Kryeministri Rama te komuniteti shqiptar në SHBA: Shqipëria që dikur trokiste në dyer që nuk i hapeshin, sot nuk pret më në korridor,…

Rama ndodhet në SHBA. Ai ishte sot në takimin me komunitetin shqiptar në Michigan.

Fjala e plotë e Ramës:

Faleminderit! Shumë faleminderit! Mirëse ju gjej këtu në Michigan ku rreh një nga zemrat më të forta shqiptare të Amerikës dhe dua të falenderoj me gjithë zemër dhe posaçërisht organizatorët e këtij takimi, Franin për së pari, i cili më dërgoi përpara disa kohësh një mesazh për të më shprehur dëshirën për ta organizuar këtë takim. Shumë faleminderit të gjithëve! Para pak ditësh po lexoja që jo shumë larg nga këtu ku jemi sot, dy apo tre vjet më parë, disa ‘’gjuetarë patash’’ vunë re për herë të parë një flamingo. Komisioni shtetëror i regjistrimit të shpendëve në Amerikë e certifikoi zyrtarisht praninë e këtij shpendi dhe e quajti një “mega rarity”, një prani jashtëzakonisht e rrallë por siç e dini këtë verë flamingoja u bë figura më popullore e Shqipërisë. Doli nga laguna, erdhi në Tiranë, pushtoi bulevardin, ekranet, pasqyrat digjitale dhe mori vëmendje në të katër anët e globit. Askujt nuk do t’i kishte shkuar mendja deri jo shumë vite më parë se si një shpend aq i hijshëm, por edhe aq i brishtë dhe i urtë, do ta kthente Shqipërinë në një adresë botërore të një debati shumëplanësh për natyrën, për zhvillimin, për turizmin, për “Trump-izmin”, por përtej këtij të fundit, që për hir të vërtetës e globalizoi flamingon e Zvërnecit, pati diçka shumë domethënëse në manifestim qytetar të protestës së qershorit që faktikisht tërhoqi jo vetëm vëmendjen por edhe mbështetjen e shumëkujt edhe jashtë Shqipërisë në diasporë.

Swiss Digital Desktop Reklama

E vërteta është që deri dje natyra dhe gjallesat e saj masakroheshin në Shqipëri mbase si askund në botë dhe askush nuk pipëtinte. Deri dje Shqipëria lëndohej në shumë mënyra dhe bota as nuk e shihte, ndërsa shqiptarët as nuk mundej ta shihnin në fakt sepse jeta në Shqipëri zhvillohej me idenë që ka edhe më keq. Sot, kur shumë gjëra kanë ndryshuar, shqiptarët kanë nisur të jetojnë me idenë që ka edhe më mirë dhe pikërisht këtë qasje të re të shoqërisë e vulosi ai manifestim. Një shoqëri që kërkon më shumë, është një shoqëri që është ngritur, që e ka parë horizontin dhe që nuk pranon më ta ulë shikimin, por pikërisht sepse mësuam të kërkojmë më shumë nga qeveria, nga shteti, nga vendi ynë, ne duhet të mësojmë të kërkojmë më shumë edhe nga vetja si pjesë e shoqërisë së re shqiptare dhe sidomos në mënyrën se si ne shohim njëri-tjetrin kur mendimet nuk na puqen. Përpara se sa të vija këtu dëgjova që disa shqiptarë të këtij komuniteti kishin bërë thirrje për të protestuar me rastin e vizitës time. Natyrisht që është e drejta e tyre, por do kisha dëshiruar që të ishin këtu edhe ata, përballë meje që kundërshtitë t’i thoshin me zë dhe përgjigjet t’i dëgjonin me zë.
Ndër shumë fjalët e mençura të urtësisë njerëzore, më pëlqen shumë edhe ajo që thotë se cilësia e bashkëjetesës demokratike nuk përcaktohet nga sa shpesh ne biem dakord, por nga mënyra se si ne nuk biem dakord. Mund të mos biesh fare dakord dhe mund të theresh me fjalë për të mbrojtur ti pozicionin tënd, tjetri pozicionin e vet, por tjetër është ta bësh këtë me respekt për tjetrin dhe tjetër është ta bësh këtë duke u kapur për fyti me tjetrin.

Swiss Digital Mobile Reklama

Demokracia është një mosdakordësi që e përjashton urrejtjen, përballje që nënkupton gjithmonë respektin dhe një luftë ku qëllimi nuk justifikon çdo mjet. Gjithsesi, kjo e demokracisë është një rrugë shumë më e gjatë sesa çfarë ne kishim imagjinuar në krye të herës, sepse nuk mjafton vetëm të jesh i lirë për të pasur një shoqëri ku demokracia funksionon për të gjithë. Motra dhe vëllezër, dua t’ju them që si rrallëherë jam përpëlitur sa këtë herë, duke rreshtuar fjalët e një fjalimi, sepse as kisha si e shmangia atë që ndodhi në Hagë përpara disa ditësh, po edhe nuk gjeja rrugën se si t’i qasesha atij gurit të madh, të rëndë përballë të cilit për hir të vërtetës, fjalët duken të kota njësoj si në një mort. Një mort për së gjalli në këtë rast, një varrosje njerëzish të gjallë dhe një pafuqi kombëtare përballë një marreje ndërkombëtare.

Ka një fjalë që na e përsërisin shpesh dhe që e përsërisim shpesh: ‘’Respektoni vendimin e Gjykatës. Vendimet e gjykatave duhen respektuar. Shteti i të drejtës, bota demokratike funksionon mbi respektin për vendimet e Gjykatave”, dhe nuk diskutojmë këtë, por jo vendimin e Gjykatës, por edhe vetë vdekjen në heshtje e pranon vetëm ai që vdes. Problemi në këtë rast nuk është të mos respektosh vendimin e Gjykatës, po problemi është si ta refuzosh varrosjen për së gjalli të katër njerëzve në emër të popullit, kur vetë populli nuk e gjen asgjëkund veten në atë vendim të dhënë, jo thjesht në gjuhë të huaj, po edhe në një tëhuajsim të vetë drejtësisë.
Natyrisht që Shqipëria në këtë mes nuk mund të bëjë asgjë më shumë sesa t’i rrijë në krah Kosovës, për sidoqoftë të zgjedhurit e popullit të saj do të vendosin ta refuzojnë varrosjen për së gjalli të atyre katër burrave dhe unë besoj se respektimi i detyruar dhe i padiskutueshëm i atij vendimi të Gjykatës, nuk e pengon kurrsesi refuzimin e asaj varrosjeje si një fatalitet pa apel.

Të dashur miq, nga ana tjetër dua t’ju jap sot një lajm që besoj është një lajm i mirë për ju sepse kam dëgjuar në mënyrë të përsëritur një kërkesë nga ky komunitet dhe Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, së shpejti do të hapë Konsullatën shqiptare në Detroit dhe besoj që është vendimi i duhur dhe i merituar se siç po bëja shaka me Franin sot, ju arritët ta bëni këtë qytet amerikan një “fshat” të madh shqiptar dhe përtej shakasë që në këtë rast është më shumë se gjysma e të vërtetës, Shqipëria duhet të jetë pranë jush sa herë ju keni nevojë për të dhe minimumi në rastin tuaj, është që Shqipëria ta ketë një derë këtu ku ju të trokisni për të gjitha çështjet konsullore. Më vjen mirë të kujtoj që kur ne e nisëm rrugën e takimeve të mëdha me diasporën, me samitin e parë të 10 viteve më parë, koha ikën, vitet kalojnë. Ishte nëntori i 2016-s në Tiranë dhe ishte një rrugë që asokohe e diskutuam dhe e ndamë së bashku me mikun tim Hashim Thaçin. Gjërat atëherë ishin shumë ndryshe dhe ai ishte i pari kuvend gjithë shqiptar i atij lloji dhe ku me thënë të drejtën, ne shkuam me emocion të veçantë, por edhe me shumë pak mjete për ta kthyer atë ndjenjë të fortë pozitive në një punë të përbashkët.

Diaspora e deridjeshme ishte një det i madh energjie, por një det i hapur pa kufij dhe pa port për të ankoruar kontributet, për të ankoruar mundësitë, për të ankoruar ambiciet dhe dëshirat e njerëzve tanë jashtë Shqipërisë, në funksion të kësaj lidhjeje mes Diasporës dhe Shqipërisë. Lidhja e Diasporës me Shqipërinë u përmblodh për shumë vite në pjesën më të madhe në kontributet financiare që ju dërgonit pa u lodhur kurrë dhe ato dërgesa mbajtën në këmbë Shqipërinë në vitet e vështira të kalimit nga koha kur shqiptarët jetonin me idenë që ka edhe më keq në kohën e sotme, kur shqiptarët tanimë jetojnë me idenë që ka edhe më mirë. Ju nuk dërgonit thjesht para po ju dërgonit shkollën e fëmijëve, ilaçet e prindërve, tjegullat e çatisë së shtëpisë, kapitalin e parë të një biznesi që lindte atje i vogël e pastaj rritej dhe me fjalë të tjera ju dërgonit shpresën në kushtet e mbijetesës. Ka një shifër që është reale. 90% e familjeve shqiptare kanë përfituar të paktën një herë nga dërgesat e diasporës, 90%. 9 nga 10 shqiptarë janë shkolluar, kanë ngritur çatinë mbi kokë apo kanë përmirësuar kushtet e tyre të jetesës falë diasporës, falë jush dhe të gjithëve ata si ju që të paktën një herë, po përgjithësisht shumë më tepër se një herë kanë dërguar një pjesë të mundit të tyre atje në Shqipëri.

Në Samitin e parë ne thamë se donim diçka tjetër dhe donim të shkonim përtej marrëdhënies së nostalgjisë, të kujtimeve, të dashurisë dhe të lidhjeve të pandashme familjare mes njerëzve jashtë dhe atyre në Shqipëri, sepse në fund të ditës diaspora nuk është një llogari bankare e atdheut, por është përvojë, është rrjet, jo vetëm zemrash, por dhe mendjesh, është qytetari dhe fuqi e madhe dhe kështu në këto 10 vjet kanë lindur mekanizma të rinj të cilët sigurisht kanë nevojë të forcohen dhe të përsosen. Në këto 10 vjet është janë krijuar edhe kushtet që përmes sistemit tonë të ndërveprimit digjital “e – Albania”, njerëzit jashtë të mund ta aksesojnë Shqipërinë e institucioneve dhe të zyrave pa pasur nevojë që të kthehen, por thjesht dhe vetëm përmes pasqyrës digjitale të celularit. Dhe sot pas këtyre 10 vjetëve unë vij këtu te ju me bindjen se çfarë kemi nisur aso kohe ka dhënë fryte dhe ka krijuar premisat për të dhënë akoma më shumë fryte në të nesërmen.

Shqipëria sot është krejt tjetër nga ajo që ishte 10 vjet më parë në të gjitha aspektet, por siç thashë tanimë nuk mjafton krahasimi me si ishte 10 vjet më parë, sepse tanimë gjithkush kërkon shumë më tepër, jo në 10 vitet e ardhshme por nesër, pasnesër, në muajin e ardhshëm, në vitin e ardhshëm e kështu me radhë. Vjet ju patët mundësi për herë të parë që të votoni nga këtu, nga jashtë atdheut në zgjedhjet Parlamentare të Shqipërisë dhe ishte hera e parë që fletët e votimit kaluan oqeanin dhe që kontrata e shqiptarëve me përfaqësuesit e tyre u lidh edhe përtej kufijve të Shqipërisë. Pas Samitit të katërt të Diasporës që ne bëmë në prill, kemi nisur të vendosim në zbatim Strategjinë Kombëtare të Diasporës 2030, e cila është tanimë e përvijuar dhe të cilën na mbetet vetëm që hap pas hapi ta materializojmë duke bërë të mundur që Diaspora të ndjehet më afër jo thjesht emocionalisht po konkretisht.

Shqipëria ka nevojë për të pasur shumë më tepër dije lidhur me shqiptarët jashtë atdheut dhe shqiptarët jashtë atdheut kanë nevojë që të kenë shumë më tepër akses në Shqipëri dhe për këtë arsye ne po krijojmë regjistrin kombëtar të Diasporës që është një sportel unik, ku çdo shqiptar i botës ta gjejë shtetin e vet me një klik. Rrjetet profesionale, dritaret e posaçme për investitorët e Diasporës, të gjitha këto janë një kantier në punë e sipër, siç është dhe vetë Shqipëria, një kantier në transformim dhe si çdo kantier ka pluhur, ka zhurmë. Nganjëherë zhurma bëhet shurdhuese, ka bezdi, ka vonesa, ka dhe gabime që duhen korrigjuar, por ajo që ka rëndësi është që kantieri është në punë, që puna vazhdon, që themelet janë të forta tanimë dhe që hap pas hapi ngrehina e Shqipërisë së re, po merr formë, por jo vetëm formë, por edhe kuptim.

Ju jeni, shqiptarët jashtë janë supervizorët më objektiv të kantierit sepse duke qenë në distancë shumëçka kanë mundësi ta tresin më lehtë dhe duke u kthyer në periudha të ndryshme, kanë mundësi që ta shohin ndryshimin më mirë, pasi nuk e jetojnë përditë kantierin me pluhurin, me zhurmat, me të gjitha problemet, por shikojnë rezultatin dhe shikojnë që edhe pse gjithçka është në punë e sipër dhe shumëçka ende nuk është bërë, shumë gjëra janë bërë dhe janë aty. Janë bërë dhe janë aty dhe i kanë dhënë Shqipërisë të gjitha ato arsye për t’u bërë vendi që ka arritur të tërheqë sot që flasim 12 milionë vizitorë në vit. Vendi që për të pestin a të gjashtin vit me radhë, ka aeroportin me rritjen më të madhe në rajon dhe jo vetëm me rritjen më të madhe relative në raport me vetveten, por dhe aeroportin me numrin më të madh të pasagjerëve duke e lënë pas atë që ka qenë për thuajse një shekull e më shumë aeroporti kryesor i rajonit, Beogradin.

Shqipëria që sot është në fazën kur pasi i ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, po fillon pak nga të hyjë në fazën e mbylljes së kapitujve, me synimin që në vitin 2030 të mbarojë gjithë historia e gjatë e përpjekjes për t’u bashkuar me Europën dhe Shqipëria të jetë në të njëjtën tryezë, por jo vetëm si prani, por si një shtet me të drejta të barabarta dhe me një pozicion të barabartë në tryezën e përbashkët të familjes së Europës së bashkuar. Nga ana tjetër, besoj që të gjithë e dini që Shqipëria është vendi ku do të zhvillohet samiti i ardhshëm i NATO-s dhe ku të gjithë liderët e aleancës më të fuqishme ushtarake të historisë së njerëzimit do të mblidhen në Tiranë për të diskutuar ecurinë e aleancës dhe për të vendosur hapa të mëtejshme. Dhe sot, një shekull pasi i njohuri Kosta Çekrezi i cili tek “Shqipëria e shkuara dhe e tashmja”, rrëfen se si çonte letra për në Shqipëri dhe letrat i ktheheshin mbrapsht sepse “Albania” nuk ekzistonte as si adresë, do të dëshmonte se sot Shqipëria nuk është më një adresë që mungon në hartën e botës por është një adresë ku ndodh që të mblidhet bota e lirë për të diskutuar për të nesërmen e saj.

Shqipëria që dikur trokiste në dyer që nuk i hapeshin, sot nuk pret më në korridor, por është pjesë e të gjitha atyre hapësirave ku duhet të jetë dhe pavarësisht se Shqipëria është një vend i vogël, Shqipëria nuk hyn tek vendet e pasura, Shqipëria nuk ka një forcë ushtarake që t’i imponohet kujtdo qoftë. Sot Shqipëria është një vend që jo vetëm jep respekt, por merr respekt dhe vlerësohet reciprokisht, siç i vlerëson të tjerët. Një Shqipëri e fortë ekonomikisht, një Shqipëri e fortë demokratikisht dhe një Shqipëri e fortë shtetërisht është një Shqipëri që është sot në formim e sipër dhe është një Shqipëri që sot shikohet nga të gjithë si e tillë. Një Shqipëri që është një trashëgimi e përbashkët e të gjithëve ne, ku secili në atë pjesë që i ka rënë për hise, jep kontributin e vetë, qoftë në Tiranë si kryeministër, qoftë në Detroit si një shqiptar që jeton me punën e vet të ndershme, i paguan taksa këtij shteti dhe kontribuon edhe për shtetin e amë, por ajo që besoj unë që është më e rëndësishmja është se Shqipëria sot nuk është më ajo që ishte fatkeqësisht deri dje. Vendi që linte zbuluar njerëzit e vetë në pamundësi për t’i mbrojtur ata. Sot Shqipëria është mburoja më e mirë e çdo shqiptari kudo që ndodhet.

Sot Shqipëria është një emër dhe një flamur që e respektojnë të gjithë dhe sot Shqipëria është një identitet përballë të cilit ju jeni dëshmitarë vetë, të gjithë qëndrojnë me respekt dhe duke qëndruar me respekt ndaj këtij identiteti, respektojnë edhe çdo shqiptar, ndryshe nga deri dje kur të qenit shqiptarë ishte një arsye e gabuar, por sidoqoftë gjithmonë e pranishme për ta nisur një garë si të pabarabartë me të tjerët vetëm për faktin që ishe shqiptar. Sot askush nuk i tregon shqiptarëve fundin e radhës pse janë shqiptarë, por përkundrazi kur dëgjon që janë shqiptarë i vlerëson sepse çmon Shqipërinë. Ëndrra amerikane nuk i ka tharë rrënjët shqiptare brenda jush dhe kjo është gjëja më e jashtëzakonshme që ju bëni për atdheun tonë të përbashkët. Duke provuar që rrënjët mund të ushqehen edhe nga shumë larg dhe madje të arrijnë dhe në mrekullinë që të japin fryte në të njëjtën kohë në dy vende të ndryshme, edhe në atdheun e nënës edhe në atdheun që ju ka adoptuar.

Ka qenë viti 1926, 100 vjet më parë kur Faik Konica nisi rrugëtimin e tij në Ëashington. Ishte i dërguari i parë i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, ambasadori ynë siç do ta quanim sot, edhe pse Ervin Bushati nuk na duket se është Faik Konica i ditëve tona, po ku i dihet mbas 100 vjet mund të vijë dikush këtu dhe të thotë që 100 vjet më parë këtu ishte Ervin Bushati. Faik Konica e nisi misionin e tij me një përulje tek varri i presidentit Ëilson dhe pastaj vazhdoi në një maratonë takimesh në të gjithë Amerikën, sepse Amerika e kishte ndihmuar Shqipërinë që të mos zhdukej dhe ai erdhi dhe qëndroi këtu për t’i dhënë Shqipërisë një zë, për t’i dhënë një fytyrë, për t’i dhënë një adresë. Sot 100 vjet më pas, janë qindra mijëra shqiptarët që i japin Shqipërisë zë, i japin Shqipërisë fytyrë dhe i japin Shqipërisë qindra mijëra adresa këtu, në Shtetet e Bashkuara. Dhe sot Ervin Bushati e ka shumë më kollaj se Faik Konica, se erdhi, s’erdhi Ervin Bushati, janë qindra mijëra të tjerë që pa qenë të ngarkuar nga shteti si ambasador, bëjnë përfaqësuesin e denjë të shtetit të tyre. Dhe ju jeni ambasadoret e përditshëm të Shqipërisë. Sa herë që një shqiptar ngrihet këtu me punën e vet, të jeni të sigurtë që edhe Shqipëria ngrihet në sytë e Amerikës.

Kështu që, ne 28.000 kilometra na kanë rënë për pjesë në këtë tokë si perimetri i atdheut tonë, por falë jush edhe falë plot e plot të tjerëve perimetri i Shqipërisë është shumë më i madh sot sesa ato 28.000 kilometra katrorë dhe më shumë se kurrë sot Shqipëria është edhe atje, por Shqipëria është edhe këtu. Shqipëria është edhe këtu, po është edhe atje. Kështu që me shumë respekt, me shumë admirim për të gjithë ju, sepse unë kam provuar jetën e emigrantit për disa vite dhe e di shumë mirë se çfarë domethënë. Ashtu si kundër, më besoni që mundohem ta kuptoj, nuk e kuptoj dot deri në fund se çfarë domethënë që të gdhihesh çdo ditë për të shkuar në punë apo për të krijuar punë për ata që janë këtu, por gjithsesi duke kujtuar që në fund të ditës, ky nuk është vendi i rrënjëve të tua dhe për të hedhur rrënjë në një vend ku në fillim fare je i huaj, pastaj je një fqinj edhe pastaj bëhesh zot shtëpie. Shumë respekt edhe shumë kënaqësi që jam këtu me ju!

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?