Nga Gjermania në Shqipëri, tre të rinj prezantojnë projektet në podkastin “Flasim”, episodi 23, sezoni 6
Kryeministri Edi Rama në episodin 23, të sezonit 6 të podkastit “Flasim”, kishte të ftuar tre të rinj, Xhoana Sitën, Marin dhe Armand Sherën, të rikthyer nga Gjermania për të investuar dhe sjellë eksperiencën e tyre në Shqipëri.
Xhoana Sita, e cila operon në fushën e rekrutimit të fuqisë punëtore, tha se vendosi të rikthehej për të investuar në Shqipëri pas disa vitesh jetese në Gjermani.
Sipas Sitës, sektori i turizmit dhe hotelerisë po ofron paga konkurruese. Ajo shtoi se bizneset preferojnë fillimisht të punësojnë punonjës vendas dhe vetëm më pas kërkojnë staf nga jashtë. Mesatarisht, kompania e saj sjell 80 deri në 100 punonjës të huaj në muaj, ndërsa gjatë sezonit turistik ky numër rritet ndjeshëm.
“Jam kthyer nga Gjermania për të investuar në Shqipëri. Disa vite atje më treguan se nuk ishte aq e thjeshtë dhe më mungonin shumë gjëra nga Shqipëria. Nga një person që vija një herë në vit në Shqipëri tani rri 8 muaj këtu, pasi të gjitha bizneset kanë nevojë për fuqi punëtore dhe i suportoj tek kjo pjesë. Të gjitha kompanitë kanë nevojë për punonjës. Në hoteleri pagat janë shumë të mira. Një shef kuzhine në një restorant në jug paguhet nga 2000 deri në 2200 euro, një kamerier paguhet 1000 euro.
Klientët e mi më thonë se kërkojnë fillimisht punonjës vendas, pastaj kërkojnë punonjës të huaj. Për ta është me leverdi për të marrë punonjës nga vendi se nga jashtë. Mesatarisht sjell 80-100 persona të huaj në muaj. Në sezon veror është shumë herë më i lartë. Kemi klientë nga Thethi, deri në Sarandë. Shqipëria po ndryshon për mirë, rrogat janë rritur shumë”, tha Sita.
Nga ana tjetër, Marin Shera, inxhinier ndërtimi, i cili jeton në Gjermani që prej vitit 2012, tregoi se pas krijimit të bazave profesionale atje, ka vendosur të investojë edhe në Shqipëri.
Shera bëri të ditur se marka e tyre ka zhvilluar jo vetëm projekte për supermakina, por edhe jahte dhe produkte të tjera industriale. Sipas tij, sjellja e kësaj eksperience nga Gjermania në Shqipëri mund të shërbejë si katalizator për zhvillimin e kapaciteteve vendase dhe forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Kam ikur në Gjermani në vitin 2012. Kam studiuar për inxhinieri ndërtimi në Gjermani. Ne pasi kemi arritur disa baza në Gjermani, unë drejtoj një zyrë inxhinierike. Tani kemi mundësinë që të kthehemi në Shqipëri dhe kemi krijuar workshop për prodhimin e makinës, por duam që të tërheqim dhe këtu potencialin vendas për të punuar për projekte të përbashkëta. Brandi jonë përveç supermakinës kemi bërë dhe jahte dhe produkte të tjera industriale dhe mendojmë se zhvillimi i një projekti dhe puna që po sjellim nga Gjermania në Shqipëria, do të ishte një katalizator shumë i mirë për zhvillimin e kapaciteteve vendase dhe bashkëpunimin mes dy shteteve, pasi unë e shoh gjithë Evropën si një shtet shumë të vogël”, tha ai.
Ndërkohë, i vëllai, Armand Shera, arkitekt në Mynih, deklaroi se projekti i tyre më ambicioz është ndërtimi i një makine të re, ku pjesa e konstruksionit po realizohet në Gjermani, ndërsa prezantimi zyrtar do të bëhet në Tiranë.
“Kam studiuar për arkitekturë. Punoj si arkitekt në Mynih dhe jetoj atje që prej 2019-ës. Ne do të bëjmë një makinë të vërtetë. Pra pjesa sa i përket konstruksionit po ndërtohet në Mynih. Por kemi menduar se prezantimin ta bëjmë në Tiranë. Kjo mund të arrihet me punë intensive brenda një viti. Për momentin do të realizojmë një prototip për qëllime ekspozimi që jemi të gatshëm që ta mbarojmë brenda një viti”, tha ai.
ATSH
KOHA JONË SONDAZH

