Home Aktualitet Manastirliu-K...

Manastirliu-Kumbaro: Taskforcë ndërinstitucionale, zero tolerancë për subjektet që nuk zbatojnë kushtet higjieno-sanitare

37
0

“Taskforca ndërinstitucionale për sigurinë shëndetësore ka nisur punën me gatishmëri të shtuar në zonat turistike, me zero tolerancë për subjektet, të cilat nuk respektojnë kushtet higjieno-sanitare.”

Deklarata u bë nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu gjatë inspektimit të përbashkët me ministren e Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kunbaro në zonën e Lungomares në Vlorë, me inspektorët e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor.

Duke vlerësuar punën e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, Manastirliu bëri të ditur se “janë më shumë se 950 subjekte të inspektuara”.

“Vetëm për qershorin janë 350 subjekte dhe jo vetëm në bregdet, sepse kjo është një punë rutinë. Por nga ana tjetër edhe sa i përket masave që po marrim për sezonin turistik, kjo është një situatë gatishmërie. Për ne është shumë e rëndësishme që bashkë me inspektorët e ISHSH-së, gjithashtu edhe me inspektorët e tjerë të AKU-së apo Agjencisë së Mjedisit, të mundet të bashkërendojmë forcat në mënyrë që inspektimi të kryhet për të rekomanduar masa për përmirësim, por edhe masa administrative, të cilat gjatë kësaj periudhe janë rreth 20 masa. Duhet të jemi të vendosur për të mos pasur asnjë tolerancë, sa i përket shkeljeve që kanë të bëjnë me masat higjieno-sanitare”, shtoi Manastirliu.

Ministrja e Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro vlerësoi punën e taskforcës dhe kërkoi bashkëpunimin e bizneseve në këtë pikë të sezonit turistik.

“Gjëja e mirë e taskforcës është që janë të koordinuar mes tyre, sepse nga ana tjetër, nuk duam të bezdisim bizneset dhe të jemi më prezent sesa duhet, por po kërkojmë bashkëpunimin e tyre”, u shpreh Kumbaro.

Nga Vlora, Manastirliu theksoi se strukturat e shëndetësisë janë të gjitha në gatishmëri të shtuar për të siguruar mbarëvajtjem e sezonit turistik.

“Ndërkohë që këtu është edhe qendër shëndetësore, e cila funksionon gjatë gjithë vitit dhe sigurisht me kapacitete të shtuara, ndërkohë që kemi stacionet e urgjencës, autoambulancat, që gjithashtu janë të organizuara në pika të territorit që të aksesohet sa më shpejt spitali, gjithashtu në Vlorë kemi investime që jemi duke bërë për të rritur kapacitetet e Spitalit të Vlorës sa i takon shërbimit të Urgjencës”, tha Manastirliu.

Strukturat inspektuese si, taskforca ndërinstitucionale, por edhe strukturat e tjera shëndetësore janë të gjitha në një situatë gatishmërie. Janë 30 qendra shëndetësore verore me përforcim të personelit shëndetësor, me stafe të cilat trajnohen në vazhdimësi, për të menaxhuar rastet urgjente, e po ashtu përforcim i pajisjeve me barna dhe materiale mjekësore. Urgjenca Kombëtare është gjithashtu në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur të gjitha thirrjeve urgjente për mbarëvajtjen e sezonit turistik.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit