Zjarret në Delvinë dhe Finiq, ministri Lamallari: Operacioni vijon pa ndërprerje, prioritet mbrojtja e qytetarëve
Situata e zjarreve në disa fshatra të Delvinës dhe Finiqit vijon të jetë e vështirë, ndërsa strukturat shtetërore janë angazhuar në terren për vënien nën kontroll të vatrave të zjarrit.
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, bëri të ditur se operacioni i ndërhyrjes po vijon pa ndërprerje, si nga toka ashtu edhe nga ajri, me përfshirjen e forcave të shumta zjarrfikëse, Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura, shërbimeve vendore dhe tre helikopterëve. “Prioriteti ynë absolut është mbrojtja e jetës së qytetarëve, e banesave dhe e çdo pasurie të rrezikuar”, deklaroi Lamallari.
Ai u bëri thirrje banorëve të zonave të prekura që të respektojnë udhëzimet e autoriteteve dhe të shmangin çdo veprim që mund të shtojë rrezikun gjatë situatës së emergjencës. Forcat në terren vijojnë punën për izolimin e vatrave të zjarrit dhe për mbrojtjen e zonave të banuara.
Postimi i plotë
Prej orësh po përballemi me një situatë të vështirë nga zjarret në disa fshatra të Delvinës dhe Finiqit. Të gjitha strukturat tona janë në terren dhe operacioni vijon pa ndërprerje, si nga toka ashtu edhe nga ajri, me angazhimin e forcave të shumta zjarrfikëse, të Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura, shërbimeve vendore dhe 3 helikopterëve. Prioriteti ynë absolut është mbrojtja e jetës së qytetarëve, e banesave dhe e çdo pasurie të rrezikuar. Ju bëjmë thirrje banorëve të respektojnë udhëzimet e autoriteteve dhe të shmangin çdo veprim që mund të krijojë rrezik shtesë.
KOHA JONË SONDAZH

