Home KRYESORE Vritet një po...

Vritet një polic në Mitrovicë/Kurti viziton policin e plagosur në Veri: Sulmet u orkestruan nga Serbia

48
0

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka vizituar policin e plagosur sot në Veriun e Kosovës, Alban Rashiti, i cili po trajtohet në QKUK.

Kurti ka shkruar në Facebook, se kriminelet e orkestuar nga Serbia kanë hedhur granate dore në drejtim të Policisë së Kosovës, të dielën.

Ai thotë se orkestrimi është bërë nga Serbia.

”Operacioni i heqjes së predhës nga krahërori i majtë i policit Alban Rashiti është kryer me sukses sot në mëngjes. Predha ishte e një granate dore që e hodhën kriminelët e orkestruar nga Serbia në drejtim të policisë së Kosovës gjatë sulmit të tyre terrorist afër urës në Banjskë të Zveçanit. Gjatë vizitës në Klinikën Kirurgjike të QKUK-së takova edhe familjen e Albanit e cila erdhi nga Velekinca e Gjilanit. Polici i plagosur Alban Rashiti do të lirohet sot nga spitali”, ka shkruar Kurti në Facebook, të dielën.

Ai ka treguar se në ora 10: 00 ka mbledhje të Këshillit të Sigurisë të Republikës së Kosovës.

Në orët e para të mëngjesit një polic i Kosovës në Veri është vrarë. Ndërkohë vazhdojnë sulmet ndaj Policisë së Kosovës, qëllohet stacioni policor në Leposaviq.

Është ende e nxehtë situata në veri të Kosovës, pas vrasjes së një rreshteri të policisë dhe plagosjes së një tjetri.

Të shtëna sporadike në drejtim të forcave të Kosovës, raportohen nga disa drejtime, ku mendohet se janë pozicionuar personat e maskuar.

Sipas mediave të Kosovës, autorët e sulmit vazhdojnë të qëndrojnë ende në Manastirin e Banjska me mjete të blinduara, ndërkohë që kanë qëlluar dhe ndaj stacionit policor në Leposaviq shkruan Express.

KRONIKA E NGJARJES:

Një pjesëtar i policisë së Kosovës është vrarë dhe një tjetër është plagosur në një sulm në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Përmes një komunikate, policia tha se rreth orës 02:34 njësitet për reagim të shpejtë e kanë vërejtur se në hyrje të fshatit Banjskë, në urë janë vendosur dy mjete të rënda kamionë pa targa, duke e bllokuar lëvizjen.

“Njësitë e rendit të stacionit policor Zveçan, pas pranimit të informacionit, i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit dhe posa kanë mbërritur në afërsi të vendit, ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë”.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti shkroi se në sulmin në fshatin Banjskë të komunës së Leposaviçit mbeti i vrarë një rreshter i policisë.

“Ne e dënojmë këtë sulm kriminal e terrorist. Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë. Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjin, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur. Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen e dënohen”, shkroi kryeministri Kurti në rrjetet sociale.

Ai tha se qeveria e Kosovës dhe institucionet e shtetit janë të gatshme dhe të bashkërenduara për t’iu përgjigjur “krimit dhe kriminelëve, terrorit dhe terroristëve. Vrasja e një polici dhe plagosja e një polici tjetër në veriun e Kosovës, e planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe, është sulm ndaj rendit dhe ligjit në veriun e vendit, është sulm ndaj Kosovës”, shkroi ai.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani që ndodhet në Nju Jork tha se ka ndërprerë të gjitha takimet dhe do të niset për në Kosovë. “Këto sulme dëshmojnë edhe njëherë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia, të cilat prej shumë kohësh, siç është dëshmuar edhe me sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve, po e destabilizojnë Kosovën dhe rajonin”.

Ajo tha se sulmet e organizuara kundër forcave të rendit janë sulme kundër sovranitetit të Kosovës.

“Përveç dënimit të ashpër të këtij agresioni të hapur të Serbisë ndaj Kosovës, pres që aleatët tanë ta mbështesin Kosovën në përpjekjen e saj për vendosjen e rendit dhe ligjit si dhe ruajtjen e sovranitetit në çdo pjesë të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e presidentes Osmani.

Vrasja ndodhi në një kohë tensionesh të larta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit