Vlora Hyseni në komunikim të vazhdueshëm me Ergys Agasin. SPAK dyshon për lidhje personale
Vlora Hyseni ka pasur komunikim të vazhdueshëm me Ergys Agasin edhe gjatë kohës që ai ka qenë person në kërkim.
Mësohet se Hyseni është marrë në pyetje nga SPAK 4 ditë para arrestimit, jo për herë të parë, në cilësinë e personit që ka dijeni dhe e ka pranuar që ka pasur komunikim me Ergys Agasin, në cilësinë e bashkëpunëtorit.
Sipas pretendimit të Hysenit, SHISH gjithmonë punon me bashkëpunëtorë. Telefoni i sekuestruar i Ergys Agasit ka me qindra thirrje mes drejtueses së SHISH dhe Ergys Agasit, madje edhe foto e video që nuk janë në cilësinë e bashkëpunëtorit, që sipas SPAK janë më shumë se këto. Ajo ka pranuar që ka pasur vetëm komunikime telefonike dhe jo takime fizike, por prokuroria dyshon për të kundërtën.
Dyshohet edhe se Ergys Agasit mund t’i jenë vënë nën dispozicion makina të SHISH për lëvizjet e tij brenda vendit.
Sipas mesazheve që janë zbuluar, mes tyre, kreu i SHISH i ka shkruar biznesmenit “Kush na e bëri këtë, duhet të paguajë.”
Agasi dhe Hyseni komunikonin përmes aplikacionit “Signal”. SPAK thote se “për të ashtuquajturin bashkëpunëtor, kreu i SHISH nuk ka vënë në dijeni asnjë nga instancat qoftë dhe paralele apo brenda institucionit”.
Vlora Hyseni e njoftonte Ergys Agasin edhe për takimet e punës me Kryeministrin dhe Drejtorin e Policisë, si dhe ndante edhe informacione për emërime të mundshme politike.
Bëhet me dije se SPAK ka gjetur në makinën e Ergys Agasit 9 faqe word me diagrame (dokumente sekrete) të SHISH, gjatë kontrolleve që u ushtruan në “Equos Resort” më datë 22 korrik. Biznesmeni i arretsuar për abuzimet me tenderët e AKSHI-t mësohet se në seancë e ka pranuar se dokumentet i përkisnin atij dhe se i kishte lënë me qëllim që t’i gjente SPAK aty.
Ndryshe nga pretendimet e Vlora Hysenit se komunikimet me Ergys Agasin kanë qenë në cilësinë e bashkëpunëtorit, SPAK thotë se komunikimi i tyre ishte i përditshëm, i tejzgjatur në kohë, telefonata me videocall dhe dërgim fotosh e videosh.
Sipas burimeve, nga 28 qershori deri më 26 gusht, kur u arrestua Agasi, ka pasur më shumë se 100 telefonata mes tyre dhe qindra mesazhe, për të cilat SPAK thotë se nuk kanë qenë në cilësinë e bashkëpunëtorit.
Mësohet gjithashtu se Prokuroria e Posaçme kishte 10 ditë që e kishte dorëzuar kërkesën për masën e sigurisë ndaj Vlora Hysenit në Gjykatën e Posaçme.
Gjykata ka qenë e kujdesshme në verifikimin e fakteve dhe më pas e ka miratuar këtë kërkesë.

