
12 persona janë arrestuar dhe 19 të tjerë janë proceduar penalisht pas akteve të dhunës të regjistruara gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë në Tiranë.
Sipas njoftimit të Policisë, protestuesit kanë goditur efektivët me sende të forta, lëndë piroteknike dhe bomba molotov, si dhe kanë bllokuar qarkullimin rrugor dhe dëmtuar pronën publike.
Si pasojë e incidenteve, 17 punonjës policie kanë mbetur të lënduar. Ndërkohë, në kuadër të hetimeve janë identifikuar dhe arrestuar 12 persona, ndërsa 19 të tjerë janë vënë nën procedim penal.
Policia bën me dije se hetimet po vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë, me qëllim dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në aktet e kundërligjshme.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë
Kundërshtuan dhe goditën me sende të forta, lëndë piroteknike dhe bomba molotov punonjësit e Policisë, bllokuan qarkullimin dhe dëmtuan pronën publike. Arrestohen 12 shtetas dhe procedohen penalisht 19 të tjerë.
Gjatë tubimit të zhvilluar një ditë më parë u lënduan 17 punonjës policie.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera nën drejtimin e Prokurorisë për dokumentimin ligjor të akteve të dhunës, u arrestuan 12 shtetas, ndërsa 19 të tjerë u proceduan penalisht.
Specialistët për Hetimin e Krimit, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprat penale që lidhen me organizimin dhe pjesëmarrjen në grumbullime të paligjshme, prishjen e qetësisë publike, kundërshtimin e punonjësve të Policisë, shkeljen e rregullave për lëndët plasëse dhe djegëse, pengimin e qarkullimit, shkatërrimin e pronës me zjarr dhe mbajtjen pa leje të armëve shpërthyese e municionit.