëror, por si një nga kontribueset themelore të kësaj epoke madhështore. Sot, ajo konsiderohet gjerësisht si një nga shkrimtaret më të rëndësishme në letërsinë spanjolle dhe atë meksikane, një autoritet që nuk i nënshtrohet më diskutimit, por që vazhdon të frymëzojë rilexime dhe rishqyrtime.
Megjithatë, rëndësia e Sor Juana Inés de la Cruz nuk kufizohet vetëm në dimensionin letrar. Figura e saj ka qenë dhe mbetet një terren i hapur interpretimesh dhe përvetësimesh kulturore. Për disa, ajo është një kandidate për shenjtëri katolike, për të tjerë, një simbol i fuqishëm i nacionalizmit meksikan. Në të njëjtën kohë, ajo është ngritur si një emblemë e lirisë së fjalës, e të drejtave të grave dhe e afirmimit të diversitetit seksual, një figurë që sfidon kategoritë e ngurta dhe që vazhdon të ngjallë polemika dhe debate të thella edhe në ditët tona.
Hyrja në botën e saj nuk është thjesht një udhëtim në jetën e një murgeshe të jashtëzakonshme, por një përballje me një ndërgjegje që refuzoi kufijtë, me një mendje që nuk pranoi të heshtë dhe me një zë që, edhe sot, vijon të kërkojë të drejtën për të menduar lirshëm.

Kur një peshkop u përpoq ta heshtte, duke i thënë të ndalte së shkruari dhe të bëhej ajo murgeshë e bindur që burrat e gjenin të rehatshme, Sor Juana Inés de la Cruz iu përgjigj me një letër pesëdhjetëfaqëshe aq të shkëlqyer, aq të qetë dhe aq shkatërruese, saqë jehona e saj dëgjohet ende më shumë se tre shekuj më vonë.
Dhe brenda asaj mbrojtjeje, ajo futi një fjali që i mbijetoi vetë peshkopit: Mund të filozofosh fare mirë ndërsa gatuan darkën.
Sot tingëllon elegante. Gati e lehtë.
Por pas saj qëndronte një grua që gjithë jetën kishte dëgjuar se mendja e saj ishte shumë e madhe për jetën që bota donte ta detyronte të pranonte.
Ajo lindi si Juana Inés de Asbaje y Ramírez de Santillana në vitin 1648, në Meksikën koloniale, një fëmijë jashtëmartesor në një shoqëri që i vëzhgonte këto gjëra me kujdes dhe i ndëshkonte në heshtje për vite me radhë. Babai u zhduk herët. Nëna e saj nuk dinte të lexonte. Bota në të cilën Juana erdhi nuk dukej e ndërtuar për të nxjerrë një nga mendjet më të mëdha të botës hispanofone.
E megjithatë, disi, e bëri.
Që në moshën 3-vjeçare, Juana kishte mësuar vetë të lexonte, duke u futur fshehurazi në bibliotekën e gjyshit, një vend i ndaluar për vajzat, dhe duke tërhequr dijen drejt vetes. Në moshën 5 vjeç bënte llogaritë e shtëpisë. Kur ishte 8 vjeç shkruante poezi në latinisht. Etja e saj për dije nuk ishte zbukurim apo hijeshi. Ishte e egër.
Kur mësoi se në Mexico City ekzistonin universitete të mëdha, ajo i kërkoi nënës diçka pothuajse të paimagjinueshme: Më lejo të vishem si djalë që të mund të shkoj të studioj atje.
Nëna e saj sigurisht që refuzoi.
Kështu Juana bëri atë që do të vazhdonte të bënte gjithë jetën sa herë që një derë mbyllej, ajo e edukoi veten.
Në moshën 16-vjeçare, shkëlqimi i saj ishte bërë i pamundur për t’u injoruar. Nënmbreti i Spanjës së Re dëgjoi për të dhe organizoi një provë publike. Rreth dyzet nga burrat më të ditur të qytetit, teologë, filozofë, poetë, juristë, u mblodhën për ta pyetur pa përgatitje.
Ajo i sfidoi autoritetet zotëruese të dijes përmes dijes, duke i’u përgjigjur të gjithëve, pa asnjë gabim.
Burrat mbetën të mahnitur. Historia u përhap. Një vajzë adoleshente kishte dalë përballë establishmentit intelektual të Meksikës koloniale dhe e kishte përballuar në kushte të barabarta.
Pasuan kërkesa për martesë, e çfarë tjetër privilegji mund t’i bëhej prezent një vajze të dritur.
Ajo i refuzoi, sepse nuk ishte kjo që ajo po kërkonte.
Jo sepse përçmonte dashurinë, por sepse e kuptonte qartë se martesa do të nënkuptonte pothuajse me siguri fundin e lirisë së saj intelektuale. Kështu, në moshën 19-vjeçare, ajo zgjodhi të vetmen rrugë që u lejohej shumë grave të zgjuara që donin të studionin seriozisht, ajo hyri në një manastir.
Jo vetëm nga përkushtimi fetar, por sepse manastiri mund t’i ofronte atë që bota e privacioneve dhe kufizimeve partriarkale, nuk i jepte dot hapësirë, stabilitet dhe mjaftueshëm privatësi për të menduar.
Ajo u bashkua me Manastirin e Santa Paula, ku rregullat ishin më të buta. Atje, si Sor Juana Inés de la Cruz, ajo i’a mundësoi vetes arkitekturën e një jete që pothuajse asnjë grua e shekullit të saj nuk mund ta ndërtonte. Mblodhi një bibliotekë prej më shumë se katër mijë librash. Koleksionoi instrumente shkencore e muzikore. Shkroi poezi, drama, teologji, filozofi, satirë. Dhoma e saj u kthye në një nga qendrat më të gjalla të dijes në Botën e Re.
Mëkëmbëset e vizitonin.
Shkrimtarët e admironin.
Studiuesit debatonin me të përmes grilave të manastirit.
Veprat e saj kalonin oqeanin dhe botoheshin në Spanjë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Për më shumë se njëzet vjet, ajo jetoi sikur intelekti të ishte një formë përkushtimi. Dhe ndoshta për të, ishte pikërisht ajo, pavarësisht kanoneve të rrepta manastirore. Ajo dëshmoi, ditë pas dite, se mendja e një gruaje mund të përshkonte letërsinë, muzikën, teologjinë, shkencën dhe filozofinë me po aq fuqi sa ajo e çdo burri.
Por shkëlqimi i një gruaje gjithmonë ka trazuar ata burra që përfitojnë duke e quajtur atë të panatyrshëm.
Në vitin 1690, presioni u shtua.
Ajo kishte shkruar një kritikë private ndaj një predikimi jezuitm një ushtrim serioz teologjik. Peshkopi i Pueblës e botoi pa lejen e saj dhe më pas e qortoi publikisht, duke sugjeruar se një grua, sidomos një murgeshë, duhet t’ua lërë mendimin dhe debatet burrave.
Ishte një taktikë e vjetër, e veshur me gjuhë fetare, qëndro e vogël, qëndro e pazëshme, qëndro e dobishme.
Ajo mund të ishte kërkuar falje, mund të tërhiqej, mund të përkulej, por nuk e bëri.
Ajo shkroi duke besuar se përmes fjalës, mendimit dhe reagimit të ishte jo vetëm vetëvetja por mundësia e çdo gruaje për të qenë më shumë se një bindje dhe nënshtrim.
Në vitin 1691, ajo hartoi “Respuesta a Sor Filotea de la Cruz”, një nga aktet më të mëdha të vetëmbrojtjes intelektuale në histori. Ishte e saktë, e ditur dhe e ndërtuar me një qetësi shkatërruese.
Ajo përshkroi historinë e kureshtjes së saj. Çdo pengesë. Çdo qortim. Çdo ndëshkim për dëshirën për të ditur. Shpjegoi se edhe kur i ndalonin librat, nuk ndalonte së menduari, thjesht studionte botën, natyrën, gatimin, muzikën, gjërat e zakonshme.
Dhe pastaj erdhi fjalia monumentale që historia i dha statusin e postulatit:
Mund të filozofosh fare mirë ndërsa gatuan darkën.
Me atë fjali, ajo rrëzoi shekuj përçmimi.
Mendja e një gruaje nuk zhduket sepse duart e saj janë të zëna. Jeta shtëpiake nuk e shuan intelektin. Mendimi nuk është privilegj mashkullor.
Ajo shkoi më tej duke sjellë shembuj nga shkrimet e shenjta, nga bota klasike dhe Europa bashkëkohore, duke argumentuar se gratë gjithmonë kanë qenë të afta për mendim dhe duhet të arsimohen.
Ishte elegante, ishte e egër dhe shumë përpara kohës së saj.

Swiss Digital Mobile Reklama

Kisha nuk e admiroi këtë përgjigje dhe nuk do të dakordësohej me këtë kryedritje gruaje.
Presioni u rrit. Deri në vitin 1694, ajo u detyrua të heqë dorë nga shumëçka që ushqente jetën, pasionin dhe aspiratat e saj intelektuale. Biblioteka e saj u shit, instrumentet u dhuruan. Ajo nënshkroi deklarata pendese. Shkrimi i saj pushoi. Dielli i saj u fik.
Ishte një nga tragjeditë më të mëdha të historisë letrare që gruaja që mbrojti me aq shkëlqim lirinë e mendjes femërore u shty drejt heshtjes nga vetë institucioni që dikur e kishte mbrojtur.
Në vitin 1695, murtaja goditi manastirin, ajo bëri atë që bënte gjithmonë përballë vuajtjes,
shërbeu me përkushtrim vetmohues.
U kujdes për murgeshat e sëmura, në kushte ku infeksioni përhapej shpejt. Më 17 prill 1695, ajo vdiq kur ishte vetëm 46 vjeçe.
Por heshtja nuk fitoi, fjalët e saj mbijetuan, dhe me kohë, u bënë më të mëdha, triumfoi.
Sot, Sor Juana Inés de la Cruz njihet si një nga shkrimtaret më të mëdha të Epokës së Artë spanjolle. Vendlindja e saj mban emrin e saj. Fytyra e saj shfaqet në monedhën meksikane. UNESCO nderon veprën e saj.
Sot ajo quhet me emrin që historia e vonoi ta pranonte, feministja e parë e Amerikave.
Dhe ajo fjali e saj jeton ende, sepse gratë ende kanë nevojë për të.
Gra që studiojnë pasi vënë fëmijët në gjumë.
Gra që lexojnë mes turneve.
Gra që shkruajnë në tavolinat e kuzhinës.
Gra që ndërtojnë jetë, karrierë, art, dije ndërsa bota ende përpiqet t’u thotë se intelekti u përket më shumë burrave.

Ajo e kuptoi këtë gënjeshtër shumë përpara se të kishte fjalë për ta përshkruar.
Mendja e një gruaje nuk fiket sepse hyn në kuzhinë, as në manastir, as në asnjë hapësirë që shoqëria e kufizon si caqet ku i njihen të lejuara.
Ajo mund të gatuajë, mund të mendojë, mund të shkruajë, mund të debatojë teologji, mund të ndryshojë letërsinë, mund të ndryshojë historinë, mund të jetë një mundësi për transformimin e botës përmes rolit dhe përkushtimit të saj.
Gjithmonë ka mundur.
Dhe ajo e dëshmoi këtë, me një mendje aq të bukur, me një penë aq të mprehtë, sa i mbijetoi çdo peshkopi që u përpoq ta heshtte dhe atij realiteti që ju kundërvu vetëm sepse zgjodhi të ishte e barabartë, dinjitoze, sfiduese, e meritueshme, edhe pse grua.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?