FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

Drejtori i IEVP Peqin, Altin Ago: “Asnjë përpjekje për presion nuk na lëkund, vijojmë të vendosur në zbatimin e ligjit”

Drejtori i Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Peqin, Altin Ago, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke theksuar vendosmërinë e tij dhe të stafit të institucionit për të vijuar punën në funksion të sigurisë, rendit dhe zbatimit të ligjit, pavarësisht asaj që ai i cilëson si tentativa për intimidim dhe dezinformim.

Në mesazhin e tij publik, Ago e përshkruan drejtimin e një institucioni penitenciar të sigurisë së lartë jo thjesht si një detyrë administrative, por si një përgjegjësi me peshë të veçantë publike dhe shtetërore.

“Puna si drejtues në një institucion penitenciar të sigurisë së lartë nuk është thjesht një detyrë; është një mision”, shkruan ai, ndërsa publikon edhe një fotografi së bashku me efektivët e sigurisë së burgut të Peqinit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Duke vënë në dukje sfidat me të cilat përballet sistemi penitenciar, Ago shprehet se çdo përpjekje për forcimin e ligjit dhe rritjen e standardeve të sigurisë shpesh shoqërohet me sulme, presione apo materiale që, sipas tij, nxirren jashtë kontekstit për të krijuar perceptime të gabuara në opinionin publik.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Sot, në vijën e parë me forcat tona të sigurisë në IEVP Peqin. Jemi të vetëdijshëm se çdo vendim i drejtë dhe çdo hap përpara në forcimin e ligjit shpesh ndeshet me tentativa për të na intimiduar përmes dezinformimit apo materialeve të vjetra, të nxjerra jashtë kontekstit”, shprehet drejtori i institucionit.

Ai thekson se këto përpjekje nuk ndikojnë në punën e strukturave drejtuese dhe të stafit të burgut, por, përkundrazi, shërbejnë si motivim për të forcuar më tej angazhimin në përmbushjen e detyrave ligjore.

“Dua ta bëj shumë të qartë: asnjë përpjekje për presion nuk më lëkund. Përkundrazi, na gjen më të bashkuar dhe më të vendosur për të garantuar zbatimin e ligjit me integritet dhe profesionalizëm”, deklaron Ago.

Në fund të mesazhit të tij, drejtori i IEVP Peqin vlerëson punën e ekipit të sigurisë dhe shpreh bindjen se institucioni që ai drejton do të vijojë të kryejë misionin e tij me përgjegjësi të plotë.

“Ekipi ynë është i palëkundur. Institucioni është më i fortë se çdo zhurmë apo sulm mediatik, qoftë nga individë të larguar apo brenda sistemit. Ne vazhdojmë përpara, me ndërgjegje të pastër dhe me fokus të plotë te siguria, rendi dhe stabiliteti”, përfundon Drejtori i IEVP Peqin, Altin Ago.

Deklarata vjen në një moment kur çështjet e sigurisë në institucionet penitenciare dhe integriteti i strukturave të tyre vijojnë të mbeten në qendër të vëmendjes publike, duke nxitur debat mbi sfidat dhe përgjegjësitë që mbart administrimi i burgjeve të sigurisë së lartë në vend.

AV

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?