”S’kam folur me Trump për projektin”, Rama për Sazanin: Ishulli nuk shitet, në Zvërnec ndërtohet një spital i nivelit të lartë
Kryeministri Edi Rama ka folur për protestat, mundësinë e dorëheqjes dhe ndikimin e teknologjisë në krijimin e narrativave në rrjetet sociale. Në intervistën me gazetaren Rudina Xhunga, Rama tha se ndryshimi i pritshmërive të qytetarëve ka sjellë një realitet të ri në shoqërinë shqiptare, të cilin e cilësoi si “revolucioni i pritshmërive të larta”. ”Sa më shumë vendi ecën, aq më shumë qytetari është i prirur të thotë ‘po kjo tjetra?”’, tha Rama, duke shtuar se investimet publike shoqëroheshin me duartrokitje e buzëqeshje të mëdha. Ai foli edhe për deklaratën e tij se kishte menduar dorëheqjen, duke thënë se kjo lidhej me reflektimin përballë pakënaqësive dhe ndryshimit të pritshmërive të qytetarëve.
Një pjesë të intervistës, Rama ia kushtoi ndikimit të profileve jo reale në rrjetet sociale, duke iu referuar edhe debatit për projektin e investimit në Sazan dhe lidhjes së tij me Izraelin. ”Ata nuk ishin, ata nuk ekzistojnë. Ata janë të krijuar në laborator dhe i japin zë narrativave të ndryshme”, deklaroi Rama, i cili nënvizoi se shteti shqiptar është partner në investim. Sipas tij, narrativat rreth Sazanit dhe Izraelit janë nxitur nga një “ushtri ushtarësh jo realë”, të krijuar dhe zhvilluar përmes teknologjisë.
”Çfarë lidhje kishte kjo me marrëdhënien me Izraelin. Pra ishte narrativë e nxitur nga kjo ushtri ushtarësh jo realë, të rritur në laboratorët e teknologjisë”, tha kryeministri. Vizita e Ivanka Trump në Vlorë disa muaj më parë, së bashku me një grup inxhinierësh, ishte një nga momentet ku u ndal kryeministri Edi Rama teksa foli për projektet turistike në Sazan dhe Zvërnec. Rama tha se nuk kishte folur kurrë me Presidentin amerikan Donald Trump për këtë projekt. Kryeministri theksoi gjithashtu se edhe ish-kryeministrat Sali Berisha dhe Fatos Nano kanë dashur të sjellin investitorë të huaj në Sazan.
”Në Zvërnec kemi një histori tjetër, që është histori disa vjeçare. Jemi sot në pritje të një projekt-propozimi, pasi ne kemi refuzuar projektet e mëparshme. Ndërkohë që për Sazanin jemi akoma në negociata. Kjo 10 mijë dhoma, është një shifër që unë as e kam parë fare. Sazani nuk është ndonjë thesar, është zonë e minuar. Qoftë paraardhësi im dhe qoftë edhe paraardhësi i paraardhësit tim kanë dashur të sjellin investitorë në Sazan.
Edhe unë kam dashur dy herë të tjera të sjell investitorë në Sazan, por nuk është finalizuar. Ata do bëjnë aty një destinacion eksperience. Do ketë vila, por edhe hotele të nivelit më të lartë në botë. Sheval Vlau është një firmë që s’të vjen në Shqipëri kështu. Atlantis është hoteli i famshëm në Dubai. Është Atlantisi i parë që hyn në Europë. Aty do ketë edhe të tjera gjëra që lidhen me shëndetin, kalërimin. Ne jemi duke punuar për një investim të rëndësishëm shëndetësie në Vlorë”, shpjegoi Rama.
Nga ana tjetër, Rama tha se në Sazan do të ndërtohet vetëm në 8% të ishullit, pra nga 560 hektarë që është ishulli, ndërtim sipas kryeministrit do të ketë vetëm në 45 hektarë. ”Sazani dhe Zvërneci janë 2 projekte të ndryshme. Të njëjtët investitorë, por dy projekte të ndryshme. Janë dy prona të ndryshme. Sazani është pronë shtetërore, Zvërneci është pronë private. Në Zvërnec po punonte kompania e cila sipas ligjit dhe bazuar në procedurën e dhënies së një leje paraprake, merr të drejtën e vendosjes së rrethimit. Në Sazan kanë nisur negociata, ishulli është 560 hektarë dhe diskutojnë vetëm për 8%. Sepse ne kemi vënë kufizime. Sipërfaqe e ndërtueshme është 8%, pra rreth 45 hektarë. Pra një hartë prone nuk është hartë ndërtimi”.
Një nga elementët e rëndësishëm të projektit do të jetë edhe ndërtimi i një spitali të nivelit të lartë. “Në Zvërnec do të ndërtohet një spital i nivelit të lartë”, tha Rama, duke shtuar se zona do të ketë gjithashtu plazhe publike. Kryeministri theksoi se zhvillimi i zonës synon të krijojë një destinacion të ri turistik, ndërsa projekti pritet të sjellë edhe investime të rëndësishme në infrastrukturë dhe shërbim.
Lexoi edhe:
VIDEO/ Rrëfimi i Ramës: Kam qenë rebel, por jo i bullizuar. Më kanë dhunuar vetëm dy herë
KOHA JONË SONDAZH
A duhet liruar Erion Veliaj të drejtojë bashkinë nga zyra?
Results
Vota totale: 4083

