Home Aktualitet Mister sesi t...

Mister sesi të zhdukurit kthehen në viktima

506
0

Nga: Redjon Shtylla

Sherri politik, sezoni veror, por edhe masakrat me të vrarë, ka errësuar një seri ngjarjesh të frikshme, gati horror që nuk regjistrohet për herë të parë në vend, por prej vitesh kanë ndodhur para nesh. Të zhdukurit në Shqipëri, gjenden, por të vdekur. Vetëm këtë muaj janë shënuar tre raste të ngjashme. Janë raportuar të zhdukur, por trupat u janë gjendur të pajetë në ndonjë kanal.

Një 67-vjeçar u gjetur i pajetë në një kanal në fshatin Vidhishtë, Roskovec më datë 9 korrik. Ai ishte zhdukur nga banesa e tij prej datës 7 korrik. Sipas ekspertizës mjekoligjore, në trupin e viktimës nuk u gjendën shenja dhune. Agim Pelushi, një tjetër i zhdukur që u gjet i pajetë në lumin Vjosë. 55-vjeçari nuk kishte shumë kohë që ishte divorcuar nga bashkëshortja dhe ishte emigrant në Greqi.

Erald Mejdani, një 35-vjeçar që ishte kthyer nga emigrimi pas zhdukjes u gjend i vdekur. Babai i Eraldit, ka theksuar se djali përpara se të kthehej në Shqipëri është ndaluar nga policia greke dhe është mbajtur në paraburgim për shkak të mungesës së dokumentacionit. Ai shton se gjatë kohë që ka qëndruar i mbyllur, djali ka pasur probleme me ankthin, ku mjekët i kanë dhenë një kokërr për pagjumësinë.

Lidhja mes Artur Buzhiqit dhe Gëzim Racakut, është se të dy u denoncuar të zhdukur në emisionet televizive në vend. 41-vjecari Artur Buzhiqi humbi kontaktet me familjen më 9 korrik, dhe trupi i pajetë u gjet në Fier, por familja ngre dyshimet se ai mund të jetë vrarë.

Artur Buzhiqi babai i tre fëmijëve u zhduk nga Ura e Dajlanit, dhe e motra Rajmonda Buzhiqi, ka ngritur dyshimet se i vëllai mund të jetë vrarë. Kurse për zhdukjen e të ndjerit Racaku, denoncoi vajza e tij, e cila nuk e fshehu frikën që ndjeu në bisedën e fundit me të atin duke rrëfyer si e paralajmëroi ai ikjen e tij, pasi kishte kohë që vuante nga depresioni. Gëzimi jetonte bashkë me djalin dhe vajzën, që ditën kur bashkëshortja i la 18 vite më parë. Ky largim i papritur i gruas shkaktoi pasoja të rënda psikologjike tek Gëzimi, pasoja nga të cilat ai nuk mundi t’ia dilte.

Rastet kanë një të përbashkët, zhdukjen dhe më pas trupat gjenden të pajetë, kryesisht të mbytur. Të vrarë apo vetëflijim, fakti është fakt se janë viktima dhe drama e secilit rast, është ndryshe. Nëse janë të vrarë është një alarm për Policinë, që përpos masakrave, të tilla ngjarje po kalojnë edhe pa denoncime, por edhe që tregojnë që jeta jonë nuk qenkëka fare e mbrojtur. Në Elbasan e dimë që bandat bëjnë ligjin, por edhe në rrethin Lezhe-Laç-Tiranë, bandat bëjnë kasaphanë me të vrarë. Por masakrat mes bandave janë një temë tjetër.

Nëse i japin vetë fund jetës, është një thirrje për psikologët që dalin e flasin të lyer e përlyer në emisionet televizive, si të jenë yje showbizzi. Pranimi për të shkuar te psikologu vijon të jetë një tabu në një shoqëri ku etiketohesh si person i çmendur, kur në fakt të çmendurit jemi NE, që shënjojmë çdo shërbim si negativ dhe nuk pranojnë NDIHMË, por zgjedhin aktin final të ikjes nga kjo botë. Sa të çuditshëm që jemi, se jetojmë ende me fjalët “mos na sheh komshiu”. Në rrethe drama është edhe më ekstreme dhe mbytëse.

Kultura e munguar po shkakton viktima që mund të shpëtohen, në paktën të zhdukurit e ardhshëm. Edhe pse me vonesë, kur kurrë nuk është vonë, qeveria duhet të ndërmarrë hapa konkret për shëndetin mendor të popullatës, se fajin e ka që në këto kohë krizash, ndihmën ekonomike e ka ZERO për popullin. Mënyrat e zgjidhjes i dinë ata, ne risjellim në fokus problematikën, që është një masakër e heshtur që merr jetë njerëzish, çdo ditë, dhe në heshtjen e të gjithëve NE.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit