
Situata te Ministria e Brendshme është përshkallëzuar gjatë protestës kombëtare të studentëve këtë të shtunë, ku zona është mbuluar nga një re e dendur gazi lotsjellës, ndërsa policia ka ndërhyrë për shpërndarjen e protestuesve.
Edhe pse protestuesit po tërhiqeshin, efektivët e policisë kanë vijuar përdorimin e gazit lotsjellës me argumentin e shpërndarjes së turmës. Në trotuar janë konstatuar edhe kapsula të gazit lotsjellës, të cilave, sipas pamjeve, u mungonte shënimi i datës së skadencës.
Në terren janë angazhuar dhjetëra efektivë policie dhe dy automjete ujëhedhëse. Siç duket edhe nga pamjet e regjistruara me dron, automjetet kanë hedhur sasi të mëdha uji me presion në drejtim të protestuesve, në përpjekje për të shpërndarë turmën.
Studentë dhe qytetarë që janë bërë pjesë e tubimit kanë deklaruar se dorëheqja e kryeministrit Edi Rama mbetet kërkesa e tyre kryesore, duke e cilësuar atë si një kërkesë të panegociueshme. Protesta vijon në një klimë tensioni, ndërsa qytetarët kërkojnë largimin e kreut të qeverisë.
