
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike pritet të rikthehen të hënën në tryezën e Reformës Zgjedhore, pas disa muajsh ndërprerjeje. Komisioni i Posaçëm Parlamentar do të rifillojë punën, megjithëse mes palëve ende nuk ka dakordësi për agjendën që do të diskutohet.
Sipas burimeve nga Partia Demokratike, rendi i ditës është përcaktuar nga socialistët, të cilët kërkojnë plotësimin e kuadrit ligjor për zhvillimin e zgjedhjeve vendore pas miratimit të ndarjes së re territoriale, që parashikon ndarjen e vendit në 46 bashki.
Në mbledhjen e së hënës janë parashikuar dy çështje kryesore. E para lidhet me detyrimet që burojnë nga legjislacioni për vetëqeverisjen vendore në kuadër të Reformës Zgjedhore. Çështja e dytë ka të bëjë me vijimin e diskutimeve për projektligjin “Për financimin e partive politike” dhe elementet e tjera të mbetura pezull nga reforma.
Bashkëkryetari demokrat i Komisionit, Oerd Bylykbashi, kërkon që puna të përqendrohet te zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Sipas tij, ndryshimet duhet të synojnë gjithashtu garantimin e ndarjes së shtetit nga partia në pushtet.
Dallime mes PD-së dhe PS-së ka edhe për sistemin zgjedhor. Demokratët mbështesin lista 100% të hapura, përfshirë edhe zgjedhjen e anëtarëve të këshillave bashkiakë.
Socialistët, nga ana tjetër, janë shprehur të gatshëm për diskutimin e sistemit zgjedhor, por kërkojnë që në paketën e ndryshimeve kushtetuese të përfshihet edhe propozimi për reduktimin e numrit të deputetëve nga 140 në 101.
Komisioni i Reformës Zgjedhore bashkëdrejtohet nga Oerd Bylykbashi i PD-së dhe Damian Gjiknuri i PS-së. Mandati i këtij komisioni përfundon në fund të muajit nëntor.
