Home Aktualitet Mediat të ven...

Mediat të vendosin interesin më të lartë të fëmijëve në veprimtarinë e tyre informuese

0
0

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale,ka reaguar pas lajmeve të fundit ku në qendër janë minoret dhe bën thirrje për kujdes nga ana e medias. Në njoftmin për shtyp theksohet se mediat të vendosin interesin më të lartë të fëmijëve në veprimtarinë e tyre informuese.

Njoftimi i plotë

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në cilësinë e autoritetit mbikëqyrës për mbrojtjen e të dhënave personale, si një e drejtë dhe liri themelore e njeriut, po monitoron me kujdes dhe shqetësim të veçantë aktivitetin intensiv mediatik, në lidhje me disa raste të rënda të dhunës ndaj të miturve, për të cilët janë publikuar detaje dhe informacione me karakter sensitiv.

Ushtrimi i së drejtës së lirisë së shprehjes nuk është i pakufizuar. Ajo kërkohet të bëhet brenda kontureve të kërkesave të parashikuara në nenet 15, 17 dhe 35 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Mbulimi mediatik duhet të jetë në përputhje me standardet e përgjithshme të mbrojtjes së të drejtës së privatësisë, në veçanti, me parimin e saktësisë, proporcionalitetit, transparencës dhe në sigurinë e përpunimit të të dhënave personale, sipas nenit 8 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Konventën 108 “Për mbrojtjen e individëve nga përpunimi automatik i të dhënave personale” të Këshillit të Evropës dhe nenin 35 të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë.

Kurioziteti i thjeshtë apo sensacioni nuk mund të justifikojë kurrë shkeljen e të drejtës për respektimin e jetës private. Në vlerësimin nëse ekziston një interes publik i justifikuar për ndërhyrje në të drejtën për respektimin e jetës private, fokusi duhet të jetë, siç thuhet nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut “nëse publikimi është në interes të publikut dhe jo nëse publiku mund të jetë i interesuar në leximin e tij”. Në këtë kontekst, duhet të merret parasysh dëmi që mund t’u shkaktohet interesave të fëmijëve nëse shpërndahen/publikohen informacione personale dhe ekzistenca e një interesi publik për situata të kësaj natyre.

Sa më sipër, Zyra e Komisionerit në referim të nenit 35 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në përmbushje të detyrimeve të ligjit nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar, tërheq vëmendjen për ndërgjegjësimin e mediave, në lidhje me sasinë e informacionit personal/sensitiv të publikuar dhe detajeve të panevojshme për çështje që nuk kanë dhe nuk i shërbejnë interesit publik. Publikimi i këtyre informacioneve vjen në kundërshtim me parashikimet e neneve 5, 6, 7 të Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, ku pasojat për të miturit mund të jenë të pariparueshme dhe të pakthyeshme dhe ku përveç dhunës fizike të ushtruar ndaj tyre, ata mund të përballen me një dhunë mediatike, e cila për nga përmasa e pasojave është po aq e rëndë sa vetë aktet e dhunës të ushtruar ndaj tyre.

Për këto arsye, Zyra e Komisionerit i bën thirrje çdo kontrolluesi që vepron në fushën e medias, t’i japë fund publikimit, si dhe çdo qarkullimi online të informacionit të panevojshëm për interesin publik. Të miturit janë subjektet më të prekshme dhe të pambrojtura ndaj rrezikut të cenimit të të drejtave të tyre themelore (dhe në veçanti, të drejtën e privatësisë). E drejta për privatësi nga të miturit është gjithmonë parësore dhe kjo vlen edhe në rastet kur identiteti bëhet i ditur nga burime zyrtare apo nga ato pranë familjes. Mediat duhet të vendosin në radhë të parë interesin më të lartë të fëmijëve në veprimtarinë e tyre informuese.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit