Retorika e protestës, Lamallari reagon me Ajnshtajnin ndaj dhunës mbi posterin e Ramës
Një video e publikuar së fundmi nga Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, në profilin e tij në rrjetet sociale, ka nxitur diskutime mbi kufijtë e reagimit qytetar dhe gjuhën e përdorur në protestat politike.
Në pamjet e shpërndara, shfaqet një grup protestuesish të cilët godasin me një egërsi të pazakontë dhe tone histerike një poster me imazhin e Kryeministrit Edi Rama. Sipas ministrit, kjo lloj sjelljeje kapërcen çdo logjikë të një revolte paqësore apo të drejte legjitime për të protestuar, duke u shndërruar në një akt vandalizmi simbolik.
Për të komentuar këtë episod, Lamallari ka zgjedhur rrugën e ironisë së hollë, duke huazuar një nga shprehjet më të famshme të fizikanit të madh, Albert Ajnshtajn:
“Dy gjëra janë të pafundme: universi dhe budallallëku njerëzor; megjithëse për universin nuk jam plotësisht i sigurt.”
Përmes këtij citati, kreu i dikasterit të Brendshëm ka dashur të vërë në dukje se irracionaliteti dhe dhuna e shfaqur në video nuk dëmtojnë figurën e goditur, por thjesht dëshmojnë nivelin e atyre që e kryejnë atë akt.
Ngjarja riaktualizon debatin nëse aktet e dhunshme ndaj simboleve apo imazheve politike janë pjesë e lirisë së shprehjes apo thjesht shpërfaqje e frustrimit të pakontrolluar.
Në vend të një deklarate të ngurtë zyrtare, Ministri i Brendshëm zgjodhi një qasje filozofike dhe sarkastike për të delegjitimuar sjelljen e protestuesve.
Deri më tani, videoja ka marrë reagime të shumta në rrjet, duke u ndarë mes atyre që mbështesin qëndrimin e ministrit dhe atyre që e shohin veprimin e protestuesve si një revoltë të diktuar nga pakënaqësia sociale.
AV/KJ
KOHA JONË SONDAZH

