Skuadra e Interit në audiencë te Papa Leoni XIV: “Jeni heronj për të rinjtë, keni përgjegjësi të madhe”
Një vizitë institucionale dhe një takim emocionues shënoi ditën e ekipit të Interit.
Kampionët e Italisë u pritën në një audiencë private nga Papa Leoni XIV në Sallën e Konsistorit të Vatikanit. Papa, i cili sapo ishte kthyer nga një udhëtim në Napoli në përvjetorin e parë të pontifikatit të tij, përgëzoi skuadrën për suksesin e arritur. Ai theksoi se titulli ishte fryt i një angazhimi të madh, lojës në skuadër, disiplinës dhe qëndrueshmërisë, cilësi që ata kishin ditur t’i ruanin si në momentet entuziazmuese, siç ishte festa pas ndeshjes së fundit, ashtu edhe në ato të vështira, pa u dekurajuar apo dorëzuar. Fjalimi i Papës u parapri nga bekimi i tij.
Njëkohësisht, Ati i Shenjtë i ftoi protagonistët e futbollit të përcjellin një “mesazh të dobishëm” për të rinjtë.
“Shumë prej tyre këto ditë ju shohin si ‘heronjtë’ e tyre, si modele për t’u imituar, dhe kjo ju ngarkon me një përgjegjësi që shkon përtej performancës sportive dhe ju kërkon, si sportistë, të jeni dëshmitarë të vlerave,” tha Papa. Ai theksoi rëndësinë e kësaj, pasi të rinjtë sot kanë vërtet nevojë për modele, dhe ajo që bëjnë sportistët ka një ndikim që mund të jetë pozitiv ose negativ në jetën e tyre.
Papa Leoni XIV kujtoi më pas fjalët e Gjon Palit II, i cili takoi Interin në Vatikan në vitin 1991: “Bëni që shumë njerëz të njohin tek ju dhe në sjelljen tuaj autenticitetin dhe drejtësinë e patundshme.”
Delegacioni i Interit përbëhej nga rreth 70 persona. Përveç drejtuesve, stafit teknik dhe të gjithë skuadrës, të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e Oaktree: Cano, Ralph dhe kolegët e tyre. Papa përshëndeti një nga një të gjithë të ftuarit me një shtrëngim duarsh, duke u dhuruar atyre nga një rruzare.
Nga ana e tij, presidenti i Interit, Marotta, i dhuroi Atit të Shenjtë një fotografi historike dhe një fanellë me numrin 10 dhe emrin “Leoni XIV”.
Grupi zikaltër u kthye në hotel rreth mesditës për drekë, përpara se të nisej drejt stadiumit Olimpik për ndeshjen e kampionatit kundër Lazios.
Marrë nga La Gazzetta dello Sport

KOHA JONË SONDAZH

