Rama për DW: Në Shqipëri nuk ka krizë besimi, dorëheqja nuk është opsion. Bulevardi është i qytetarëve
Kryeministri Edi Rama në një intervistë për ”Deutsche Welle”, ka folur për një sërë temash që lidhen me investimet e huaja në turizëm, demokracinë dhe protestat. Sa i përket kritikave për mungesë besimi dhe standarde demokratike, ai i hodhi poshtë pretendimet për krizë besimi, duke e përshkruar vendin si një shembull të lirisë dhe demokracisë ku qytetarët kanë hapësirë të plotë për të protestuar. Në lidhje me projektet e zhvillimit bregdetar dhe përfshirjen e investitorëve ndërkombëtarë, Rama theksoi se fokusi i qeverisë është tërheqja e investimeve të huaja direkte dhe zhvillimi ekonomik, duke refuzuar të komentojë mbi individë të përfshirë në projekte konkrete. Ai mohoi kategorikisht akuzat për privatizim të hapësirës publike dhe tha se ndryshimet ligjore në fushën e mjedisit janë në përputhje me standardet evropiane dhe procesin e integrimit në BE.
INTERVISTA E PLOTË
Gazetarja: Kryeministër Edi Rama, ndodhemi këtu në Jahrhunderthalle, ku sapo ju dëgjuam të mbani një fjalim kryesor mbi inteligjencën artificiale, demokracinë, pushtetin dhe qeverisjen. Shqipëria pritet të përfitojë një fluks të konsiderueshëm investimesh, po flasim për rreth 4 miliardë euro që pritet të vijnë nga projektet e zhvillimit të turizmit përgjatë vijës bregdetare. Pyetja ime e parë është: çfarë roli do të luajë inteligjenca artificiale në mbikëqyrjen e këtyre investimeve, për t’u siguruar që të dihet qartë se ku do të shkojnë këto para dhe si do të përdoren?
Rama: Nuk e shoh ndonjë lidhje mes këtyre dy çështjeve, por ajo që mund të them është se, përmes inteligjencës artificiale, ne mund të fitojmë çdo ditë më shumë njohuri dhe të përfitojmë nga një asistencë me kapacitete tërësisht të paimagjinueshme për të na informuar dhe për të na këshilluar. Ky është drejtimi ku do të shkojmë.
Gazetarja: Po sa i përket çështjes së besimit? Ju folët për arkitekturën e pushtetit, por aktualisht, në Shqipëri duket se ka një krizë besimi ndaj kësaj arkitekture. Protestuesit flasin për mungesë standardesh demokratike, mungesë konsultimi me publikun dhe mungesë mbikëqyrjeje. Si do t’i bindni ata se këto mekanizma ekzistojnë dhe po funksionojnë?
Rama: Në Shqipëri nuk ka një krizë besimi. Përkundrazi, Shqipëria është një shembull i bukur i lirisë dhe i demokracisë në veprim, ku bulevardi u përket njerëzve nga të gjitha shtresat e shoqërisë, të cilët kanë pikëpamjet e tyre dhe duan që zëri i tyre të dëgjohet. Kjo është një vlerë për Shqipërinë, jo një problem për të.
Gazetarja: Do të doja të flisnim për bukurinë, sepse si artist ju e kuptoni rëndësinë e saj dhe e kuptoni se si transformimi i hapësirës publike mund të ndryshojë mënyrën se si një komb e shikon veten. Nëse e ardhmja e Shqipërisë do të marrë formën e një resorti luksoz të stilit Trump-Kushner, çfarë thotë kjo për Shqipërinë që po krijoni?
Rama: Së pari, mund të më japin leksione për shumë gjëra – për ekonominë, çështjet ligjore, bujqësinë apo shëndetësinë. Por ka një gjë për të cilën askush nuk mund të më japë leksione: bukurinë. Jo sepse jam artist, por sepse kam shërbyer si ministër i Kulturës, kam shërbyer si kryetar bashkie dhe po shërbej si kryeministër, duke e mbështetur pikërisht të gjithë mënyrën time të të menduarit te bukuria. Transformimi i hapësirës publike dhe i hapësirave urbane ka qenë pjesë e pandashme e rrugëtimit tim. Dhe nëse Shqipëria sot mirëpret 12 milionë turistë, kjo është falë këtij përkushtimi. Prandaj, bukuria është diçka në të cilën besoj dhe është diçka për të cilën luftoj.
Tani, ju po përmendni emra, sepse jeni paragjykuese. Nuk mund t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Më lini ta përfundoj. Nuk mund t’i përgjigjem, sepse ju po përmendni emra. Si mund të duket një projekt i Trumpiit dhe Kushnerit? Çfarë pyetjeje është kjo? Si mund t’i përgjigjet dikush një pyetjeje të tillë? Unë nuk po paraqes as njërin, as tjetrin si projekt. Projekti është ende në zhvillim dhe, kur të jetë gati, atëherë do të diskutojmë për vetë projektin.
Nuk do të diskutojmë për njerëz, personazhe apo për beteja ideologjike me individë. Këto janë betejat tuaja; mund t’i bëni, por nuk janë betejat e mia. Beteja ime është të sjell në Shqipëri investime të huaja direkte. Beteja ime është të bëj të mundur zhvillime që jo vetëm do të jenë jashtëzakonisht të rëndësishme për Shqipërinë, por do të përbëjnë edhe një dhuratë për Europën.
Gazetarja: A është privatizimi i hapësirës publike një çmim që jeni i gatshëm ta paguani për ta realizuar këtë transformim?
Rama: Kjo është një tjetër gënjeshtër që po përsëritet vazhdimisht dhe që, nga përsëritja, është trajtuar si fakt, aq sa tani po e përdorni si bazë për të bërë një pyetje. Por nuk ka privatizim të hapësirës publike. Pikë. Nuk ka. Është një gënjeshtër.
Gazetarja: Mund të garantoni se të gjithë do të kenë akses?
Rama: Nuk është çështja nëse unë mund ta garantoj apo jo. Ajo që mund të garantoj është se jetojmë në një qytetërim që prej kohës së romakëve ka vendosur një parim shumë të thjeshtë: ai që bën një akuzë duhet të sjellë prova. Ju jeni gazetare, apo jo? Dhe jeni këtu për të informuar publikun tuaj. Por pyetja juaj bazohet mbi një gënjeshtër. Ndërkohë më kërkoni garanci, kur në fakt duhet të më tregoni se ku është privatizimi dhe cili është qoftë edhe një element që keni gjetur dhe që ju bën të shqetësoheni se do të ketë privatizim të tokës publike. Nuk do të ketë. Nuk ka ndodhur kurrë dhe nuk do të ndodhë.
Gazetarja: Në vitin 2024, ligjet e Shqipërisë për mbrojtjen e mjedisit u ndryshuan me qëllim që të hapej rruga për turizmin e hoteleve luksoze. Dhe kjo është diçka që i ka shqetësuar njerëzit në Shqipëri, së bashku me shqetësimet e tyre për mungesën e konsultimit publik. Cila do të ishte përgjigjja juaj ndaj këtyre shqetësimeve?
Rama: Mendoj se, përsëri, faktet janë shumë të rëndësishme. Por përsëri, faktet lihen mënjanë. Sepse po, ne kemi bërë ndryshime në ligj. Por, a e dini çfarë? Ne nuk e ndryshuam përmbajtjen e ligjit. Dhe ndryshimet tona nuk janë në kundërshtim me standardet dhe kriteret evropiane, të cilat do të sigurohemi që të verifikohen përmes një procesi që ka të bëjë me negociatat tona. Pra, përsëri, paragjykimet nuk janë argumente. Dhe insinuatat nuk janë fakte. Dhe faktet janë e vetmja gjë që kam. Nëse keni fakte për të sfiduar faktet e mia, ju lutem më sillni. Por, nëse keni paragjykime, dhe nëse keni beteja ideologjike për të bërë me Trump, dhe nëse keni gjëra të tjera në mendje, jeni të lirë t’i keni ato. Por, unë nuk mund t’ju ndihmoj me përgjigjet e mia.
Gazetarja: Në fjalimin tuaj kryesor folët për zemërimin dixhital. Shpikët fjalët “ritëm zemërimi”. Dhe folët gjithashtu për përvojën shumë pozitive të qeverisë suaj me përdorimin e IA-së, përfshirë edhe futjen në punë të një ministreje që është vetë një IA algoritmike. Nëse jemi në një situatë ku kemi përdorim të mirë algoritmik dhe atë që ju e keni quajtur përdorim të keq algoritmik, apo edhe përdorim të rrezikshëm algoritmik, ku na çon kjo? A na çon kjo në një situatë kontrolli qeveritar të algoritmeve?
Rama: Nuk ekziston diçka e tillë si përdorimi i mirë algoritmik. Sepse algoritmit nuk i pëlqen e vërteta e mërzitshme. Algoritmi pëlqen gënjeshtrat argëtuese. Algoritmi nuk i pëlqen nuancat. Algoritmit i pëlqen skandali. Algoritmit nuk i pëlqen paqja dhe dashuria. Algoritmit i pëlqen zemërimi dhe frika. Sepse është natyra njerëzore që tërhiqet më shumë nga e gjithë kjo. Dhe nuk është puna ime të them se si mund të zgjidhet kjo në një shoqëri demokratike si Evropa, por mendoj se Evropa dhe bota demokratike po bëjnë një gabim që një ditë mund të jetë arsyeja e fundit të demokracisë, e cila është pranimi i lirisë së shtrirjes si një zgjatim i lirisë së fjalës. Liria e shtrirjes nuk është liri e fjalës.
Liria e shtrirjes është ajo që diktaturat kishin si armën e tyre më vdekjeprurëse kundër lirisë. Të hyjnë në çdo tru dhe të shohin të vërtetën e tyre duke shtypur çdo të vërtetë tjetër. Algoritmi nuk ka nevojë të shtypë me polici sekrete ose me gjyqtarë të kontrolluar. Algoritmi shtyp përmes mbytjes dhe përmes amplifikimit. Duke amplifikuar gënjeshtrat, duke mbytur të vërtetën. Çdo studim thotë se ajo që shpërblehet në mediat sociale është gënjeshtra. Ajo që pranohet më pak është e vërteta.
Gazetarja: Zoti Rama, protestat në Shqipëri kanë hyrë në muajin e tyre të dytë. Në ditët e para keni thënë që për herë të parë në gjithë këto vite qeverisjeje, ju keni konsideruar, e keni menduar dorëheqjen. Para pak ditësh thatë që ky nuk është një opsion, pasi jeni votëbesuar nga populli shqiptar për ta anëtarësuar Shqipërinë në Bashkimin Europian. Janë dy versione të kundërta. Pas një muaji protestash, cili është qëndrimi juaj?
Rama: Nuk janë dy versione të kundërta. Unë kam ndarë në grupin parlamentar opinionet e mia dhe kam shprehur një ndjesi lidhur me faktin se unë jam zgjedhur dhe qëndroj në detyrë për t’i bërë gjërat, jo për t’u tërhequr zvarrë. Dhe ndërkohë, dorëheqja nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë opsion për një arsye shumë të thjeshtë: sepse unë jam mandatuar së bashku me Partinë Socialiste nga 868 mijë shqiptarë për të realizuar misionin e mbylljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Dhe ky është një mision historik që nuk mund të lihet në mes për asnjë arsye. Dhe për më tepër pastaj, për faktin se një pjesë e qytetarëve zgjedhin të protestojnë. Nga ana tjetër, protesta është diçka jashtëzakonisht kuptimplotë për Shqipërinë, për nivelin e lirisë, për nivelin e demokracisë dhe për faktin që në Shqipëri protestohet. Njerëz nga të gjitha rrugët e jetës dalin, kanë gjërat e tyre për të cilat dalin, ne kemi detyrën t’i dëgjojmë, kemi detyrën ta lexojmë çdo mesazh që ata na japin, dhe këtë po bëjmë.
Gazetarja: Nëse Edi Rama nuk do të ishte në petkun e Kryeministrit, do të kishte dalë të protestonte për spitale më të mira, për ikjen e trurit që vazhdon prej vitesh, për një sistem, për një administratë më të mirë të cilën e akuzuat para pak ditësh, e fajësuat të themi si përgjegjëse?
Rama: Unë nuk kam arsye për të menduar që do të dilja aty, nëse do të bazohesha në faktet dhe në informacionin e vërtetë. Nëse do bazohesha në të gjitha llojet e manipulimeve, gënjeshtrave dhe amplifikimeve, patjetër do dilja edhe unë aty. Por faktet dhe informacioni i vërtetë është ndryshe. Pastaj shëndetësia, arsimi edhe të gjithë të tjerat kanë problemet që kanë. Problemet nuk lindën ditën që filloi protesta, problemet kanë qenë aty, janë shtruar në rrugën e zgjidhjes, janë zgjidhur pjesërisht. Dhe për të çuar përpara zgjidhjen e tyre kemi marrë mandatin e popullit shqiptar me shumicën më të madhe ndonjëherë që kur unë udhëheq Partinë Socialiste. Kështu që nuk mundet dot që të çohesh një ditë të bukur dhe të thuash që “unë dua shëndetësi më të mirë dhe kjo qeveri duhet të ikë”. Nuk funksionon. Duhet të presësh kur të vijnë zgjedhjet e tjera.
KOHA JONË SONDAZH

