Home Kultura Kur kënga na ...

Kur kënga na kujton se ndjenja është gati t’i blatohet “Copa Copa” hyjnisë së dashurisë (VIDEO)

84
0

Nga: Albert Vataj

Fjalët ju bëjnë të mendoni, muzika ju bën të ndjeheni të përfshirë nga ndjenja, kënga ju bën të kridheni në mendime, ky është ai përkufizim që do tu udhëprinte në përfshirjen emocionale të këngës, “Copa Copa”, me tekst nga Endrit Mumajesi, muzikë nga Kledi Bahiti, kënduar me një forcë të shpirtshme kumtimi artistik, nga dueti Mateus Frroku & Eli Fara.

Bashkëpunimi, Mateus Frroku & Eli Fara e ka pasuruar galerinë e këngës shqiptare me një prurje sa origjinale aq dhe të arrirë, në të gjithë komponentët shprehës estetik dhe artistik… dhe klipi është qershia mbi tortë. Mateus Frroku & Eli Fara, ky dualitet i himnizimit të këngës, vjen për të rrëfyer forcën që ka dashuria, për të na bërë “Copa Copa” në altarin e një besimi shpirti. Ata vijnë nga qyteti i serenatave, nga atje ku zemra mund ta ngrejë ndjenjën deri në një shpërthim galaktik, duke e ndarë atë në “Copa- Copa”. Këto dy identitete dhe personalitete autentike të muzikës shqiptarem rivijnë në realitetin artistik me këtë këngë, me pretendimin se ajo do të jetë HIT-i i verës. Por është vetë këngam ajo që i qaset të sotmes së davaritur nga makth i pandemisë, me vlerën e një hajmalie mbrojtëse nga toksikimi që ka lëshuar kjo lëngatë, nga pesimizmi, plagët dhe dhimbja që ka lënë pas kjo zezonë. Ajo sjell dashuri, ndjenjë, pasion, forcë përjetimi. Sjell çfarë e paqëson shpirtin tonë të lënduar.

Ajo vjen në këtë ringritje, në këtë stinë të përtëritjes, për të trokitur në çdo zemër dhe hapur çdo derë, për të shndritur çdo buzëqeshje dhe stolisur gëzimet familjar. Vjen kjo këngë në çdo kurorëzim dashurie dhe në çdo ceremonialitet dasme. Pretendimi i tyre është i qartë, por më vetëbesues është komponenti artistik, me të cilën ata hyjnë në këtë sfidë, në këtë ambicie, e cila dëshmon jo vetëm qasje populiste të admirimit por edhe konsiderim vlerash artistike.

/Zemra iku lart, tek ti më fluturoj/ Hajde më mbani – Hajde më mbani/ Merri sytë e mi, unë dashurinë se ndërroj/ Se e besoj, se e besoj/… starton melodioz dhe përshkues, zëri i të madhes Eli Fara nën vargjet dehëse të Endrit Mumajesi. Kumbim i shpirtshëm që shtrin jehueshëm thirrjen, e cila vjen si një joshje e ngrohtë dhe e dorëzuar përkushtueshëm, nga Mateus Frroku, me vargjet… /Jetën ta dhash, se të kam dashtë/Shpirti më spo mban/Shpirti më spo mban/. Ky zjarr padurimi i ndezur shpërthen në një refren flakërues ndjenjash, në një përmendje të fortë përjetimi… /Atë që desha, desha mora/Atë që desha, desha zgjodha/Ma puthe shpirtin/N’zemër të afrova/ O Copa-Copa për ty u bona/.

Duket se kjo lojë pasioni, kjo kolovitje e prushtë fjalësh e zërash që zjarrmojnë, fton shpirtrat që dorëzohen, dhe këngëtarja Eli Fara, që ofrohet blatueshëm me zërin e saj… /Para teje dot nuk mund të jem e fort/ Aman amani- Aman amani/ Njëherë djeg pastaj më bën për ujë të ftoftë/ Pa ty e kot, pa ty e kot/.

Teksti në një harmoni me zërin e këngëtarëve, shprehia e gjendjes që krijohet në këtë inskenim të kompozuar, arrijnë të përçojnë atë energji që në vetvete përcjell ndjenja, dashuria, forcë e cila përmes artit, përmes këngës, bëhet më depërtuese, me shpirtërore dhe më ndjeshme.

Mos vallë kënga lindi njëherash me zjarrin që njeriu ndjeu brenda vetes, zjarre të cilat e hodhën atë në atë pushtet që ndjenja imponon si një pushtet, si një sundim. Natyrisht, arti dhe artistët na dhuruan shpirtin dhe talentin e tyre si shpërblim dhe ne i mbetemi falënderues çdo mundësi që është e tillë bujare.

Muzika e Kledi Bahitit është ai zgjatim i vetë muzikalitetit të poezisë së Endrit Mumajesi, miklimit dehët të zërit të Eli Farës dhe vokalit joshës të Mateus Frrokut. Në një përcjellje të këngës, ne jepemi në këtë dorëzim të ëndjes sonë, për tu ndjerë në këtë fluturim ndjenjash të idealizuar kaq mjeshtërisht. Secili nga ne bëhet pjesë e saj, sepse ka nevojë të jetë i depërtuar nga kjo përfshirje, nga ky përjetim.

Shpesh arti, ka arritur të shkallëmojë murin ku ne mbajmë të burgosur vetveten. Dhe është një këngë, janë ca fjalë, është një kolorit vokal, është një panoramë joshëse dhe plot epsh, që na kthen lirinë, na thërret të hidhemi në krahët e ndijimit, të gatshëm për tu bërë “Copa Copa”, si në një akt sublim “vetëflijimi”, për çfarë kemi në jetë më të shtrenjtë, dashurinë. Ndaj, dëgjojeni këtë këngë, me të njëjtin përkushtim që do të kishit për të përgjuar çdo pipëtitje të heshtjes, ligjërim i cili tenton të na thotë diçka të çmuar, diçka thelbësore për jetën, për dritën, për lirinë, për përjetësinë.

“Copa Copa” është një këngë e bukur dhe si e tillë përfton të jetë e preferuara e dëshirimeve tuaja muzikore, sepse atë e sjellin dy zëra dhe një duet, dy breza dhe një mendësi, e sjellin ata që kanë mbi vete ambicie dhe përgjegjësi artistike, ata që përfaqësojnë një qytet dhe një traditë, Eli Farta-Mateus Frroku. Bëjeni tuajën këtë mundësi, kësisoj dhe do ta ndjeni se si poezia dhe muzika, zërat e harmonishëm të dy zemrave vijnë në këtë kopulim, për të ndarë me ju shkëlqimin e një yllë, përmes një shpërthimi, përmes një shndërrimi “Copa Copa”.

Ndoshta me herën e parë kjo këngë do ta ketë të vështirë të depërtojë thellë jush, aq thellë sa të zgjojë tek ju kujtime, të grish prej jush kohëra dhe ngacmime, duke u rrekur të ribëjë në një çast të vetëm, një botë që fare papritur dhe pikëllueshëm, kujtoheni sa paska jetuar ende tek ju, edhe pse kishit kohë që zemërthyer ishit ndarë me një lamtumirë.

Ja se çfarë është në gjendje të bërë arti, të bëjë kënga, të bëjë poezia, muzika, ajo që u krijua për lartësimin e hyjnimit të së mistershmes brenda nesh dhe shndërrimit të çdo momenti dehës të zërave, në altar. Ku shpirti ynë gjen prehje. Ku besimi ynë jepet dëshirueshëm në sublimimin e ndjenjës, dashurisë. Ku, kur i blatohemi “Copa Copa” hyjnisë së zemrave, për çfarë ndihemi në prehjen dhe dehjen e asaj dhimbjeje dhe gëzimi që na lumturon.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Showbizi

Më shumë nga Showbiz

Lajmet e Fundit

Te Fundit