Apeli i GJKKO rrëzon kërkesën e Veliajt. Plarent Ndreca: Absurde që kryebashkiaku ta pësojë nga një i pandehur tjetër
Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar kërkesën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për shfuqizimin e një vendimi të Shkallës së Parë për pezullimin e afateve të paraburgimit.
Avokati Plarent Ndreca tha se pezullimi i afateve bëhet edhe në mënyrë kolektive duke bërë që sjellja e një të pandehuri të ndikojë te një tjetër.
“Është një standard me sa duket i vendosur në gjykatën e Shkallës së parë dhe të Apelit kur pezullimi i afatit të paraburgimit të bëhet edhe për arsye që nuk lidhen fare me personin në akuzë, pra përkthehet në një zgjatje të afateve të paraburgimit në mënyrë kolektive. Pra, nga sjellja e një të pandehuri e pëson edhe një i bashkëpandehur, që në këndvështrimin tonë është një gjë absurde dhe antikushtetuese. Sigurisht, ne do i ndjekim të jgithë shkallët, deri në Gjykatën Kushtetuese dhe në Strasburg, për të zhbërë këtë lloj praktike e cila siç thashë, duket e kalçifikuar dhe ëshët në cënim të plotë të lirive dhe të drejtave të njeriut. Arsyeja e dytë pse ishim sot është këmbëngulja që ne kemi në lidhje me çështjen e themelit, për provat digjitale të pahapura që unë po kërkoj nga sekretaria dhe kancelari që të mos preken pa prezencën tonë me një proces verbal dhe unë po kërkoj që të mos cënohet ajo provë që ne na jep të drejtën që ne ta godasim në gjykime më të larta, pra në Gjykatën e Apelit gjithë procesin i cili është bazuar në ca prova të pahapura nga vetë gjykata. Pra gjykata ka marrë vendim, siç e kam thënë edhe në gjykimin në themel, ka marrë vendim për çështjen, pa i parë të gjithë provat vetë. Kjo ishte një ndër arsyet se pse isha sot dhe bëra një kërkesë Sekretarisë, në mënyrë që të mos preken CD, pa prezencën tonë dhe pa u mbajtur proces verbal mbi situatën faktike të dosjes”, tha Ndreca.
Lidhur me pranimin e kërkesës së Ilir Beqajt nga GJKKO që ish-ministri të mos qëndrojë më në kafazin e xhamit, Ndreca u shpreh:
“Është një shpresë për të gjithë ata që nuk paraqesin rrezikshmëri të posaçme dhe në kuptimin e dhunës fizike për të mos qëndruar në kafaz. Është për të gjithë ata që duan ta ushtorjnë mbrojtjen në mënyrë efektive. Është element bazik i një procesi të rregullt ligjor”, teksa shtoi se do të kërkojnë çdo të drejtë kushtetuese.
KOHA JONË SONDAZH

